Meti REXHEPI
ÇËSHTJET TEORIKE SI UDHËRRËFYESE MBIZOTËRUESE E PËRKUFIZUESE
Arsim Halili, RRËFIMI POETIK NË TRI ROMANE TË ANTON NIKË BERISHËS (Studim) Shtëpia botuese Beqir Musliu, Gjilan 2024
Pas një përvoje përfitimesh nga ligjëratat universitare dhe kërshëria e zgjuar për këtë fushë studimesh, Arsim Halili i hyri studimit “Rrëfimi poetik në tri romane të Anton Nikë Berishës”, ku vështron romanet “Bimorja”, “Gjin Bardhela i arbresh – Etja e gurëzuar” dhe “Ferri i lodhur.”
Autori i kësaj ndërmarrjeje studimore ç’prej nismës ishte i vetëdijshëm për peshën e objektit që mori për ta trajtuar, prandaj shfaq kujdes për hyrje në një fushë me shtigje jo fortë të rrahura nga kultura jonë e studimeve teorike. Guximi i autorit nuk është i vogël, po është i denjë për t’u çmuar. Që një pohim i këtillë duhej të zinte vend këtu, kam parasysh shkrimtarin në cilësi të dyfishta, Anton Nikë Berishën, si romancier dhe si personalitet me profil të përkushtuar të studiuesit e ligjëruesit, madje dhe të një teoriku të letërsisë në kulturën tonë letrare.
Në hyrje të studimit autori thekson sinqerisht vështirësinë për sprovimin e kompetencës së tij argumentuese: “Tri romanet “Bimorja”, “Gjin Bardhela i arbresh – Etja e gurëzuar” dhe “Ferri i lodhur” nuk janë të një linje, as narrative, as tematike, as hapësinore e as kohore, prandaj do të duhet që në optikën e trajtimit të tyre të mos rrëshqas në humbëtirë...[1]”.
Reflektimi i këtillë i ngjan një monologu që del tej vetvetes, ngase shpërfaq një përballje jo të rëndomtë, që kërkon përmbajtje objektivash të qëndrueshëm, për të mos iu shmangur dëshmive të rrafshit teorik dhe konstatimeve përkuese me tekstet poetike të romaneve të marra për shqyrtim. Kuptohet objekt shqyrtimi është gjithnjë rrëfimi poetik në tri romanet e lartpërmendur, analizat rrëfimit – narrativës, kuptimet e imëta dhe të gjera në çështje të diskursit rrëfimtar, pleksjet e botës së personazheve me një varg përbërësish të atillë që ngërthen kategoria përshkuese e lëndës letrare-artistike. Pra, rrëfimi apo ana rrëfimtare në prozën e gjatë është skeleti i të gjitha hallkave që prodhojnë reflektime kuptimore e ndjeshmëri të gjendjeve e kontrasteve shpirtërore në tekstin e një romani.
Studimin e tij për tri romanet e Anton Nikë Berishës, Arsim Halili e strukturoi në tetë kapituj përmes së cilëve iu mundësua qasja për t’i spikatur çështjet e përgjithshme dhe veçantitë rrëfimtare në romanet e ngërthyer me dendësi pleksjesh narrative dhe të përmasës poetike. Autori është i vetëdijshëm se për t’i veçuar ngërthesat rrëfimtare të ndërfutura në stilin e në të shprehurit metaforik të një shkrimtari me talent dhe përvojë tashmë të dëshmuar, studiuesit i duhej shtruar metodologjia e depërtimit në botën artistike dhe kuptimore të përmasave të ndryshme, me të cilat ndërthuret jo thjesht kategoria thelbësore e rrëfimit. I ndodhur në një fushëveprim teorik, mbase për autorin ishte e pashmangshme kërkim-ndihmesa e disa prej studiuesve shqiptarë, që kishin dhënë prova në këtë fushë dhe, të cilët autori i citoi me besnikëri si mendime të literaturës ndihmëse.
Përvojat nga këndvështrimet e autorëve shqiptarë, që trajtuan diçka nga krijimtaria e pasur e shkrimtarit dhe e kritikut letrar A. N. Berisha, autori nuk kishte si mos t’ua tumirte pikëpamjet e pikë-puqjet e Adriatik Kallullit, Anton Çefës, Prend Buzhalës, Albana Aliut, Isak Ahmetit, Sherafedin Kadriut, Timo Mërkurit, Mikel Gojanit…
Jashtë sferës së ngushtë të dijes sonë Arsim Halilit i shërbyen teorikët e letërsisë së huaj, që përfaqësojnë qasjet, të themi shteruese, të dijes për artin e rrëfimit në prozën e gjatë. Themeli i studimeve për artin letrar është te “Poetika” e Arstotelit, duke vijuar përthellimet te teoricienë bashkëkohës si Linda Huteheon, David Lodge, Mieke Bal, Gerard Genetie, Roland Barthes, Danko Gërliq e të tjerë.
