Gjilan – Gjykata Themelore e Gjilanit, gjatë tremujorit të parë të vitit 2019, ka arritur të zgjidh numër më të madh të lëndëve, në krahasim me numrin e lëndëve të pranuara.
Kjo është bërë e ditur në një konferencë të mbajtur ditën e martë, nga Kryetari i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Ramiz Azizi, i cili ka shtuar se kjo Gjykatë ka trashëguar 17.356 lëndë, ndërkohë ka pranuar 3.111 lëndë, gjithsejtë në punë 20.467 lëndë.
Sipas tij, gjatë kësaj periudhe është arritur të zgjidhen 3.611 lëndë, ndërsa kanë mbetur edhe 16.856 lëndë në punë, shprehur në përqindje efikasiteti është 116 %.
Për më tepër ai ka shtuar se një prioritet i’u është dhënë lëndëve të vjetra.
“Gjykata jonë është angazhuar maksimalisht në zgjidhjen e lëndëve të vjetra, në mënyrë që palët mos të presin me vite të tëra, gjithashtu dhe lëndëve të natyrës së korrupsionit”, ka thënë Azizi.
I pari i gjykatës ka përmendur që shumë shpejt do të bëhet lansimi i vebfaqes së Gjykatës Themelore të Gjilanit, e cila vebfaqe do të jetë shumë më e qasshme në të dhënat dhe do të mbajë më shumë informata për Gjykatën.