Gjilan – Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu”, të premten ka organizuar një debat me njerëzit kompetent dhe përgjegjës në fushën e jetës kulturore, me theks të veçantë në jetën teatrore. Bujar Haziri u.d. së drejtorit në teatrin e Gjilanit tha se gjendja nuk është shumë e mirë, por edhe as e keqe. Bashkimi Nexhipi tha se viti 2016 ishte viti i aktorëve, derisa ndryshe mendon Avni Shkodra e Alban Shahiqi të cilët thanë se aktorët e kanë humbur besimin tek qeverisja komunale për faktin se trajtimi që po i bëhet kësaj kategorie është jo serioze.
Në debatin e organizuar nga Klubi i Gazetareve “Beqir Musliu”, me temën “Kultura në Gjilan dhe sfidat e saja” morën pjesë përfaqësues të jetës kulturore, aktor, gazetar, shoqëria civile dhe mediet.
Nga ky debat doli konstatimi se as pas 17 vitesh gjendja e teatrit dhe e aktorëve nuk ka ndryshuar dhe mbetet e njëjtë.
Bujar Haziri u.d. në teatrin e qytetit tha se personalisht ai dhe kryetari i komunës Lutfi Haziri kanë bërë përpjekje maksimale që të jenë në funksion të aktorëve dhe zhvillimeve pozitive që ndodhin në jetën kulturore. “Mirë që po diskutojmë e debatojmë sepse po i shtjellojmë hallet tona në themel. Sfida ka pasur gjithmonë dhe do të ketë sërish. Teatri i qytetit ka punuar me tërë fuqinë që ka pasur dhe kemi korrur edhe rezultate dhe po kemi edhe suksese. Megjithatë aspekti juridik dhe mungesa e një kodi apo linje buxhetore po e determinon tërë punën tonë profesionale e njerëzore që po e bëjmë. Vet fakti që komuna është themeluese e teatrit, kjo na obligon dhe kemi sensibilizuar në të gjitha fushat problemin e teatrit. Nisur nga ky fakt mund të them se gjendja nuk është aq e keqe, por edhe aq e mirë jo. Secili prej nesh ka përgjegjësi individuale dhe duhet të jetë pjesë e këtyre përgjegjësive. Kryetari i komunës e ka mbështetur teatrin dhe kulturën në çdo cep e sferë” tha Haziri.
Avni Shkodra njëri nga aktorët më me zë që ka kërkuar tretman njerëzor për komunitetin e artistëve tha se komuna është e obliguar të krijojë kushte më të mira për aktorët. “Në vend të saj teatri i Gjilanit po e zvogëlon numrin e aktorëve dhe tani kemi edhe procesin e zgjedhjes së drejtorit të teatrit për çka mendojmë se do të jetë më fer dhe më transparentë” tha Shkodra.
Shkodra tha se në rastin e teatrit ose nuk po ka vullnet ose mos dije sepse teatri po ka probleme banale dhe aktorët po e humbin vullnetin.
Alban Shahiqi tha se aktorët e kanë humbur besimin tek pushteti. “Ne vazhdimisht kemi kërkuar dhe kërkojmë trajtim më dinjitoz të teatrit. Ne po e kryejmë punën si duhet dhe me ndershmëri japim edhe shfaqjet. Por kjo është e kot kur na mungon motivimi dhe paga e sigurt” tha Shahiqi.
Arzije Nuhiu nga PDK-ja tha se komuna nuk po u del në ndihmë aktorëve. “Aktorët nuk po paguhen si duhet dhe kjo për pasojë po e sjellë një dëshpërim ekstrem të aktorëve të cilët edhe po protestojnë. Komuna duhet t`ia kthejë namin teatrit” tha Nuhiu.
Sabedin Shahiqi aktor me një përvojë mbi 43 vjeçare në teatër dhe aktualisht kryetar i Këshillit Drejtues në teatër tha se që nga viti 1971 kurrë gjendja në teatër s`ka qenë më e keqe. “Edhe pse kemi pasur suksese me shfaqjet tona, edhe pse jemi paraqitur suksesshëm në çdo vend të rajonit, prapë aktorët kanë mbetur kategoria më e papërfillshme” tha Shahiqi.
Bashkim Nexhipi pjesë e Task Forcës tha se Gjilani duhet të krenohet me njerëzit e kulturës. “Ky vit ishte viti më i mirë në historinë e teatrit sepse janë ndarë mbi 110 mijë euro dhe kur e krahasojmë Gjilanin me teatrot tjera ne jemi vërtet lule” u shpreh Nexhipi
Nexhipi tha se Teatri edhe më shumë do të zhvillohet dhe do të funksionojë më mirë sepse përkrahja e njeriut të parë të komunës ekziston”.
Demir Krasniqi krijues me shumë argumente ka ofruar një varg problemesh që e kanë përfshirë kulturën.
Demir Krasniqi, tha se Gjilanit i mungon kori, orkestra, një SHKA me përmasa qytetare. Një asamble autokton i Këngëve dhe Valleve dhe i instrumenteve autoktone. Mungon Festivale i muzikës tradicional i këngës popullor,e për fëmijë, i mungon juria e mirëfilltë profesionist në çdo lëmi duke përfshirë ngjarjet kulturore. Në drejtori dhe vende udhëheqëse të kulturës, nuk plotësohen me kuadro profesioniste, por plotësohen sa për sy e faqe. Strukturat kulturore nuk kanë bërë asgjë për figura të rëndësishme nga kultura.
Shaban Terziu, tha se nuk ka pas nevojë me shua DKRS-në sepse është bërë një gabim, kjo po ndikon, po flitet veç për teatër, por Gjilani ka SHKA të cilat janë të suksesshme, kanë traditë, kanë përvojë duhet të mendohet edhe për ta. Sa i përket teatrit duhet kualitet dhe jo vetëm kuantitet tha Terziu.
Kujtim Shahiqi zyrtar në kulturë tha se jo të gjithë mund të flasin për problemet e kulturës apo teatrit. “Kjo qeverisje e ka trajtuar drejtë dhe në mënyrën më të mirë të mundshme problemin e aktorëve. Janë disa procedura juridike dhe buxhetore të cilat na janë shfaqur si pengesë e zhvillimit edhe më të hovshëm kulturor” tha Shahiqi.
Kujtim Shahiqi, tha se kurrë nuk ka pas aktorë të pranuar rezidentë por vetëm janë pranuar me projekte. “Task Forca ka bërë punë të mirë ka pranuar 12 aktorë rezidentë. Udhëheqja komuna na është përgjigj përherë. Mbi 120 mijë euro është subvencionuar kultura. Në këtë periudhë kemi punuar dhe e kemi ngallë këtë sferë. Tani problemi më i madh është stafi teknik, nuk e kanë të rregulluar statusi ne tyre juridik. Pa u shti në vijën buxhetore së paku 20 vetë këto probleme do të jenë gjithmonë” tha Shahiqi.
Me diskutimet e tyre u paraqitën edhe Irfan Ukshini, Qazim Azizi etj.Debati është përkrahur nga Komuna e Gjilanit.