Libri

Edhe sivjet mbahet Manifestimi Kulturor “Takimet e Dom Mikelit” në Stubëll

Manifestimi Kulturor e shkencor “Takimet e Dom Mikelit”, i kushtohet mësuesit të shkollës së parë shqipe të kësaj ane të Malësisë së Karadakut, do të mbahet më 24 shtator të këtij muaji në Stubëll të Vitisë.

Kjo festë e shkollës shqipe e vitit 1905, shënon një ngjarje tejet me rëndësi historike e kulturore tek ne. Tash e 27 vjet me radhë përkujtohet kjo shkollë e hapur në fshatin Stubëll të Vitisë.

Në këtë Manifestim Tradicional Kulturor të “Dom Mikelit…” do të marrin pjesë shumë qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare, si nga: Maqedonia, Shqipëria, Presheva e mese të tjera shqiptare, të cilët do të vijnë e do të mësojnë për shkollën e parë shqipe në Stubëll si dhe do të kenë rast të mësojnë edhe për figurat tjera të shquara të kombit.

Këto takime, që nisën në vitin e rëndë për kulturën dhe për Kosovën e shqiptarët e saj përgjithësisht, më 1990, nuk u ndalen as gjatë viteve kur manifestimet e tilla përbënin rrezik, duke përmbushur kështu boshllëkun e shkaktuar nga dhuna e regjimit të atëhershëm serb ndaj çdo gjëje kombëtare, shtohet në një informatë lidhur me këtë festë të rëndësishme kulutore e shkencore.

Sipas njoftimit të organizatorit të këtij manifestimi, “Takimet Dom Mikeli” sivjet do të nisin në Stubëll të Epërme të Vitisë në orën 9:30 me Meshën e Shenjtë, që do të drejtohet nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji. Manifestimi do të vazhdojë me tribunën shkencore “Nënë Tereza dhe shqiptarët”, gjatë të cilës është paralajmëruar se do të mbajnë fjalë Dom Lush Gjergji, At Sebastian Vazhakala, Visar Zhiti, Anton Nikë Berisha dhe Valentina Salveldi. Sipas programit të paralajmëruar, po atë ditë, në Stubëll të Vitisë, do të mbahet Ora e madhe letrare, si dhe do të ndahen çmimet “Agim Ramadani” dhe “Qeshk Ukaj”. Por, në kuadrin e kësaj feste, do të hapet ekspozita mbarëkombëtare e pikturës “Nëna e Dashurisë”.

Organizatori është kujdesur që për ata të cilët dëshirojnë të marrin pjesë në këtë manifestim të sigurojë transport nga Prishtina, prej nga autobusët do të nisen në orën 8 të mëngjesit. Manifestimi “Takimet e Dom Mikelit” mbahet që nga viti 1990, duke mbledhur njerëz të të gjitha shtresave dhe fushave të dijes, të artit e të kulturës përgjithësisht dhe nga mbarë hapësira shqiptare./ Tefik Selimi

You Might Also Like