Për herë të tretë në këtë kampionat, Ballkani e ka mposhtur Dritën, duke i marrë edhe kreun e tabelës dhe tashti një gjë është e sigurtë se në rast se në fund të dy ekipet kanë numër të barabartë të pikëve, Ballkani do të jetë kampionë. Mirëpo, deri në fund ka ende shumë lojë dhe gara është bërë shumë interesante për titull.
Një shok i vërtetë për FC Drita që në minutën e tretë, kur pas një kundërsulmi të shpejtë të ekipit vendas, topi erdhi në të majtë te Bleart Tolaj, i cili me një supergjuajtje mbi trupin e portierit Maloku e dërgoi topin në rrjetë, duke qëlluar këndin e epërm të djathtë.
Drita pati mundësi të barazojë në minutën 21, kur pas një harkimi të Besnik Krasniqit, në vijën e dytë më së miri u gjet Jorgo Pëllumbi që gjuajti me kokë, por që për pak nuk ia doli të realizojë.
Në një sulm të rrufeshëm në minutën 38, Ballkani sërish ka gjetur rrjetën e Dritës, kësaj radhe nëpërmjet Potokut, i cili gjuajti paksa nga e majta, por porta kishte ngelur e zbraztë dhe Maloku me gjithë se u hodh nuk arriti t’a ndalë gjuajtjen e tij për 2:0.
Në pjesëlojën e dytë Drita bëri presion drejt portës së Ballkanit dhe disa herë ishte në rast të mirë për të shënuar e ndër ta është dallur Abazaj, që në minutën 58 gjuajti nga largësia, por portieri Ilazi dëboi topin në fundore.
Në minutën 66, Xhovani Ribeiro me një veprim vetjak kaloi tërë mbrojtjen e Dritës dhe në fund vendosi të gjuajë nga largësia, por Faton Maloku me mund dëboi topin jashtë fundores.
Edhe në minutën 78, Ballkani ka shfrytëzuar mbrojtjen e ngathtë të Dritës dhe pas një kundërsulmi të shpejtë, Ribeiro ka shërbyer Kryeziun këmbëshpejtë, i cili i iku Bejtullait dhe kur doli para Malokut, me urti gjuajti për tokë dhe dërgoi topin në këndin e djathtë të poshtëm të Malokut për 3:0.
/kryelajmi.com/.




