Shefqet DIBRANI
BEQIR MUSLIU, EMËR QË U SHNDËRRUAR NË DASHURI
Ramadan Mehmeti, “BALSAM ZEMRE, Mikut, Beqir Musliut”, poezi, botoi “ROZAFA”,
Prishtinë 2016. Faqe 106. ISBN 978-9951-02-317-7
Elozh për bardin e poezisë, mikun e veçantë
të dhembjes sime të thellë për të,
plot miradije dhe evari, Beqir Musliu.
(Autori), faqe 7.
Prologu: Çka mbeti nga kjo tokë, emri yt është dashuri
Poezitë e librit “BALSAM ZEMRE”, të Ramadan Mehmetit, janë poezi ndryshe nga ato që i kemi lexuar më herët nga ky autor. Thjeshtë, është mënyrë tjetër e shkrimit të poezisë, e rrëfimit poetik e artikulimit estetik, të dhembjes dhe të kujtimit. Ky përjetim kaq metaforik, për mua u rishfaq, duke pasur të freskët leximin e Librit “Orfeiana” të Beqir Musliut. Dhe sikur të mos ishte ndajshtesa “Mikut, Beqir Musliut”, në titull të librit, jo si prapashtesë e rrënjës, në kuptimin klasik të kësaj shprehjeje, por ndajshtesë në titull të librit, ku autori ka ndërtuar një trajtë tjetër kuptimore duke çartësuar qëllimin e këtij veprimi, do të hamendeshim sikur jemi duke lexuar përzgjedhje poetike. Kjo poezi, është strukturim brenda poezisë të të dy autorëve, kështu e ngjizur i ka specifikat e veta. Jo vetëm për ngarkesën e theksuar ideoemocionale dhe për vargun tejet të gjatë, praktikë e Beqir Musliut, por edhe për natyrën lirike të poezisë që kultivon Ramadan Mehmeti. Pastaj titujt e poezive duket se janë të huazuar, paraqesin formë tjetër shprehëse edhe pse tekstualisht janë identike me ato të Beqir Musliut. Futja në kllapa, dhe shumë shprehje të huazuara, qofshin figura mitologjike nga antikiteti ose fjalëformime të rralla, janë shndërruar në figura stilistike, me të cilat poeti ka arritur të riaktualizoj suksesshëm mënyrën e kujtimit për Beqir Musliun. Kujtesë kjo estetike, mallëngjim epik i figurës së Poetit, në njërën anë, kurse në anën tjetër dëshmojnë njohjen dhe afrinë në mes dy miqve dhe krijuesve letrar. I gjalli ka shkruar homazhe për tjetrin i ngritur dhe lartësuar në piedestal.
Drama poetike dhe tragjikja si dhembshuri letrare
Tragjikja në këtë poezi dhe drama e poetit, të hamendëson për thellësinë e poezisë, sidomos struktura e vargut, dhe nëse jo për gjë tjetër, për formën e krijimit të krijon shijen e poezisë së Beqir Musliut, mënyrës së të shprehurit dhe të thellësisë së mendimit që posedonte ai.
Alo? Alo? – Moska? Recepsioni i Spitalit Fjodorov?
– Urdhëroni, zotëri, kë keni mendjen të keni pas kufjes?
Doja shkrimtarin nga Kosova, Beqir Musliu, ju lutem!
– Beqa jam! Beqa, o Ramooo! Beqa vetë, unë jam,
Por nuk jam më ai që dikur isha! Kam tretë!
Poezia, (BOTA PA TRU), faqe 15.
Vertetë duke lexuar këtë poezi, të tërën, gjaku të bëhet trombozë dhe vetëm pas pak kupton për dhembjen e poetit, për mallin që ka ai dhe për kujtimin si akti më sublim i këtij përkushtimi. I tërë libri është dialog në mes vetes dhe poetit i cili tashmë nuk është në mesin tonë! Nota rrëqethëse, përjetim tronditës dhe njëkohësisht vargje mahnitëse e purpurore do të thoshte vet Beqir Musliu, po sikur të ishte gjallë.
