Gjilan

8 Mars: Femrat nuk duhet të jenë “robëresha” të meshkujve

Femrat nuk kanë nevojë fare për ndihmën e meshkujve që të sigurojnë përfaqësim meritor në vendimmarrje dhe politikë-bërje, nëse ato së pari bashkohen mes vete. Nëse punojnë së bashku, ato mund të hapin porta të mëdha edhe pa ndihmën e burrave.

Aktualisht, atyre u garantohen 30 për qind e vendeve në vendimmarrje, ndërsa janë gjysma e popullsisë. Për të afirmuar rolin e fermës në shoqëri, nëpër komunat e Kosovës janë themeluar edhe Grupe të Grave, të cilat lobojnë për avancimin e barazisë gjinore.

Përfaqësimi, udhëheqja dhe vendimmarrja nuk janë apriori dimensione gjinore.

Para së gjithash duhet luftuar konceptin e vjetër mbi femrën si “robëreshë e mashkullit”, si relikt i sistemeve diktatoriale. Demokraci funksionale nuk mund të ketë pa femra të barabarta.

Kosova ka miratuar ligje të mira, por ka ngecje te realizimi i këtyre ligjeve në praktikë.

Femra shqiptare në Kosovë, duhet të lirohet nga koncepti i mëshirimit, sepse askush nuk i falë sukseset e veta, por ato duhet të meritohen, të merren me këmbëngulje dhe me përkushtim maksimal.

Grave duhet t`iu njihet barazia në konkurrencë, pastaj ato do ta dëshmojnë veten tyre me botën mashkullore, aq sa vlejnë.

Në Kosovë, tashmë ka shembuj ku femrat i kanë mundur meshkujt me vota. Ka femra që kanë dëshmuar se nuk ka pengesë që mund t`i ndalë sukseset e tyre. Ka femra që vazhdimisht dëshmojnë lidershipin e tyre.

Gjylshene Berisha, kryesuese e KBGJ, ka thënë Kosova e ka ligjin për barazi gjinore, që sipas saj, është mjaft i avancuar, por vetëm duhet të insistohet në zbatimin e tij. Gratë kanë nevojë për mbështetjen e nismave dhe projekteve të tyre edhe në biznes, nëpërmjet krijimit të një kodi të veçantë buxhetor për këtë qëllim, thotë ajo.

Një vendim të tillë, e ka nënshkruar të mërkurën kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, i cili është treguar i gatshëm t`i mbështes gratë edhe në fuqizimin ekonomik.

8 Marsi duhet të jetë një ditë reflektimi për pozitën e gruas në shoqëri dhe familje, jo për festë. Gratë nuk duhet të kënaqen me një lule. /I.MUSLIU/

You Might Also Like