Zgjedhjet Lokale 2025

Arbër Ismajli nga familja e profesorëve e patriotëve në fronin e garës për Gjilanin

Lidhja Demokratike e Kosovës ka shpallur zyrtarisht Arbër Ismajlin kandidat për kryetar të Komunës së Gjilanit në zgjedhjet e 12 tetorit. Me një karrierë të gjatë politike, një trashëgimi të fuqishme familjare dhe përvojë të dëshmuar në fushën e biznesit, Ismajli shihet si një ndër figurat më të forta dhe më premtuese për udhëheqjen e qytetit.

Arbër Ismajli, 44 vjeç, vjen nga një familje gjilanase me traditë të thellë në arsim dhe patriotizëm. Të dy prindërit e tij, profesorët Ruzhdi dhe Zizë Ismajli, gjithë jetën u kujdesen për edukimin e brezave të rinj. Profesori Ruzhdi, që u nda nga jeta në vitin 2006, njihet për kontributin e tij historik gjatë viteve të okupimit serb, kur hapi shkollën e Mjekësisë “Asllan Elezi”, duke arsimuar me qindra nxënës nga Gjilani, Kamenica, Viti dhe Lugina e Preshevës. Ai ishte po ashtu ndër themeluesit e LDK-së në Gjilan.

Nëna e Arbërit, profesoresha Zizë Ismajli, dha një kontribut të jashtëzakonshëm në gjimnazin “Zenel Hajdini”, ku për dekada me radhë edukoi gjenerata të tëra nxënësish.

Gjyshi i Arbërit, Shukri Ismajli, ishte një luftëtar i pathyeshëm për çështjen kombëtare, i burgosur dhe i torturuar disa herë nga regjimi serb, por që kurrë nuk u përkul. Ai mori pjesë në luftën e Kikës dhe për tri vite ishte shef i sigurisë në Aeroportin e Rinasit në vitet ’40.

Arbër Ismajli është i lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës që nga mosha 17-vjeçare. Ai u rrit me frymën e Ibrahim Rugovës, duke e parë politikën si shërbim për qytetarin dhe kombin. Në vitet e hershme u bë nënkryetar i Forumit Rinor të LDK-së, duke treguar aftësi të mëdha organizative dhe lidershipi.

Në karrierën e tij ka mbajtur edhe pozita të rëndësishme në qeverisjen lokale, përfshirë atë të shefit të kabinetit të kryetarit të Komunës Lutfi Haziri. Më vonë, si nënkryetar i Komunës së Gjilanit, la gjurmë të pashlyeshme sidomos gjatë kohës së pandemisë COVID-19.

Kur qyteti dhe e gjithë bota po përballeshin me një armik të padukshëm, Ismajli u dallua për menaxhim të jashtëzakonshëm. Ai qëndroi pranë qytetarëve ditë e natë, duke koordinuar ndihma dhe duke marrë vendime të guximshme për të mbrojtur shëndetin publik. Për këtë angazhim, qytetarët e nderuan me botimin e dy librave që përshkruajnë punën e tij të palodhur gjatë asaj periudhe.

Përveç politikës, Arbër Ismajli njihet edhe si afarist i suksesshëm. Ai ka menaxhuar me sukses biznesin e tij privat, duke dëshmuar aftësi të spikatura menaxheriale dhe vizion zhvillimor. Eksperienca e tij në sektorin privat shihet si garanci se ai di të menaxhojë me profesionalizëm edhe qeverisjen lokale, duke i dhënë Gjilanit një frymë të re zhvillimi ekonomik.

I njohur si politikan modern, Arbër Ismajli thekson katër shtylla themelore të vizionit të tij: drejtësi, zhvillim, solidaritet dhe sinqeritet. Ai beson fuqishëm se qytetarët e Gjilanit nuk duan autokraci, por një qeverisje demokratike, transparente dhe me standarde evropiane.

Modestia e tij është dëshmuar edhe në raste konkrete. Kur komisioni për emërtimin e rrugëve nga Komuna e Gjilanit, kërkuan që një rrugë e qytetit të mbante emrin e të atit të tij, profesor Ruzhdi Ismajli, Arbri refuzoi, duke thënë se nuk dëshironte që kontributi i prindit të tij të shihej si përfitim personal nga pozita publike.

Sot, si kandidat i LDK-së për kryetar të Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli paraqet një kombinim të përvojës politike prej gati tri dekadash, traditës së fortë familjare, profesionalizmit në arsim dhe suksesit në biznes.

You Might Also Like