Gjilan, 11 mars 2026
Në kuadër të planifikimeve operative të ROADPOL me qëllim të rritjes së sigurisë në trafikun rrugor nga njësite policore të Drejtorisë Rajonale e Policisë në Gjilan janë duke u zhvilluar kontrolle të shtuara në rrugët e vendit me fokus të veçantë në përdorimin e rripit të sigurisë.
Gjatë këtij aktiviteti, vetëm gjatë njëzet e katër orëve të fundit zyrtarët policorë kanë shqiptuar gjithsej tridhjetë e dy (32) gjoba ndaj pjesëmarrësve në trafik për mos vendosjen e rripit të sigurisë në mjet.
Me këtë rast Drejtorisë Rajonale e Policisë në Gjilan rikujton se bazuar në Ligjin për rregullat në trafikun rrugor;
· Në automjetin për udhëtarë dhe në mjetet transportuese, shoferi dhe të gjithë personat që gjenden në mjet janë të obliguar të përdorin rripin e sigurisë.
· Në rast përplasjeje, rripi i sigurisë pengon që personi të hidhet nga automjeti, duke ulur ndjeshëm pasojat e mundshme.
· Vendosja e rripit të sigurisë zvogëlon rrezikun e lëndimit apo vdekjes në rast aksidenti në trafik.
· Nëse një person i mitur që transportohet në mjet nuk e përdor rripin e sigurisë, përgjegjësia bie mbi shoferin e mjetit, i cili dënohet me gjobë prej 200 euro, masë mbrojtëse ndalim i drejtimit të mjetit me veprim motorik për 3 muaj, si dhe 2 pikë negative.
· Për mos vendosjen e rripit të sigurisë nga personat që gjenden në mjet gjatë lëvizjes, parashihet gjobë prej 150 euro.
Policia do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me aktivitete të shtuara të kontrollit në trafik në kuadër të operacionit ROADPOL, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe rritjes së sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion.




