Kaltrinë BERISHA
KOLIQI E CAMAJ DHANË KONTRIBUT TË ÇMUAR NË ZHVILLIMIN E LETËRSISË SONË
Në botimin e kompletit prej dhjetë vëllimeve, me “STUDIME LETRARE të zgjedhura”, të studiuesit Anton Nikë Berisha, ndodhen edhe dy prej studimeve më të detajuara, dhe më serioze, që autori i shkruan për krijimtaritë e dy shkrimtarëve shqiptarë, të cilët kanë dhënë një kontribut të çmueshëm për letërsinë modern shqipe të shekullit njëzet, Ernest Koliqin e Martin Camajn .
Në kritikat letrare të botuara deri më tani për krijimtarinë e Koliqit, që edhe pse janë të botuara në numër të madh, duket se studiuesit mjaftohen me përfundime të tilla si; Koliqi është pasardhës i Fishtës, në veprën Hija e Maleve trajtohen tema, ide e motive që burojnë nga Malësia dhe ligjet e ashpra të saj, te Tregtar flamujsh dominon Shkodra me nuanca të jetës së qytetëruar ku të gjitha këto së bashku paraqiten te Pasqyrat e Narçizit me anë të pasqyrimit të narratorit në shtatë pasqyra, gjegjësisht shtatë poemtha apo proza poetike, e kështu.
Koliqi ka zhvilluar më tej letërsinë shqipe…
Vëllimi i gjashtë i kompletit të Anton Nikë Berishës ofron një larushi të gjerë me informacione mbi biografinë e Koliqit, formësimin e tij gjatë shkollimit në Itali , raportet dhe ndikimet nga shkrimtarët e huaj si dhe ata shqiptarë, konkretisht nga Qarku i Shkodrës, vlerësimi i krijimtarisë së Fishtës kur regjimi enverist e mohonte atë, citimet e shumta ku bëhet me dije se autori ka lexuar gjithçka që është shkruar dhe është thënë për Koliqin.
Thënë ndryshe nga ky studim mund të përfitojnë gjithë lexusit e letërsisë shqipe, kurse studentët dhe profesorët e letërsisë kanë materiale që ju ndihmojnë për zbërthimin e krijimtarisë së Koliqit nëpërmjet informacioneve që jep autori përmes burimeve të shumta, qoftë nga gjurmët e shkollimit të Koliqit në Itali qoftë nga citimet e shumta që i japin studimit kahje edhe më akademike e më serioze. Siç mund të shihet në këtë libër, është thënë gjithçka që mund të thuhet për Koliqin dhe kirijmtarinë e tij, duke iu shmangur shumë larg përsëritjeve që disa prej studiuesëve të mëparshëm i bënin nga njëri -tjetri. Sipas Anton Nikë Berishës: “ Koliqi ka dhënë një ndihmesë të rëndësishme në zhvillimin dhë përsosjen e tregimit e të novelës shqiptare, si në planin e shtjellimit tekstor e kompozicional ashtu edhe në rrafshin e shprehjes artistike, për këtë arsyje disa prej krijimeve të tij edhe sot kanë vlera antologjike brenda llojeve përkatëse të prozës sonë. Andaj jo rastësisht Berisha thotë se “Koliqi është poet që para së gjithash jetoi me kohën dhe në kohën e vet; i ndjeu dhe i përjetoi brengat dhe plagët e njerëzve të tij e të shoqërisë në të cilën jetoi. E tashmja për të është qenësorja; e kaluara vetëm ndërlidhet dhe ndihmon për ta shprehur të tashmen sa më plotnisht., për të depërtuar në rrjedhat kryesore dhe në problemet më të ndjeshme të saj. Poeti i kthehet të kaluarës jo për të mohuar të tashmen, por duke e vënë në rrafshin krahasues, ta shprehë atë në mënyrë sa më komplekse. Ai ishte i vetëdijshëm se nuk ka të tashme pa ndërlidhje me të kaluarën sikur nuk mund të ketë të ardhme pa të tashmen. Kush i ndërprenë lidhjet me të kaluarën dhe e mohon atë, pret rrënjët e së tashmes dhe e mohon atë, konretisht të ardhmen. Përlavdërimi dhe madhërimi i së kaluarës te Koliqi nuk nënkupton konceptin e tij tradicional dhe prapanik, por sygjerimin se mbi çfarë baze duhet të ngrihet e të funksionojë