Ajo është vetëm 15- vjeçare, por shihet si një ndër lojtaret më me perspektivë në futbollin femëror tek ne. Anita Sejdiu është emër i ri që me plot sukses po vije në futbollin femëror. Qysh e re, Anita kishte treguar talentin e saj në futboll, andaj edhe vendosi që të bëhet pjesë e KFF Intelektualet, ku mëton që të ndërtojë karrierën e saj. Edhe kryetrajneri Afrim Mehmeti flet fjalë miradije për Anitën, duke thënë se ajo është një futbolliste që premton, shumë e disiplinuar e zellshme dhe punëtore dhe nga e cila pritet shumë në të ardhmen.
I pari që kishte vërejtur talentin e saj ishte babai i saj Rexhep Sejdiu, i cili thekson se që në fëmijëri vajza e tij kishte treguar talentin e saj në futboll dhe fillimisht cilësitë e saja i kishte treguar duke luajtur me bashkëmoshatarët e saj të lagjes për të vazhduar më pas edhe në KFF Intelektualet. Anita pritet që së shpejti të bëhet një ndër sulmueset kryesore të ekipit të saj dhe të vazhdojë rrugën e dy bashkëlojtareve Antigona Behluli dhe Kaltrina Biqku, dy futbolliste që kishin shkëlqyer dhe tashti po provohen edhe nga klube evropiane.
Tashti, kur futbolli ynë edhe pranuar në arenën ndërkombëtare edhe Anita Sejdiu ka ëndrrat e saja, që një ditë të bëhet pjesë e ndonjë ekipi evropian, por e vetëdijshme se për të mbërritur majat e futbollit duhet shumë punë, Anita nuk pushon së punuari, duke qenë për çdo ditë me top, por edhe duke mos lënë anash mësimet.
Krahas shumë talenteve të reja që ka nxjerrë Gjilani, edhe një emër i ri shumë shpejt do të bëhet yll në futbollin femëror e kjo është futbollistja Anita Sejdiu që gjithsesi se do të trand portat kundërshtare.