Libri “BALSAM ZEMRE”, ndahet në katër ndarje: Para-cikël. Çka mbeti nga kjo tokë, emri yt është dashuri, përkushtim për Beqir Musliun. Në vijim është poezia (MBRËMJA E DHEMBJEVE), që mbetet testament rrëfyes për dhembjen-dashuri dhe përjetimin si akt lirik. Cikli I. Fillimi i Portave të Hapura të Dramës së Madhe, me nëntë poezi. Cikli II. (Të Mplaken Tëra Stinët në Vrer, Dua Këtë Mëkat!), me trembëdhjetë poezi, dhe Ciklin III. Udhëtimi i Shkuljes së Kamxhikut nga Dora e Zotit, me njëzetë e katër poezi. Pastaj është botuar një “Monolog ose Letër Mikut në Amshim”, (faqe 67-79), si dhe fjala e poetit, (Ramadan Mehmeti), me rastin e marrjes së Çmimit Letrar “Beqir Musliu”, (faqe 81-83). Libri është përmbyllur me shënimin e kritikut Ramadan Musliu, “Ringjallja e meomories poetike”, (faqe 85-96).
Tërësia fisnikëron mesazhin dhe qëllimin poetik
Kjo poezi është konceptuar si një tërësi motivore, sado që është ndarë në njësi ciklike. Të tëra poezitë kanë të njëjtin komunikim intim, d.m.th. bashkëbisedim përtej të zakonshmes, kurse ligjerimi ka dalë mjaftë i kompletuar edhe pse me tensione të dhembshme suksesshëm ka artikuluar mesazhin e gjithmbarshëm, po më shumë qëllimin e poetit. Poeti, kryesisht ka folur në vetën e parë, kuptohet me tjetrin që nuk është më, praktikisht është AI të cilin poeti mëton ta ringjallë, të paktën përmes poezisë. Përpjekja lirike për ta rikthyer Poetin-Mik, në njëzetë vjetorin e ikjes në amshim, (Qershor 1996 – Qershor 2016), është artikulim metaforik i vargut poetik, dhe në formën e monologut me subjektin, nga i cili pret zërin për t’iu përgjigjur është ndjenjë përjetuese. Prandaj kjo qasje poetike mëton për ta kthyer kujtimin për Mikun-Poet, dhe për ta vrarë harresën e bezdisshme. Kjo metaforë shpreh edhe ndjesi, por edhe dhembje, në anën tjetër kujtimin nuk e paskan zbehur as vitet që kanë ikur:
Dhe shkove në udhëtimin e dytë, acari shpirtin më përcëllon,
Për biografinë tënde që e kam dhe nuk e kam, bie sa shi!
Arin tënd dhe zemrës sime që po merr, Tokës po ia kthej,
Pirgje eshtrash të çlodhur, sa rrugë e gjatë akoma na pret!
Poezia, (SHISHJA E ZBRAZËT), faqe 28.
E nëse me syrin kritik e shohim të vërtetën e harresës mëkatare, duket mallkim (Anatemë), kurse poeti është i pafuqishëm për ta ndryshuar realitetin dhe ky abstraksion, qoftë metaforik ngërthen refleksionet e përjetimeve të brendshme shpirtërore, qoftë edhe ndijim i imagjinuar, poezitë janë homazhe, janë përkushtime të përjetuara thellë.