Lagjes së studiuesve dhe mëtuesve shqiptarë për rrekje diskurseve teorike përkitazi me letërsinë shqiptare, shqyrtimeve të dukurive poetike, letrare – estetike, koncepteve për kapje analitike e sintetike në akëcilën vepër artistike, në këtë rrjedh për prozën artistike të shkrimtarit A. N. Berisha, përkufizimet e dijes botërore moderne, kësaj lagjeje ende do t’i mbetën busulla orientuese dhe konceptuale. Një standard i tillë për zbërthimin e dukurive ose të fenomeneve të sferës poetike pashmangshëm do t’i mundësojë edhe studiuesit Arsim Halili që ta gjejë emëruesin e përbashkët, por tashmë nga të dhënat e prozës artistike shqiptare për dukurinë e rrëfimit.
Duke pasur parasysh rrafshin e lartë të ngjitjes teorike, Arsim Halili nuk mëtoi t’i hyjë i vetëm aventurës dhe, gjithsesi, mbështetet në rezultatet e kërkimeve të studiuesve të tjerë; prandaj udhëhiqet nga moria e citateve të gjata, të cilët i hasim në tërësinë e studimit të tij prej njëqind faqesh “RRËFIMI POETIK NË TRI ROMANE TË ANTON NIKË BERISHËS.”
Nga pikëpamja e gjatësisë së citateve, që në një studim vetjak i mëtimeve shkencore kap vetëm të faktuarën e nevojshme, përderisa këtu shohim një vartësi të gjerë që duhej reduktuar. Sa për ilustrim: vetëm një citat i studiuesit arbëresh Françesk Altimari zë hapësirën prej tri faqesh.
TETË KAPITUJ TË ANALIZËS PËR RRËFIMIN
Në kapitullin e parë të librit studimor për autorin e këtij libri janë me interes mendimet për prozën e A. N. Berishës nga albanologu Françesk Altimari, pastaj të Domenico Carradini H. Broussard, qasja e shkrimtarit italian Dante Maffia, si e shohim në pohimin e tij të shkëputur “…por ajo që më intereson më tepër është vënia në dukje të shtresëzimit poetik të krijesës së tij të lartë artistike e artit të vetëdijshëm të vështrimit të argumenteve nëpërmjet sugjerimit poetik, por, në të njëjtën kohë, pasional e analitik”.
Në kapitullin e dytë autori, gjithnjë i prirë nga literatura e shqyrtimeve të teorisë trajton kodet poetike në prozë, por duke mos iu shmangur teksteve të tri romaneve të A. N. Berishës “Bimorja”, “Gjin Bardhela i arbresh-Etja e gurëzuar” dhe “Ferri i lodhur.”
Kapitullin përkatës e përshkojnë tërësisht vështrimet analitike që vënë në pah kode poetike, duke i ilustruar me shembuj përkatës nga romane e përmendur, artikulimet e ligjërimit për ngërthesat e ndryshme të tekstit, intertekstualitetin dhe llojet e palimpseseve apo palimpsesualitetit, që teoricieni francez Zherar Zhenet kishte veçuar pesë tipa të tillë.
Në përkim me kërkimet e kodeve të traditës në tekstin shkrimor të romanit “Gjin Bardhela i arbresh – Etja e gurëzuar”, autori veçon metatekstin dhe lidhjet metatekstuale, mandej përbërësin tjetër të tekstit rrëfimtar me anë të mbi-tekstit nga tragjedia antike e tipologjisë së Eskilit, në vijimësinë e dramës bashkëkohore të teatrit shqiptar.
Autori i trajtesës për rrëfimin poetik në tri romanet e A. N. Berishës shpalos ndërliqësi pleksjesh në paraqitjen rrëfimore, ku puqen një varg vërtetësish të realitetit poetik: jeta reale me jetën fiktive, e ndodhur e të ngërthyer në kode poetike.
Pa dyshim vepra e mirëfilltë artistike arrin t’i shkrijë brenda qenësisë së vet të ndodhurën jetësore dhe fiksonin, pra, në shtrirje kohe, hapësirë dhe histori; përderisa te romani “Gjin Bardhela i arbresh – Etja e gurëzuar,” tejkalohet kohezioni i kronologjisë përmes paraqitjeve hipertekstuale të trazirave shpirtërore të personazhit.
