OPINION

A (si) u manipulua me bursat e komunës për studentët gjilanas, apo komisioni vendosi ashtu nga mosdija?

Reagim publik

A (si) u manipulua me bursat e komunës për studentët gjilanas, apo komisioni vendosi ashtu nga mosdija?

Më datë 13.11.2024 u publikua thirrja për aplikim për bursa për studentët e Komunës së Gjilanit. Më datë 27.11.2024 u bë shtyrja e aplikimit edhe për një javë, me arsyetimin e problemeve teknike me rrjetin. Më datë 08.01.2025 u publikua lista preliminare e përfituesve të bursave.

Çuditërisht, në ato lista shohim emra të studentëve të cilët figurojnë gjithashtu në listën e përfituesve të bursave STEM dhe në listën e përfituesve të bursave të MASHT-it, por sipas notës mesatare edhe emra të studentëve që me automatizëm janë përfitues të bursës universitare.

Pse është e çuditshme?

Rregullorja për aplikim, në njërën nga pikat e kritereve të përgjithshme thotë: ASNJË NGA STUDENTËT NUK MUND TË JETË PËRFITUES I BURSËS NËSE KONSTATOHET SE ËSHTË PËRFITUES I NDONJË BURSE TJETËR.

Ndërsa, ndër të tjera, në dokumentet e nevojshme për aplikim kërkohet: Pika 1. Certifikata e notave Pika 7.Vërtetimi nga fakulteti përkatës që studenti nuk është përfitues i ndonjë burse tjetër.

Do të thotë është shumë e lehtë të konstatohet, sepse studenti nuk mund të marrë vërtetim nga fakulteti përkatës nëse ai është përfitues i bursës. Dhe gjithashtu, këtë e dëshmon edhe certifikata e notave.

Atëherë, si ka mundësi që ata studentë të jenë përfitues të bursës komunale?

Fatkeqësisht, rregullorja për bursë komunale ka privuar nga e drejta e aplikimit studentët më të dalluar, po më keq se kaq është manipuluar me aplikime, sepse për ta dëshmuar pikën e lartcekur studenti në dokumentacion duhet të ketë certifikatën e notave dhe vërtetimin që nuk është përfitues i ndonjë burse, dhe siç e kemi cekur, këtë nuk mund ta lëshojë fakulteti përkatës nëse studenti është përfitues potencial i bursës universitare. E vërteta është që vajza ime, Hera Jakupi, nuk ka aplikuar për bursë komunale duke marrë për bazë pikën e lartcekur të rregullores, ngaqë është përfituese e bursës elitare nga MASHT dhe me automatizëm përfituese e bursës universitare.

Hera është një nga studentet më të dalluara me notë mesatare më të lartë në drejtimin e Psikologjisë. Suksesin e saj e dëshmon edhe pranimi për studime master në Universitetin e Padovës në konkurrencë me afro 700 studentë. Hera, si edhe familja e saj, është shumë e ndërgjegjshme, prandaj duke respektuar rregulloren nuk ka aplikuar e as nuk ka menduar të tentojë të aplikojë e të gjejë njerëz që mund ta fusnin në listë. Po, pyetja që mund të shtrohet tani është kjo: A është e motivuar Hera për të punuar aq fort dhe për ta menduar të ardhmen në vendin e saj?

Kthehemi te shpallja e rezultateve finale. Pas shpalljes së rezultateve preliminare ishte afati i ankesave. Bazuar në fakte, unë parashtrova ankesën time. Assesi për ta futur Herën në listë, po për të kërkuar që rregullorja të vlejë për të gjithë studentët njëlloj. Pas një pritjeje të gjatë, më datë 12.03.2025 u publikua lista përfundimtare. U hoqën disa emra që figuronin në listën e bursave të MASHT-it dhe Stem-it (të paktën ata që unë i dija), po jo edhe ata që ishin përfitues potencial për bursë universitare me automatizëm, sikurse Hera, Fatjona, Blinera e shumë studentë të tjerë të dalluar, që i njoh personalisht. Për këtë, u kam dërguar komisionit pranues edhe dy rregulloret e bursave, rregulloren e MASHT-it dhe rregulloren e  Universitetit (ngaqë sipas tyre nuk ishin në dijeni për rregulloret në fjalë dhe nuk dinin ku të bazoheshin). Si ka mundësi që të caktohet një komision që nuk di si ta kryejë detyrën.

Komisioni i ankesave ka bërë punën e vet, kuptohet duke u marrë vetëm me ankesa, ashtu si edhe detyrohet. Bazuar në ankesa, disa të refuzuar i futi në listë e disa i largoi nga lista. Po, çka me ata që mbetën në listë ngaqë emrat e tyre nuk u përmendën në ankesa? A duhet qytetarët të merren me hulumtime e verifikime në vend që të merret komisioni me këtë punë?

Gjithë përgjegjësia bie mbi komisionin pranues. A U MANIPULUA ME BURSA APO KOMISIONI VENDOSI ASHTU NGA MOSDIJA? Përgjigje këtu duhet të japë komisioni pranues.

Pasi ka pasur ankesa dhe i është bërë me dije e gjitha, është dashur që aplikimet të shikohen edhe një herë me kujdes dhe çdo student përfitues i dyfishtë të eliminohet ose të përsëritet aplikimi, të fillohet nga e para me apo pa atë pikë të rregullores. Nuk ndodhi as njëra, as tjetra.

Në listën finale i gjeni me dhjetëra studentë me notë mesatare 9 e më tepër. Ata studentë duhet të kenë marrë bursën universitare siç e përcakton rregullorja e universitetit, të cilën ua ofruam komisionit pranues (përjashtuar fakultetet private).

Komisioni pranues gaboi tri herë. E para,  që sipas gjasave mori në konsideratë aplikimet pa të gjitha dokumentet e nevojshme. E dyta, që u tha po atyre studentëve që aplikuan pa të drejtë. E treta, që nuk reaguan për pastrimin e plotë të listave pas reagimeve të bazuara.

Ndjehem jashtëzakonisht keq për një komision që shkel dhe demotivon studentët e ndërgjegjshëm, e po aq keq për ata studentë që u munduan të përfitojnë jashtëligjshëm duke dhënë një shembull të keq në shoqëri.

P.S. Në asnjë mënyrë nuk kemi kërkuar që përmes ankesës të futemi në listë, por kemi kërkuar të punohet drejt dhe rregullorja të vlejë për të gjithë.

E indinjuar, por me ndërgjegje të pastër

Shqipe Sijarina Jakupi

You Might Also Like