Është mbyllur seria prej pesë fitoreve radhazi e Ballkanit të Suharekës, ngase këtë të diele, Drita e ka mposhtur ekipin verdh e zi me rezultat 2:0. Ka qenë një ndeshje me dy pamje të ndryshme, me Dritën në pjesën e parë që ka dominuar dhe me Ballkanin që ishte më I mirë në pjesë të dytë, por pa konkretizuar, kurse e veçantë e kësaj ndeshje ishte se u dhanë tre kartonë të kuq, për trajnerin Ismet Munishi, lojtarin e Ballkanit, Turku si dhe për Lecin e Dritës.
Ndeshja ka nisur më mirë për vendasit dhe kanë shënuar që në minutën e pestë të ndeshjes, kur pas një asistimi të mirë të Cuculit, Izair Emini, që u gjet ballë për ballë me portierin e ka dërguar topin në rrjetë.
Nuk ka shkuar shumë kohë e sërish ka shënuar Drita. Në minutën 23 nga një goditje standard u krijua një tollovi, kurse aty më së miri u gjet braziliani, Gilberto Fortunato, I cili nga afërsia e futi topin në rrjetë.
Në minutën 63, Ballkani mbeti pa mbrojtësin Turku, I cili u skuq pas një starti të ashpër në B. Shabanin e dy minuta më pas protestave të njëpasnjëshme u largua nga loja edhe kryetrajneri Ismet Munishi. Forcat në fushë u baraspeshuan në minutën 74, kur mysafirët nuk respektuan lojën fer dhe më I nevrikosuri doli të jetë Liridon Leci, që pa nevojë iu sul një lojtari mysafir, andaj edhe u ndëshkua me karton të kuq.
Në fund Ballkani pati disa raste, por pa shënuar asnjëherë, andaj ndeshja u mbyll me rezultat 2:0.