Në vijimësinë e shqyrtimit të veçanësive të rrëfimit në kapitullin e tretë të librit studimor të Arsim Halilit, gjithçka lidhet me përbërës të kategorisë rrëfim. Autori përdor terminologjinë teorike që i ofrojnë të dhënat e teorikut Gerard Gennet, si tipat e rrëfimtarit jashtë procesit të rrëfimit të ngjarjes të emërtuar ekstradigjetik dhe, tipin e narratorit brenda ngjarjes që rrëfen ose intradigjetik.
Këto përimtime teorike e thellojnë studimin për rrëfimin, që përmban skeletin e secilës prozë të gjatë artistike; një varg segmentesh tjera, që do t’i veçojë në kapitujt vijues të librit.
Në qasjen e tij shqyrtuese për rrëfimin në tekstin e prozës së shkrimtarit A. N. Berisha, Arsim Halili do të hasë gërshetime epike-lirike, kapërcime kohore dhe hapësinore, monologë dramatikë e ngushtica shpirtërore, idhujtari e mitologji, reflekse të heshtjes së kallur, zjarrmi figurative deri te detajet e shortares… Të gjithë këta përbërës jetësorë e figurativë, të gjitha tablotë përfytyruese të dhimbjes dhe të mallit, të pengut shpirtëror mes engjëjve dhe djajve lidhen nëpërmjet një skeleti që emërtohet thjesht rrëfim ose narrativë e romanit.
VEÇANTITË E RRËFIMIT METAFORIK
Në këtë ndërliqësi analitike e konstatuese përimtohen relievet e konflikteve rrëfimore dhe jo rrëfimore, motivimet, llojet e motivimit duke i nënvizuar me shkëputje tekstesh nga tri romanet të shkrimtarit. Rrëfimi brenda vetës ngërthen edhe retorikën e përshkrimit dhe stilin e të shprehurit figurshëm; haset dendur në tekstet e romaneve: “Bimorja”, “Gjin Bardhela i arbresh – Etja e gurëzuar” dhe te “Ferri i lodhur.”
Te këto romane më e theksuara paraqitet metafora. Roli i saj, i metonimisë dhe i krahasimit (ku e ku krahasimi merr funksionin e metonimisë) janë caqe të trajtimit në kapitullin e katërt të kësaj vepre studimore. Autori është i përkujdesur që ilustrimet e nënvizuara të tekstit u ngjajnë shembujve shkollorë, për të lehtësuar njohuritë themelore duke i veçuar elementet telegrafike nga ngjyrimet me ndjeshmëri artistike e stilistike.
Me përmasën kohore të kategorisë së rrëfimit merret kapitulli i pestë i studimit. Përmasa e kohës në rrëfimin artistik është kategori komplekse dhe nuk mund të vështrohet vetëm nga këndvështrimi i retrospektivës, qoftë si përmasë lineare, qoftë e copëzuar, e nisur nga një pikë përkuese në histori dhe, me shtojca socio – filozofike dhe artistike. Koha e rrëfimit artistik i shmanget diskurseve të dijes, që e zbatojnë shkencat e natyrës, por duke e parë në këtë pikëpamje, më së miri e pasqyrojnë trajtimin e faktorit kohë rrëfimi në tri romanet e Berishës.
Romancieri Berisha nuk përfill saktësi të rrëfimit që lidhet me data të caktuara. Teksti, reflektimet e nëntekstit, ngjarja, konfliktet e personazheve, fryma, niveli kulturor përcaktojnë ngjarjen e caktuar.
ZËRI RRËFIMOR
Meqenëse studimi i natyrës së këtillë kërkon përmbushje të argumenteve në mënyrë përimtuese, autori shtron konceptimin e kohës së rrëfimit, mandej rendin rrëfimor, teknikat e rrëfimit e të kohëzgjatjes, më dendur përmes analepsës, si mundësi e prapakthimit të rrëfimit dhe prolepsës, ecjes së rrëfimit përpara, që ka një paraqitje më të rrallë si teknikë e rrëfimit. Rrëfimi si kategori themelore e prozës artistike shfaqet përmes zërit rrëfimor. Zëri rrëfimor ka pamjen e jashtme ose të shprehur me termin teorik fokalizatori dhe, me zërin e brendshëm të subjektit rrëfimtar. Bashkimi apo bashkërenditja e këtyre zërave: autori, rrëfimtari dhe personazhet përbëjnë polifoninë e romanit.
Më tej autori Arsim Halili thekson që në romanet e A. N. Berishës zëri rrëfimor “del kryesisht në vetën e parë dhe në vetën e tretë[2]”.
Si përmbyllje e konstatimeve të tilla fare të dukshme, A. Halili në romanet e A. N. Berishës vëren përqendrimin rrëfimor kryesisht “si zëra tekstualë dhe intertekstualë e që ky zë bartet përmes personazheve protagonistë dhe jo protagonistë[3]”.
