Të dashur qytetarë,
Sonte dua t’ju drejtohem me shumë respekt, mirënjohje dhe falënderim të thellë për secilin prej jush që morët pjesë në zgjedhje, që kontribuat me votën, angazhimin dhe besimin tuaj.
Pavarësisht rezultatit përfundimtar, ju treguat një kulturë të lartë qytetare dhe demokratike që e nderon Gjilanin tonë.
Kjo ka qenë një luftë e egër politike, e shoqëruar me premtime për punësime e tendera, ku shpesh u përballëm edhe me ndërskamca politike që tentuan ta zbehnin përpjekjen tonë të sinqertë.
Megjithatë, ju qëndruat të bashkuar, të ndershëm dhe të vendosur deri në fund dhe për këtë ju jam përjetësisht mirënjohës.
Ishte një fushatë e ndërtuar mbi vizion, respekt e shpresë, dhe çdo takim, çdo dorë e shtrirë, çdo fjalë e mirë që mora prej jush do të mbetet përherë një motiv për mua dhe për ekipin tonë.
Në të njëjtën kohë, dua ta uroj zyrtarisht kryetarin z. Alban Hyseni për fitoren.
I uroj suksese në përgjegjësinë e madhe që ka përpara. Uroj sinqerisht që të punojë me përkushtim e ndershmëri për të mirën e qytetarëve të Gjilanit dhe që premtimet e dhëna gjatë fushatës të bëhen realitet në shërbim të qytetit tonë.
Ne do të mbetemi të përkushtuar për ta ndihmuar çdo nismë të mirë që i shërben zhvillimit të Gjilanit dhe jetës më të mirë të qytetarëve tanë.
Gjilani është shtëpia jonë e përbashkët dhe për të do të vazhdojmë të punojmë me shumë dashni, përgjegjësi dhe dinjitet.
Përgjithmonë i juaji,
Arbër R. Ismajli





