Teatër

BUNCERS

Shkruan: Shemsi Doda
BUNCERS
Regjia: Kastriot Saqipi
Aktorët: Bleron Hevziu, Erion Fetahu, Elza Krasniqi, Muhamed Tërtini
Skena e tatrit të Gjilanit sonte priti shfaqjen musafire nga Prishtina.
“Bouncers” është një term që i referohet rojave të sigurisë nëpër klube, lokale nate e evente — njerëzve që mbikëqyrin hyrje-daljet dhe ruajnë rendin. Pikërisht me katër të tillë, Kastriot Saqipi e nis rrëfimin e tij për një “klub nate” ku të rinjtë e të rejat vijnë në kërkim të zbavitjes, aventurës dhe përvojave që sjell nata.
Regjia e Kastriotit, e ndërthurur me elemente dinamike të aktrimit, na e tregon një natë të vetme në këtë klub, parë nga këndvështrime të ndryshme: nga rojat, vajzat dhe djemtë që frekuentojnë lokalin. Rrëfimi ndërtohet në mënyrë të sekuencuar, me situata që ndërlidhen natyrshëm dhe krijojnë një tregim të plotë, ritmik e herë-herë humoristik.
Rolet janë të punuara me impenjim për t’iu përgjigjur kërkesave regjisoriale. Ndërrimet e shpejta të karaktereve krijojnë shumëllojshmëri dhe energji në skenë. Megjithëse ka elemente kreative dhe një përpjekje të dukshme për transformim, duket se aktorëve ende u mungon përvoja e mjaftueshme për ta finalizuar plotësisht këtë tjetërsim të menjëhershëm — diçka që me kohë e praktikë mund të thellohet edhe më mirë.
Skenografia është minimale: një “pult” që shërben njëkohësisht si dhomë ndërrimi, vend loje, dhe pikë qendrore ku zhvillohet gjithë rrëfimi. Thjeshtësia e saj funksionon si udhëzues vizual dhe praktik.
Kostumet: Fillimisht uniforme për të gjithë, që krijojnë kodin themelor të personazheve. Më pas, veshje të larmishme që na prezantojnë tipologjitë e vajzave e djemve të këtij realiteti të natës.
Dritat dhe Muzika janë të punuara me kujdes: dritat theksojnë momentet kyçe të skenave, ndërsa muzika krijon atmosferën e duhur që mbështet energjinë e shfaqjes.
Publiku e përcolli shfaqjen me vëmendje dhe e duartrokiti me meritat që i takonin.

You Might Also Like