Në kapitullin e gjashtë të studimit për rrëfimin poetik në prozat e gjata, gjithsesi zë vend hapësira vepruese, përshkrimi apo përshkimi i hapësirës, pamjeve, veçimi i tundimeve shpirtërore, tipizimi i mjediseve, i viseve, i eksteriorit të shtëpisë, dhomës, të kishës, të qelisë së burgut, të shpellës… në romanin “Bimorja”
Format ligjëruese të përshkrimit trajtohen në kapitullin e shtatë të librit.
Duke pasur udhërrëfyes analizat dhe sintezat studimore të teorikut Gerard Genette, Arsim Halili sheh të spikatura tri gjendje të diskursit të shqiptuar përmes personazhit: ligjërimin, diskursin e “rrëfyezuar.” (Kjo fjalë nuk di a mund të ishte shprehje për të saktësuar përtrollitje të kontekstit të diskursit?), (Vërejtje ime); ligjërimin e zhvendosur në stil të zhdrejtë, formën mimetike.
Duke veçuar funksionin e përemrit në rrëfim, studiuesi Halili në prozën e romaneve të A. N. Berishës vëren dallime, kur për shkaqe të shmangies së përsëritjeve të emrave të personazheve, emrat duhej zëvendësuar me përemra vetorë. Kështu autori vë në pah një përdorim fare të vogël: “Në këtë rast shihet se kryesisht përdoret përemri vetor në numrin njëjës, veta e parë, e dytë dhe tretë në rasën emërore dhe veta e dytë në rasën kallëzore[4]”.
Është me interes të shihet gjuha e përdorimit të përemrave për vetat e personazheve në të tri vetat e njëjësit dhe, të vetës së tretë në numrin shumës.
SIMBOLIKA E VDEKJES
Kapitulli i tetë trajton karakteristikat e personazheve. Në këtë kapitull (i fundit) analiza paraqitet më e shtruar. Kundrimet shtrihen në pesëmbëdhjetë faqe tekst dhe merren me filozofinë e ndërtimit të veçantive të personazheve. Personazhet dhe aktantët, simbolika e vdekjes në romanin “Bimorja” e konkretizuar me fragmente tekstesh, herë nga njëri, herë nga romani tjetër për përtrollitje të ideve të mbarështruara.
Këtu kemi simbolikën e vdekjes në romanin “Gjin Bardhela i arbresh – Etja e gurëzuar,” trajtimin e mortjes sipas konceptit mitologjik; simbolika e vdekjeve në romanin “Ferri i lodhur”, me trajtat dhe mënyrat e dhunës së shfrenuar si vrasjet e grave shtatzëna, vrasje të fëmijëve, të pleqve, vrasje masive, dhunime të femrave e të miturave…! Pra, rrëfimi në këtë roman shpërfaq realitetin e ndodhur në të shkuarën, në të djeshmen, në të sotmen dhe, në një realitet të përsëritur… Një realitet jetësor e poetik i absurdit gjithë – kohorë!
DISKURSI PËRMBYLLËS
Si përmbyllje e studimit të përmendur për tri romanet e A. N. Berishës “Bimorja”, “Gjin Bardhela i arbresh – Etja e gurëzuar” dhe “Ferri i lodhur” Arsim Halili sjell këtë përfundim: “Berisha krijon vepra të artit të fjalës ku mbizotëron të shprehurit poetikisht të lartë racional. Krijohen kuptime herë-herë me nënkuptime filozofike, ku nuk mëton t’i fragmentarizojë gjërat, apo t’i shkëpusë nga qenësia e individit si subjekt, po u jep gjithë lirinë e vlerësimit, para së gjithash të qenies si subjekt human[5]”.
Ngjashëm me fillimin e studimit për tri romane të A. N. Berishës edhe përfundimin, Arsim Halili e përmbyll me një tjetër citim të zgjeruar të Domenico Corradini Bruossard për romanet e shkrimtarit tonë, që ndonjëri nga ato romane iu përkthyen në italisht.
Literatura teorike në këtë studim na paraqitet udhërrëfyese mbizotëruese e përkufizuese… Shtrohet dilema: sa mund ta bartte peshën e pavarësimit teorik autori ynë në këtë sferë të dijeve për diskurset teorike-letrare?
Sidoqoftë në këtë studim shohim një zell për përdorimin dhe sistematizimin e një literature teorike komplekse.
Kjo nuk është pak për autorin tonë.
Gjilan, shtator 2024
[1] Arsim Halili, Rrëfimi poetik në tri romane të Anton Nikë Berishës. Shtëpia botuese Beqir Musliu; Gjilan, 2024, f. 6.
[2] Po aty, f. 71.
[3] Po aty, f. 72.
[4] Po aty, f. 82.
[5] Po aty, f. 99.