Bedri Greca erdhi me bujë në klubin e SC Gjilanit. Greca si “Skifter” qëndroi vetëm gjashtë muaj. Mesfushori sulmues nga Tirana, është rrëfyer për largimin e tij nga Gjiani.
Ish futbollisti i Tiranës ka folur për rrethanat e largimit të tij të çuditshme nga klubi gjilanas, i cili e kishte transferuar me bujë të madhe dhe është në garë për titullin e kampionit.
Greca së bashku me Gerhard Prognin dhe Tomislav Busic formuan një treshe të rrezikshme për çdo kundërshtarë dhe në ditën e tyre më të mirë Gjilani fitonte ndeshjet me rezultat të lartë.
Megjithatë, Greca që nga fillimi i këtij muaji nuk është më pjesë e “Skifterave”. Sipas mesfushorit shqiptar është trajneri Gentjan Mezani që ka vendosur për ta larguar nga klubi, pasi i frikohet një futbollisti të kalbrit si Greca. “Nuk e di as vet pse trajneri vendosi të më largoj, ndoshta pa aftësia e tij. Ai i frikohet futbollistëve si unë”, filloi bisedën Greca për “Insportin.
Në vazhdim të bisedës, ai ka folur për qytetin dhe jetën në Gjilan, raportet me kryesinë dhe trajnerin.
“Gjilani ka problem brenda skuadrës, jo nga drejtuesit. Drejtuesit e klubit janë tejet korrekt. Me Mezanin kam marrëdhënie pune, asgjë më shumë”.
Greca thotë se Gjilanit i mungon përvoja në organizim dhe eksperienca në menaxhimin e futbollistëve, por në aspektin e financave janë në rregull.
“Në aspektin financiar janë për notën dhjetë. Edhe pse paga për muajin nëntor dhe dhjetor ende nuk më është dhënë. Por, kjo do të rregullohet shumë shpejtë”.
Mesfushori 29 vjeçar kaloi një periudhë të mirë me Gjilanin dhe është falënderues për gjithë shqiptarët e Kosovës. “Shqiptarët e Kosovës janë me të vërtetë shumë të mirë, një mikëpritje për të marrë shembull gjithë shqiptarët. Kam zhvilluar shumë ndeshje të mira, në veçanti në ndeshjet direkte me rivalët për titull, kam pasur edhe ndeshje të dobëta por ishin të pa rëndësishme, pasi në ato ndeshje ne fitonim pa ndonjë problem. Klubi i Gjilanit është një klub i mrekullueshëm, çdo kusht e plotëson me vullnetin më të madh”.
Për jetën në qytetin e Gjilanit deklaroi se është vend i jashtëzakonshëm për të jetuar. “Qyteti i Gjilanit është i vogël dhe i qetë. Ushqimi që më ka shijuar më së shumti është gjeli i shtëpisë”. Tifozët nga Kosova janë të dashuruar pas futbollit më shumë se tifozët në Shqipëri. “Skiferat” janë të çmendur pas klubit, të jashtëzakonshëm”.
Në fund Greca për Insportin deklaroi se ai do të kthehet në kampionatin shqiptar, por që nuk e mohoi kthimin në Superligë në të ardhmen. “Këtë sezon do ta përfundoj në Shqipëri. Në të ardhmen nëse më bëhet një ofertë serioze dhe me projekt afatgjatë do ta pranoja me kënaqësi”.
Franci Bode, agjent i futbollistit ka deklaruar Gjilani ia ka shkëputur kontratën një anëshmërisht.
“Gjilani ka shkëputur kontratën një anëshmërisht. Klubi shprehet që Greca nuk ka qenë në pritshmërit, ani pse klienti im ka një kontratë valide. Ndërsa, për financat kanë marrë parasysh dëmshpërblimet dhe e kanë përfunduar kontratën. Madje, e kanë gjobitur pa pasur ndonjë bazë. Vetëm në Shqipëri dhe Kosovë ndodhin këto gjëra”, deklaroi Bode për “Insportin”.
Greca për Gjilanin zhvilloi 14 ndeshje në Superligë duke shënuar tre gola. Nga 17 ndeshje, 16 herë ishte i grumbulluar në skuadër. 14 herë ishte titular, ndërsa vetëm dy ndeshje ishte në bankë rezervë.
Gjithsej në fushë minuta kishte 1,253.Ish numri shtatë i “Skifterave” shquhet për klasin e tij në fushë, me një zotërim të topit të mire dhe i qetë para portierit.Gjilani sezonin vjeshtor e përfundoi në pozitën e dytë me 32 pikë, vetëm dy më pak se lideri Ballkani.
Klubi gjilanas për zëvendësues të Grecës transferoi sulmuesin shqiptar, Sebino Plaku nga KF Llapi.
Mbetet të shihet në pjesën e dytë të kampionatit se a ka bërë lëvizjen e duhur trajneri Mezani me largimin e Grecës apo ka gabuar.