Futboll

Drita fiton në frymën e fundit

Pushimi disaditor i ka bërë mirë ekipit të Dritës, që këtë të shtunë është përballur ndaj Malishevës së papërshtatshme, port ë cilën e mposhti me rezultat të ngushtë 2:1.

Pjesëloja e parë ka dalë të jetë me dominim të lehtë të Dritës në fushë, por sa i përket golave ishte shterpe, ngase përfundoi me rezultat të bardhë 0:0.

Pjesëloja e dytë ishte më efikase dhe në të u shënuan tre gola, dy për Dritën dhe një për Malishevën. Bardh e kaltrit golin e parë e shënuan nga pika e bardhë, ngase më herët në zonën e Malishevës pati një ndërhyrje të palejuar, ku ishin përfshirë mbrojtja bashkë me portierin. Krejt kjo ndodhi në minutën 67, kur Besnik Krasniqi la të shtangur portierin Gashi, duke gjetur këndin e majtë të tij.

Nuk vonoi shumë dhe mysafirët shënuan nga një pozitë standarde nga gjuajtja nga këndi. Në fakt para se të jepej goditja nga këndi, kryetrajneri i Malishevës bëri dy zëvendësime e njëri ndër ta ishte Ibishi që u fut në lojë dhe me t’u dhënë goditja nga këndi, ishte pikërisht Ibishi që në minutën 81 me një kërcim të lartë, topin e parë të prekur në lojë e dërgoi mu në këndin e epërm të majtë të portierit Maloku.

Dritës nuk i kishte mbetur edhe aq shumë kohë për lojë, andaj menjëherë u sul ah porta mysafire. Pak para se të mbyllej ndeshja, pas një shpërthimi nga e majta të sulmuesve të Dritës, Albert Dabiqaj nga afërsia futi topin në rrjetë për rezultatin përfundimtar 2:1. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like