Gjilan, 13 shkurt 2026
Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan, Njësia rajonale e Trafikut Rrugor dhe Stacionet Policore gjatë periudhës kohore 06.02.2026 – 12.02.2026 në vazhdën e implementimit të planeve operative për siguri në trafik kanë shqiptuar njëmijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e tetë (1778) gjoba.
Gjatë kësaj periudhe në kuadër të këtyre planeve janë ndërmarr aktivitete edhe në:
· Hetim i gjashtëmbëdhjetë (16) aksidenteve të trafikut me dëme materiale,
· Hetim i pesëmbëdhjetë (15) aksidenteve të trafikut me të lënduar,
· Shqiptuar masa e ndalim drejtimit të mjeteve motorike për shtatëdhjetë e dy (72) ngasës.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, njofton se kundërvajtësit të cilëve u është dërguar gjobë përmes shërbimit postar, nëse e kryejnë pagesën brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga data e pranimit të saj, përfitojnë nga e drejta për të paguar vetëm pesëdhjetë për qind (50%) të shumës së përcaktuar për kundërvajtjen përkatëse. Afati për pagesë fillon të rrjedh nga dita e pranimit të njoftimit për gjobë nga posta.
Në rast të paraqitjes së ndonjë pengese apo paqartësie lidhur me afatin apo procedurën e pagesës, pala mund të paraqitet në stacionin policor apo në njësitin kompetent që ka shqiptuar gjobën, me qëllim të verifikimit dhe përditësimit të të dhënave në sistem.
Gjithashtu, çdo kundërvajtës të cilit i është shqiptuar gjobë në trafik, gëzon të drejtën ligjore për paraqitjen e ankesës. Ankesa mund të hartohet nga vetë pala e pakënaqur duke paraqitur arsyet dhe pretendimet lidhur me kundërshtimin e gjobës. Për informata dhe udhëzime shtesë qytetarët mund të drejtohen në Njësitin Rajonal të Komunikacionit Rrugor në Gjilan.