Imagjinata e kësaj poezie, përfytyrohet si një shtegtim nga realja tek irrealja dhe nga antikiteti mitologjik, poezia strukturohet si botkuptim i dhembjes dhe përjetimit real, kurse metamorfoza është realizuar nëpërmes zhgënjimit (lirik), dhe ky përfytyrim i imazhit është komunikim real, gjegjësisht bashkëbisedim me njeriun e dashur dhe të adhuruar. Ky varg me këtë dendësi figurative, me simbolikë të tragjikës, me fuqinë shprehëse tejet të fuqishme, ka krijuar situata emocionale me efekte dhe kuptime të shumta. Poezia si tërësi, por edhe veç e veç, shpreh homazh të drejtëpërdrejtë dhe i dedikohet personit të caktuar, poetit Beqir Musliu. Ndërsa si libër-homazh, është realizim i realizuar kujdesshëm, madje të bëhet sikur është një pamje tjetër e poezisë origjinale të Beqir Musliut.
Lumturi e botës, Fushë Korb kacekësh me verë pallatesh,
Për mëkatet e pabëra të jetëve që s’i kryem dhe i kemi,
E muzat janë zgjuar më kot edhe në këtë përdëllim
E tani dhembja në heshtje ëndrrat na i gëlltitë.
O Zot, po pse poetët varur ke në pasqyrat e pusit?
Po pse varur, o Zot, në faqjeta turbull të qetësisë së zezë?
Deltë moçalore syri i lotëve, mbush një lumë, zbraz një det,
Horri i horrave sot ky diell, do t’na zhdukë për fare.
Poezia, (KËRKOJ MISHIN E GRIRË), faqe 30.
Drama poetike e Ramadan Mehmetit, thuret përmes vargjeve, të cilat janë mjaftë të ngarkuara me fjalë e shprehje me ndjenja të përziera dhe prej kohësh të shkruara në mendjen e poetit, e si vetëdije krijuese ka ndikuar në induksionin e rrjedhës, prandaj edhe poezitë paraqesin një pamje të bruztë por që lënë shije të bukur artistike kjo s’ka dyshim. Ky procedim lirik nuk mund të bëhej ndryshe, përveçse të shprehte kështu këto imazhe artistike, me estetikë mirë të realizuar.
Vet Ai dhe Uni i Tij Personal
“Fantazia e zbriti qiellin n’kokën e korbit t’zi
Kush e shpëtoi zogun nga hiri, ja: ai u kthye n’hi”
Sa keq sëmbimet në zemër, dola nga nata pabesë,
Që na kishte mbetur një ditë më parë në harresë!
Poezia, (ÇELËS QYTETI I DHANË), faqe 41.
Purpuri, metafizika, darka e magjisë, anatema, libri i anatemave, alkimia, bukuria e zezë, fusha-lulegjak, orfeumi etj, janë disa shenja – simbole që përafrojnë këtë poezi me atë të Beqir Musliut duke e bërë bashkëbisedimin edhe më të afërt dhe shumë më përjetues, mbase edhe estetikisht i barasvlerëshëm. Poezia e Ramadan Mehmetit, për kah figurshmëria, simbolika e metafora është një varg poetik me përbërje heterogjene dhe me mundësi zgjerimi të shprehjes artistike të vargut estetik, në kuptimin më pozitiv të kësaj shprehjeje letrare. Natyrisht se poeti ka qenë i vetëdijëshëm se duhet gërshetuar vlerat dhe duhet aspektin estetik përafruar, për të mos thënë, vazhdimësi e asaj ku vdekja ia ndërpëreu Beqir Musliut.
Përderisa bukuria hante kufomën në Gjilan,
Aty ku dergjej Gjergj Elez Alia në një trapazan;
Përderisa vdekja përsëritet në Alkimi apo në një Art
Në Fushë Korb Mirusha mbledh gjymtyrët, loton gjak
E në fundin e këngës t’varur mbetën ca fyelltarë,
Më kot e rreni botën pas ndriçimit, këngëtar.
Poezia, (TË ZHDUKET QETËSIA E VDJERRË), faqe 35.
