Në mbledhjen urgjente të Kuvendit Komunal të Gjilan të thirrur nga kryetari i Komunës së Gjilanit, lidhur me miratimin e buxhetit të vitit 2025, nuk kanë marr pjesë këshilltarët e LDK-së PDK-së e AAK-së. Të pranishëm në seancë ishin 10 këshilltarë, derisa mungonin 25.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Gjilanit, Kushtrim Kadriu, tha se rregullorja dhe Ligji për Vetëqeverisje Lokale, qartëson se duhet të jenë 50+1 prezent të këshilltarëve në kuvend dhe sot nuk ka kuorum për të vazhduar më tej dhe shpallet e mbyllur seanca. Derisa ai doli nga salla.
Ndërsa nënkryetarja e Komunës së Gjilanit Leonora Morina Bunjaku, tha se kjo mbledhje urgjente është thirrur dhe sot opozita nuk po marrin pjesë.
“E ndjejmë obligim ti njoftojmë qytetarët. Si përfaqësues të tyre e kemi për detyrë të shenjtë që atë të kenë shërbime dhe projekte që e meritojnë”, tha Morina Bunjaku.
Ajo më tej shtoi se votimi i buxhetit, është një detyrim moral dhe ligjor ndaj atyre që na kanë besuar. Buxheti është shtylla kryesore për zhvillimin e projekteve që prekin direkt jetën e qytetarëve.
Nënkryetarja e Gjilanit, i ftoi të gjithë këshilltarët që t’i lënë dallimet politike dhe të veprojnë për të mirën e komunitetit.
“Kemi bërë përpjekje dhe jemi të gatshëm që të diskutojmë çdo shqetësim apo diskutim për buxhetin. Le të gjejmë zgjidhjen e përbashkët”, tha Morina Bunjaku.
Ajo tha se sot ndodhen në një situatë të vështirë, ku dhe opozita nuk është prezentë në sallë.
Sipas saj buxheti nuk është një dokument ku mund të fitojnë e humbasin politikisht, por për të mirën e përbashkët.
“Mos miratimi i buxhetit do të thotë ndalimi i projekteve në mes, shërbime të vonuara apo të ndërprera plotësisht, familje që humbasin mbështetje”, tha Morina Bunjaku.
Nënkryetarja e komunës, kërkoi nga opozita nëse kanë kërkesa konkrete le t’i sjellin e do të trajtohen.
“Buxheti i këtij viti nuk është për pozitën e as për opozitën, por për qytetarët që presin rrugë më të mira, nxënësit që presin kushte më të mira , për bizneset që presin mbështetje, për familjet që kanë nevojë dhe shërbimet tjera”, tha Morina Bunjaku.
Më tej ajo i ftoi anëtarët e kuvendit që të votojnë për të mirën e përbashkët dhe të jepet një mesazh i qartë se punohet për qytetarët.
“Buxheti ndoshta nuk është i përkryer, por është një hapë i madh drejtë realizmit të synimeve tona dhe çdo hapë i ndërprerë sot është një humbje për qytetin e komunën tonë. Të nderuar kolegë mendoni për qytetarët që përfaqësoni për ata që na kanë dhënë këtë detyrë dhe besim”, tha Morina Bunjaku.
Nënkryetarja kërkoi votimin e buxhetit për një të ardhme më të mirë, të sigurt e qëndrueshme për të gjithë.