Në vorbullën e problemeve të mëdha soj-kulture dhe politike në të cilën po kalon Kosova, rrëzë Bjeshkëve të Alpeve të Rugovës , janë mbajtur Takimet Ndërkombëtare Letrare Azem Shkreli, ku ishin të pranishëm fytyra eminente të elitës letrare nga vende të ndryshme të botës.
Me përkushtim të një nikoqiri të mirëfilltë që hap derën e mikpritjes, shtron sofrën dhe pritë mysafirët, me bekimin- Mirë se ju ka pruar Zoti, autoritetet lokale të Pejës, i ofruan Kosovës njërën nga ngjarjet më të mëdha kulturore.
Paraqitje te dinjitetshme te artisteve te botes, qe i bëjnë nder Kosovës dhe plagëve të saja ende të pa shëruara, kanë performuar për dy ditë artin e tyre, duke dhënë mesazhe të paqes dhe dinjitetit mes njerëzve dhe duke shpërndarë në vendet e tyre imazhet e bukurisë së natyrës së Kosovës, urtësinë dhe bukuritë e njeriut dhe kulturës shqiptare, që ata kishin takuar gjatë vizitës në vende të ndryshme të Kosovës.
“Është një mikpritje e jashtëzakonshme e njerëzve të mirë që kam takuar këtu, është një ngjarje e madhe kulturore e krijimit të urave mes popujve, veçanërisht me gjuhëve të vjetra çfarë janë Gjuha Shqipe dhe ajo Izraelite, kanë shumë shuma për të shkëmbyer dhe thënë, akoma më shumë “, ka thënë Hava Pinhas- Cohen, poetja nga Izraeli, laureatë e Çmimit Lirika e Azem Shkrelit, duke falënderuar popullin shqiptar për shpëtimin e hebrenjve gjatë holokaustit.
Dhe të tjera personalitete të letërsisë botërore nga PEN International, nga Evropa dhe Izraeli pasuruan me ardhjen e tyre këtë manifestim që mban emrin e poetit elitar të letrave shqipe e njëkohësisht emblemën për Pejën, emrin e Azem Shkrelit.
Emmanuel Pierrat, shkrimtar francez, i botuar nga Fayardnë Paris, Kryetari Komitetit të Shkrimtarëve për Paqe të PEN International, ishte një nga intelektualët qendror në këtë manifestim duke mbajtur fjalën e rastit në sallën e kuvendit komunal të Pejës. Ai ka pasqyruar rëndësinë e komunikimit mes kulturave për paqe mes popujve.
Sylvester Clancier, poet dhe shkrimtar francez njohës i veprës së Kadaresë, Shkrelit, Rugovës, Camajt po ashtu lexoi poezi dhe falënderoi qytetin për mikpritjen.
Antonio Della Rocca, poet dhe kritik arti nga Italia, në leximet e tij dhe fjalën për media solli në vëmendje të publikut rëndësinë e komunikimit dhe dialogut për një rajon në paqe dhe një Evropë të bashkuar.
Rafael Newman, poet, kantautor, lektor në disa universitete nga Zvicra pjesëmarrës në këto takime lexoi në teatrin e Pejës.
Se Peja, ishte një ngjarje e madhe kulturore nga e cila, miqtë janë të mirëfilltë e tha dhe laureati i Çmimit Ndërkombëtar Letrar “Azem Shkreli 2019” shkrimtari dhe poeti i njohur austriak, Helmuth A Niederle. Ai ishte thellësisht i emocionuar për nderimin me këtë çmim të madh.
“ Jam ngazëllyer thellë, kjo ditë në Kosovë, do të më bëjë mua me ndjenjën e obligimit të jem zëri i Kosovës në botë, duke bërë të mundur që shteti më i ri i Evropës të integrohet përmes kulturës përveç politikës”, ka thënë Helmuth A Niederle, duke dëshmuar kështu, se Kosova, të tillë miq në arenën ndërkombëtare do te ketë ambasadorët më zellshëm që mund të bëjnë shumë më shume seç është duke bërë diplomacia shqiptare andej e këndej Drinit.
Natyrisht në gjithë këtë ngjarje të madhe kulturore, falënderimet e posaçme i shkojnë PEN Qendrës së Shqipërisë dhe presidentes së saj Entela Kasi, qe mundi te kultivoje këtë ngjarje te madhe kulturore ne Pejën e Azem Shkrelit në Republikën e Kosovës!
Entela Kasi, duke falënderuar PEN Qendrën e Kosovës dhe autoritet e Pejës, tha se ka mbetur shume e kënaqur gjatë takimeve në Pejë. “Ne kemi parë nga afër komunikimet e miqëve që vijnë nga elitat e letërsisë botërore me krijuesit në Kosovë, ne presim që këto ura të reja të krijuara, do të shpërfaqen ne projekte të reja të prezantimit të kulturës shqiptare në vende të ndryshme të botë, e posaçërisht me njohjen reciproke të letërsisë moderne izraelite me atë shqiptare”.
Takimet ndërkombëtare letrare “Azem Shkreli”, krijuan ura të e reja mes krijuesve shqiptar dhe atyre të ndërkombëtar. Aty u dëshmua sërish, se ky vend është bërë edhe me ndihmën e miqve të mirëfilltë ndërkombëtar, dhe do të behet akoma, duke ruajtur dhe kultivuar këto miqësi me njerëz të kulturës çfarë i kishim në Pejë.
Zoti e ka bekuar këtë vend me miq të mirë! / xhevat latifi/xlpress.tv/