OPINION

Dita 31 Mars 2026 – një festë që lind nga krenaria

Shkruan: Dr. Arben Maliqi
Nëse Kosova arrin ta mposhtë Turqinë më 31 mars 2026, ajo ditë nuk do të jetë thjesht një fitore sportive. Do të jetë një datë që meriton të shënohet si festë kombëtare, sepse përfaqëson shumë më tepër se 90 minuta lojë në fushë.
Kjo fitore do të ishte simbol i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë. Nga vitet kur futbolli kosovar zhvillohej në kushte të vështira, pa njohje ndërkombëtare dhe pa mundësi të barabarta, deri te dita kur flamuri ynë ngrihet krenar në arenën ndërkombëtare – çdo hap ka qenë sakrificë, përkushtim dhe besim i pa lëkundur.
31 marsi do të ishte dita kur sakrifica e shumë brezave merr kuptim të plotë. Do të ishte dita kur ëndrra e atyre që nuk u dorëzuan kurrë bëhet realitet. Kjo ëndërr mori jetë falë vizionit dhe përkushtimit të Fadil Vokrrit,njeriut që i dha futbollit tonë zë dhe drejtim.
Një fitore ndaj një kundërshtari të fortë si Turqia do të dëshmonte se Kosova nuk është më thjesht pjesëmarrëse, por është një forcë që meriton respekt.
Kjo datë do të bashkonte çdo shqiptar, brenda dhe jashtë vendit. Në atë moment nuk do të kishte dallime – të gjithë do të ishim një zë, një zemër, një flamur. Fëmijët do të frymëzoheshin, të rinjtë do të besonin më shumë në ëndrrat e tyre, ndërsa ata që sakrifikuan për këtë vend do të ndiheshin krenarë për atë që është arritur.
31 mars 2026 nuk do të ishte vetëm një fitore në futboll. Do të ishte një fitore e identitetit, e dinjitetit dhe e shpirtit të një populli qe kurrë nuk hoqi dorë. Prandaj, ajo ditë meriton të kujtohet, të festohet dhe të ruhet si një nga momentet më të ndritura të historisë sonë moderne.
Sepse ndonjëherë, një ndeshje futbolli bëhet shumë me tepër se lojë
– bëhet histori.

You Might Also Like