Para nisjes së ndeshjes Gjilani – Ballkani, të luajtur të hënën që shkoi, drejtues të SC Gjilanit kanë nderuar me mirënjohje Abdullah Sylën, i cili për tri dekada gjithnjë ka qenë pranë këtij ekipi. Atë e nderuan edhe tifozët, edhe gjyqtarët e ndeshjes, por e çmojnë dhe e nderojnë edhe të gjithë njerëzit që e duan futbollin, përfshirë edhe ekipet kundërshtare, ngase të gjithë kanë fjalë miradije për këtë mik të futbollit.
Shpesh, ndodhte që as ai vet nuk e kishte parë ndeshje, duke u përkujdesur që të rehatojë edhe mysafirin e fundit, që kishte ardhur për të përcjellë ndeshjet, kurse në mbamendjen time edhe më tej ka mbetur ndeshja e xhiros së fundit ndërmjet Gjilanit e Llapit (1:0), e cila ishte përcaktuese se cila nga këto ekipe do të binte në rang më të ultë të garave e pas fitores së Gjilanit, Abdullah Syla po derdhte lot gëzimi, ngase klubi i tij i zemrës në atë kohë po kalonte nëpër periudhë jo të lehtë.
Që nga viti 1995, kur futbolli luhej nëpër livadhe e fusha të improvizuara, Abdullah Syla ka qenë pranë futbollit Kosovar dhe për të askush për Abdullah Sylën nuk mund të thotë një fjalë të keqe, punoi, kontribuoi, priti e përcjelli mysafirë nga mbarë Kosova e më gjerë, duke u munduar që secilit t’i gjejë vendin meritor, por edhe atëherë kur klubi i tij i zemrës kishte pësuar, qoftë edhe padrejtësisht, ai kurrë nuk u pa i nevrikosur, por si një njeri i vërtetë i sportit e pranoi rezultatin ashtu siç ishte.
Ai thotë se që nga ditët e para është me Gjilanin dhe se çdo sukses i klubit e gëzon shumë edhe atë. “Në futboll jam që nga vitet 80-ta, por më gëzon fakti që asnjëherë nuk u ndava prej tij. Kam miq anembanë Kosovës dhe deri sot nuk kam dëgjuar ndonjë fjalë të keqe nga dikush, gjithmonë jam munduar që në cilësinë e nikoqirit t’i pres e përcjell si është më së miri ata që kanë ardhur në Gjilan”, thekson Abdulla Syla. /kryelajmi.com/.