Agim Veliu, nënkryetar i LDK-së dhe ministër i Punëve të Brendshme, gjatë vizitës së sotme në Gjilan është pyetur edhe për zhvillimet në LDK, gjegjësisht për mundësinë e formimit të një partie të re nga Vjosa Osmani.
Veliu ka thënë se LDK ka kaluar nëpër fortuna të mëdha gjatë historikut të saj dhe atë nuk ka mundur askush t’a ndajë e atë aq më pak mund t’a ndajë Vjosa Osmani.
“Ka kohë që Vjosa Osmani punon kundër LDK-së dhe që është jashtë LDK-së. Lidhja Demokratike deri tash është treguar historikisht që nuk mundet ta ndajë askush. Nga Lidhja Demokratike mund të ndahen individët. Lidhja Demokratike është parti tepër e organizuar me një histori të gjatë të veprimit. Është parti politike që u ka qëndruar shumë stuhive dhe nuk besoj që mund të ndajë dikush LDK-në aq më pak Vjosa Osmani e cila ka kohë që punon kundër LDK-së. Ajo ka kohë që është jashtë LDK-së me punë kurse me trup ka qenë në LDK deri tash”, është shprehur Agim Veliu.