Është theksuar se Libri “BALSAM ZEMRE”, është homazh për poetin Beqir Musliu, është përkushtim poetik, i rrallë dhe i vështirë për t’u realizuar. Ky homazh letrar e poetik ngërthen në brendësinë e vet vlerën humane dhe artistike të cilat kanë ndërtuar një poezi, estetikisht mirë e realizuar, që do të mbetet uvertyrë e rrallë, për autorin, dhe gjithsesi e vetme e këtij niveli artistik. Ky rikujtim, sakaq lexuesin e kthen për dy dekada prapa, dhe ata që e mbajnë med Beqir Musliun, libri i Ramadan Mehmetit, është portreti më real, është fytyra poetike e Tij, dhe kështu si strukturë duket sikur është një komponentë e poezisë së Beqir Musliut. Ky vizion poetik është qasje e re e Ramadan Mehmetit, të paktën kështu duket te të gjithë ata që kanë lexuar në mënyrë fragmentare dhe të seleksionuar poezinë e tij. Ky inspirim poetik e ngrit nivelin e poezisë së Ramadan Mehmetit, i cili ka arritur të futet thellë në imagjinatën e Beqir Musliut, ndërsa bashkëbisedimi është një formë e monologut në të cilën është futur Vet Ai dhe Uni i Tij Personal. Njëri flet në vetën e parë dhe tjetri përgjigjet nga veta e tretë, me mundësi të ndërrimit të pozitave dhe vetave folëse. E kjo sinkroni është realizuar në saje të njohjes së monologut si krijim dramatik. Sidoqoftë kjo sprovë ka dalë e suksesshme dhe është tabllo lirike ndër më të bukurat që dikush i ka kushtuar mikut të vet.
Asgjë s’pipëtinë në këto lirika
Libri “BALSAM ZEMRE”, shquhet edhe për motivin lirik. Imazhe poetike që paraqesin ndjenjën e brendshme të poetit, zjarrminë e dhembjes së Ramadan Mehmetit. Frymëzim poetik me metaforë të realizuar mirë, me figura poetike e tematike që përputhin dhembjen e përpjekjen, si dy konfiguracione të ndryshme të të njejtit trup, që bashkërisht paraqesin origjinalitetin e konceptit poetik të realizuar suksesshëm. Në anën tjetër përjetohet si motiv pikëllues që shpreh dhembje shpirtërore për POETIN, veçmas për ndërprerjen e vijes krijuese të Beqir Musliut.
Lulegjaku venit në Fushë Korb, zjarr plasi mërzisë
Edhe varrtarët mihën eshtrat në Kodër të Livoçit,
Qentë e sallhaneve ulërijnë në kaq e kaq çmendi,
Gjilani nuk fle, së kërkuari “Mbledhësin e purpurit”.
Shërbëtorët e hyjnisë veshur me uniformë të përhitur
Nga pikëllimi hynë në poezinë tënde antike, Imzot
Që i ka rrënjët e gjakut të madh në “Darkën e Magjisë”,
Koka e ditës prapë, një gur i çmuar boje qielli sërish.
Poezia, (ASGJË S’PIPËTINTE NË FUSHË KORB), faqe 43.
Kështu, Ramadan Mehmeti, ka ndërtuar platformën e qasjes dhe të tematikës e cila këtë poezi e identifikon me Tjetrin, qoftë për ndikimin që ka ushtruar poezia e Beqir Musliut, ose për vetë afrinë e niveleve nga ana e Ramadan Mehmetit me poezinë e të parit. Unë jam i prirur për t’i besuar të dytës, pasi shihet se poeti ka qenë i preokupuar për ta ngritur nivelin e poezisë, qoftë duke shkruar vargjet e gjata, pak a shumë strofat e rregullta, si dhe për mjaftë figura letrare e stilistike të riaktualizuara por të cilat e kanë pas bërë të dallueshme poezinë e Beqir Musliut. Këto shenja, në këtë libër kanë ardhur si përsëritje të qëllimshme, veti dhe vlerë që e ka ndjekur poeti në rrugën e tij të gjatë letrare e poetike. Gjithsesi si tërësi tematike, poezia shpreh ndjenjën dramatike dhe emocionale në njërën anë, kurse në anën tjetër, janë risi e ardhur në librin e poetit Ramadan Mehmeti.