e tashmja. Derisa te studiuesit e tjerë poezia e Koliqit analizohet kalimthi, Berisha thekson se “ Në poezinë e Koliqit shprehet edhe bota intime, përkatësisht qëndrimi i tij ndaj femrës dhe botës së saj, që cilësohet me një ndjeshmëri të veçantë që shprehet në dy rrafshe kryesore: konkrete dhe përfytyruese. Në rrafshin e parë kemi dashurinë në kohën djaloshare të poetit ku shqiptohen ndjesitëe tij të pandërmjeme ndaj të dashurës, ndërsa më vonë ajo shqiptohet nëpërmjet kujtimeve që bëhen pjesë e ekzistencës mendore dhe shpirtërore të jetës në mërgim. Në rrafshin e dytë kemi një dashuri më tepër platonike, që kryesisht shprehet në ciklin e soneteve me titull”Sheherzadja”. Tema e dashurisë te Koliqi nuk është e ngushtuar dhe e zhveshur, por trajtohet në një përmasë të gjerë dhe ndërlidhet e ballafaqohet me dukuri të tjera qenësore të gjallnimit të njeriut. Nëpërmjet shqiptimit të kësaj ndjnje, që shpërthen me “hov hyjnor” autori depërton në botën e brendshme të femrës, në poret më të fshehta të shpirtit të saj. Këtë gjë synon ta bëjë duke shkuar gjurmëve të poetëve të mëdhenj, Dantes e Petrarkës. Për ta pavdekësuar të dashurën dhe dashurinë për të, që shpreh në qenësi edhe të bukurën. Për këtë arsye ai përdor tingëllimin si formë shtjellimi artistik, me të cilën formë ishin bërë të pavdekshëm paraardhësit e tij.
Sa i përket veprës letrare Pasqyrat e Narçizit, nga kritikët letrar është nxjerrë si përfundim se konsiderohet si vepra më e arrirë artistikisht e Koliqit, dhe duke i përsëritur fjalët e vetë autorit për kategorizimin e veprës si shtatë poemtha në prozë. Kurse Berisha thekson se vepra në fjalë nuk ka objekt tradicional të vështrimit artistik me hyrje e pikë kulminante të shtjellimit dhe me përfundim përkatës, pra nuk ka ngjarje të mirëfillt, por është një mozaik i ideve e refleksioneve të shtjelluara nëpërmjet një strukture tekstore, që, para së gjithash e cilëson arti.
Një studim i papërsëritshëm edhe për Camajn
Përderisa me krijimtarinë e Ernest Koliqit janë marrë studiues të shumtë që kanë botuar shkrime të shumta, ku pjesa më e madhe janë përsëritje . Si duket e kundërta ndodhë me krijimtarinë e Camajt. Deri më tani kritika letrare duket se është mjaftuar vetëm me studimin e veprave poetike të Camajt, ndërsa proza është cilësuar vetëm hermetike, madje nga studiuesit e Kosovës është lënë në harresë të fatit, aty këtu është përmendur poezia dhe Dranja. Andaj ashtu si për krijimtarinë e Koliqit, profesor Anton Nikë Berisha shkruan një studim të papërsëritshëm edhe për krijimtarinë e Martin Camajt. Studimi i tij, mund të konsiderohet lirshëm si studimi i parë dhe deri më tani më seriozi për gjithë krijimtarinë e Camajt. Aq sa në tentativat e mëvonshme të studiuesve për të shkruar kritikë letrare për prozën e Martin Camajt duket qartazi se fillimisht është lexuar Vepra letrare e Martin Camajt nga Anton Nikë Berisha dhe krejt më pas është lexuar me vëmendje krijimtaria e Camajt. Nga vetë strukturimi i veprës në: Camaj poet, Camaj prozator, Camaj dramturg, të tjerët për Camajt si dhe letërkëmbimet, lexuesit vëren se ka të bëj me një studim të mirëmenduar dhe me detaje të hollësishme. Disa nga kritikët letrar Djellën e kanë konsideruar si një roman të lezetshëm për t’u lexuar, mirëpo pa ndonjë vlerë të madhe letrare, dhe Dranjën si proza poetike, te studimi në fjalë shohim se Anton Nikë Berisha ka dalë përtej konstatimeve të shkurta per dy veprat e Camajt.
