ARSIMI

Dikur nxënësit e Malësisë së Zarbincës shkëlqenin në provimin pranues në Normalen e Gjilanit

P J E S A I

Gëzimi më i madh i Ismet Shabanit nga fshati Zarbincë, mësues në pension, nuk kishte qenë shkuarje në klasën e parë, kur kishte filluar për herë të parë shkollimin, por në klasën e pestë. Kjo kishte ndodhur, pasi që paraprakisht para se të fillonte klasën e pestë, si çdo familje patriarkale ia kishte kumtuar lajmin e  rëndë se nuk do të vijojë mësimet në shkollë, meqë s’ka kush të përkujdeset për bagëtitë. Ky lajm i hidhur për mësuesin Ismet kishte qenë tepër goditës. Ishte lënduar dhe mërzitur shumë, sepse ai e donte shkollën, i donte mësimet, i donte mësuesit dhe e donte më shumë se gjithçka diturinë dhe nuk mundej assesi të pajtohet me këtë fat të imponuar. Kishte filluar viti shkollor, teksa moshatarët e tij ndiqnin rregullisht mësimet e klasës së pestë, ndërkohë që katër vjetët e para të shkollimit, mësuesi Ismet i kishte mbaruar në Litesh, paralele e ndarë e shkollës fillore “Skënderbeu” në Zarbincë. Tek pas një jave të plotë, lind dielli përsëri për këtë djalosh, që kishte prirje të lartë dhe dashuri të madhe për shkollim. I lejohet nga familja, që të vijon mësimet në klasën e pestë dhe këtë gëzim të pahaharruar nuk e harron dot, duke kujtuar edhe sot.

“Nuk kam pas gëzim më të madh në jetë, se kur kam filluar pas një jave klasën e pestë, diçka e pa përshkruar dhe e paharruar për jetë. Fluturoja nga gëzimi! Me shumë dëshirë, vullnet dhe përkushtim të lartë shkoja dhe ndjekja mësimet në shkollë’, ka kujtuar me mallëngjim këtë moment, mësuesi Ismet, i cili e bën publik, se ndikim të rëndësishëm dhe radikal për këtë vendim të familjarëve të tij, kishte pas Xhemail Sylejmani, arsimtar i diplomuar i Matematikës, një kuadër i rrallë në këtë Malësi dhe një intelektual i përkryer me autoritete të lartë. “Mësuesi Xhemë i kishte bindur familjarët e mi, se unë duhet të vazhdojë shkollimin, meqë edhe isha nxënës i mirë”. Më pas mësimet kishin ecur sipas dinamikës dhe plan-programit mësimor, kurse në vitin 1964/65, mësuesi Ismet mbaron shkollën tetëvjeçare në Zarbincë me sukses të shkëlqyeshëm. Etja për dije sa më të thellë, nuk e ndalë me këtë nivel shkollimi, meqë mësuesi Ismet në vitin 1965, me disa shokë të klasës së tij pranohet në normalen e Gjilanit. Një shkollë e fortë dhe me kritere rigoroze të pranimit, duke ju nënshtruar provimit pranues në tri lëndë: Gjuhë shqipe, Matematikë dhe Edukatë Muzikore. “Prej 23 nxënësve sa kishim mbaruar tetëvjeçaren në Zarbincë, 11 prej tyre patëm konkurruar në shkollën normale në Gjilan dhe 8 jemi pranuar, kurse vetëm tre patën ngec edhe atë për shkak të lëndës Edukatës Muzikore”, ka evokuar këto kohëra mësuesi Ismet, Sipas tij, pas dy shkollave të qytetit në Gjilan, ishin nxënësit e Malësisë së Zarbincës që pranoheshin në normale dhe krejt kjo falë kuadrave arsimore të Gjuhës shqipe dhe Matematikës, që i kishin në fshat, kurse në lëndën e Edukatës Muzikore ngecnin dhe kishin vështirësi. “Nga numri total i nxënësve sa përfundonin shkollën fillore në Zarbincë, më shumë se një e treta e tyre pranohej në shkollën normale, një shifër mbresëlënëse. Ky numër i lartë nxënësve të pranuar nga kjo trevë i kishte befasuar për së miri edhe drejtuesit e shkollës normale, të cilët më pas e kishin kuptuar se shkolla në Zarbincë, kishte krijuar një staf profesional të mirë mësimor dhe nuk ishte rastësi pranimi i nxënësve të kësaj Malësie. Veçmas në lëndët Matematikë dhe Gjuhë shqipe ishim brilant, sepse posedonim themele të forta në këto dy lëndë bazike”, ka thënë mes tjerash mësuesi Ismet, i cili i kishte takuar gjeneratës së parë të cilët kishin mbaruar tetëvjeçaren në Zarbincë, meqë më herët mësimi zhvillohej vetëm deri në klasën e katërt. (Në pjesën e dytë, çfarë suksesi tregonin studentët nga Malësia e Bujanovcit në Shkollën e Lartë Pedagogjike “Skënderbeu” në Gjilan.

You Might Also Like