Arta Haziri Nuhiu, drejtuese e Organizatës Kulturore-Artistike “Mollëkuqet” është ftuar të jetë pjesë e Panelit të Jurisë në Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës “Tallinn Voice 2026”, i cili do të mbahet nga data 1–3 Maj 2026, në Tallinn, Estoni.
Një ftesë e tillë përbën një moment të rëndësishëm historik, pasi Kosova për herë të parë do të përfaqësohet me një delegacion zyrtar në këtë garë prestigjioze ndërkombëtare, duke dëshmuar talentin, profesionalizmin dhe potencialin artistik të vendit tonë në skenën evropiane.
Pjesëmarrja e znj. Arta Haziri Nuhiu në juri është një vlerësim i madh për punën e saj shumëvjeçare në promovimin e kulturës dhe artit shqiptar, si dhe një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të artistëve të rinj kosovarë në arenën ndërkombëtare.
Organizata “Mollekuqet” falënderon të gjithë bashkëpunëtorët dhe mbështetësit, ndërsa përgëzon delegacionin kosovar që do të përfaqësojë me dinjitet vendin në këtë festival të nivelit të lartë.