Nuk e shqit nga mendja rastin kur dy duart tuaja
Shtrëngoja fort e po më mbaje me çaste të fundmë.
Shihja vendimet pellazge kështu mbi kufijtë e lashtë,
Kali që po shihte dy sterlina e s’po hante dot bar.
Poezia, (DAMARËT E BIMËS), faqe 63.
Poezia materializon përpjekjen e Ramadan Mehmetit, qëllimin artistik të cilin e ndeshim në këtë libër, e shkruar sipas mbamendjes së atyre viteve kur poeti shkoi drejt qiellit, sigurisht për ta vëzhguar, pastaj poezinë e tij në rrafshin tokësorë, duke shprehur edhe dëshpërimin e vet për atë pak gjë që u bë për Beqir Musliun. Drama rrëfen fatin e poetit i cili u shkëput si metor per t’u ngjitur lartësive dhe në anën tjetër shpreh edhe dhembjen e Njeriu të gjallë, Ramadan Mehmeti. Mbase kujtesë kjo më shumë se artistike përmes së cilës shpreh tragjikën e dhembjes për poetin si qasje ekzistenciale e kultit poetik.
Ishe duke më shikuar, o Beqir Musliu,
ma tërhoqe vërejtjen se nuk jam në jermi,
si mbretëri kafshësh e robërish në jerevi, jo s’do të t’jemi.
M’përkujton kambanore takimesh të Tarabulluzit.
Poezia, (NË FAQE SHKËMBI), faqe 65.
Të gjitha nuancat janë përafruar me ato të Beqir Musliut, siç e theksuam edhe më parë jo vetëm thurja e ndërthurja tematike e strukturore por edhe thellësia e frymëmarrjes dhe ajo e përjetimit artistik të shpien në këtë drejtim. Ky peizazh figurativ është epikë e këndimit, vaji i poetit për mikun poet tashmë i lartësuar në qiej dhe nga atje dëgjon gjëmën e dënesjen e zëshme të Ramadan Mehmetit, ndërsa përjetimi i këtij ndijimi artistik kollaj dallohet nga leximi i kësaj poezie.
Epilogu: Bardi i Poezisë Moderne Shqipe – Beqir Musliu
Beqir Musliu, edhe tani është Bard i Poezisë Moderne Shqipe. Poezitë e librit janë shtegtim metaforik, janë tekst i dendur i poezisë së Ramadan Mehmetit, por përbëjnë motive tematike të dallueshme dhe njëkohësisht janë edhe imazhe që paraqesin zymtësi të theksuar, që duken nga poezia në poezi, nga vargu në varg, si të themi, një frymëmarrje dramatike e llojit të vet. Poezitë e librit “BALSAM ZEMRE”, përkushtime për “Mikun, Beqir Musliu,” pa dyshim se kanë rikthyer vëmendjen dhe kujtimin te poeti, kurse poezia identifikon mënyrën e shkrimit të lartë estetik, dhe njëkohësisht dëshmon edhe për sinqeritetin e autorit për mikun e vet. Vargjet nuk do të dilnin me këtë afsh pa i përjetuar thellë në zemër, prandaj edhe vlera e tyre estetike ka burim brendësinë shpirtërore të Ramadan Mehmetit, për Bardin e Poezisë Moderne Shqipe, siç e quan ai Maestro Beqir Musliun, por dëshpërohet kur “Ditën e dytë lindën Zotin, ditën e parë zhdukën poetin”, (faqe 54), dhe krejt në fund dëgjohet edhe klithma: Eh, “Udhë të Madhe udhëton Maestro i rrallë”, (faqe 57).
St. Gallen, 25.03.2022.
Shefqet Dibrani