“ Se kufijtë midis prozës dhe poezisë së Camajt shkrihen në shumë elemente, dëshmojnë, pos të tjerash, veprat Djella (1958) dhe version i dytë i vitit 1994 dhe Dranja (1981). E para është roman lirik, shtjelluar në prozë e në vargje, ndërsa e dyta përbëhet nga madrigale (jo në vargje siç është i njohur madrigal tradicional) në proza poetike, që përbëjnë një tërësi tematike, shprehëse e kuptimore dhe mund të lexohen, edhe si cikël poezish, edhe si prozë tërësore moderne. Proza e Camajt ka pika takimi dhe ndërlidhet me poezinë e tij për mënyrën e perceptimit e të transponimit të botës e të jetës sonë, të gjuhës poetike të frazeologjisë së pasur e të konceptit që në art të heshten gjërat, përkatësisht të thuhet vetëm ajo që është e domosdodhme, që nxit e mundëson komunikimin e krijimit letrar artistik me marrësin.
Sa i përket veprës Karpa, të cilën disa prej kritikëve e kanë cilësuar si një vepër hermetike, dhe që nuk mund të dalë përtej veprës Dranja, professor Anton Nikë Berisha shprehet mendon ndryshe: “Në Karpa sistemi kuptimor ngrihet e funksionon në thellësinë e ndërlidhjes dhe të shkrirjes së reales me jorealen, me fiktiven. Asgjë s’është krejt reale dhe asgjë s’është krejt fiktive. Në qenësi këto shkrihen në njëra tjetrën dhe përbëjnë tërësinë e pandarë, realitetin artistik të veprës… siç ngjet në disa vepra moderne në prozë ( në prozën shqiptare kjo ngjet në mënyrë mjaft origjinale e tipike në prozën e Anton Pashkut), koha është e pafund ose si thotë një fjalë e urtë në Karpë – “Koha është letër e bardhë”
Te romani Rrathë duket se leximi ka mbetur brenda rrathëve, gjë që e dëshmon edhe mungesa e studimeve, si dhe e analizave letrare të shkurtëra për këtë vepër, ngase i vetmi studim serioz mund të merret ai nga Yrjet Berisha, mirëpo që është botuar pas botimit të Vepra letrare e Camajt, madje në shumë raste nga citimet shihet se autori e ka vlerësuar dhe e ka cituar më së shumti veprën e Anton Nikë Berishës. Andaj, edhe studimi i Yrjet Berishës, që përfshinë gjithë krijimtarinë e gjerë të Camajt, duket qartazi se pjesa më e madhe e tij është e mbështetur në studimin e Anton Nikë Berishës, dhe se vijmë në përfundim që gjatë kalimit të viteve, përsëri ka pasur shumë pak ndryshime në studimin e veprave të Camajt, duke mos dalë përtej fjalëve nga studimi Vepra letare e Martin Camajt.
Thënë hapur, përfshirja e këtyre dy studimeve në kompletin dhjetë vëllimesh studimor të Anton Nikë Berishës, vetëm sa sforcohet edhe më shumë bindja se këta dy shkrimtarë kanë dhënë një kontribut të çmueshëm për zhvillimin dhe modernizimin e letërsisë sonë.
_________________
( E lexuar më 22 nëntor 2025, në bibliotekën e qytetit në Gjilan, gjatë paraqitjes së “STUDIME-ve LETRARE të zgjedhura” të prof. dr. Anton Nikë Berishës, në edicionin e gjashtëmbëdhjetë të manifestimit, “Vjeshta letrare e Gjilanit”.





