Pas më tepër se tri dekada në arsim është pensionuar Skënder Hasani, profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Frënge në Gjimnazin Shoqëror “Zenel Hajdini” në Gjilan.
Në një ceremoni të shkëlqyeshme, të atillë çfarë e ka merituar profesori Skender Hasani, jeton Rexhepi, drejtor në Gjimnazin Shoqëror “Zenel Hajdini”, ka theksuar se edhe ai vet kishte qenë nxënës i profesorit Skender, duke e cilësuar atë njeri të afërt, plot energji, serioz dhe të drejtë, dinjitoz e i drejtpërdrejtë.
“Profesori Skender ishte model i mësimdhënësit, krah i djathtë i secilit që kishte nevojë, andaj atij i urojmë shëndet e jetë të gjatë e brezat e nxënësve do t’a mbajnë në mend gjithmonë”, ka thënë drejtori Jeton Rexhepi.
Shpend Nuhiu, drejtor i Arsimit në Gjilan, ka evokuar kujtime të mira me profesorin Skënder, duke e cilësuar professor të mirë, të urtë dhe të atillë që gëzoi respect te nxënësit. Ai tha se Skender Hasani ishte mësimdhënës me kulturë të lartë dhe që ka dhënë kontribut të madh për shkollën.
Ilir Vokshi, në emër të ish-nxënësve, për profesorin Skender tha se ishte figurë e jashtëzakonshme dhe e rrallë dhe evokoi kujtime sa e kishte profesor, pastaj kujdestar klase e në fund edhe kolegë në shkollë.
Për profesorin Skender foli edhe nxënësja e tanishme Erda Maliqi, që tha se profesori ishte një udhërrëfyes, njeri me kulturë të lartë dhe që u mundua me mish e shpirt nxënësve t’ua mësojë gjuhën frënge.
“Faleminderit për çdo moment, mësues, mentor dhe udhërrëfyes i yni”.
Fjalë miradije për profesorin Skender Hasani thanë edhe kolegët Arta Haziri, Vjollca Hasani, Tahir Dalipi e Tahir Arifi, të cilët e vlerësuan kolegun e tyre si njeri me vlera të mëdha njerëzore e arsimore dhe të atillë që me sukses të plotë e kreu misionin e tij prej mësimdhënësi.
Në ndarje, Skender Hasani, në ditëlindjen e tij të 65-të, tha se sikurse që një lumë që rrjedh e nuk ndalet, ngjashëm kaluan edhe mbi 30 vite në arsim pa u ndalë. Ai tha se për të ishte privilegj, që ishte pjesë e Gjimnazit Shoqëror “Zenel Hajdini” në Gjilan, i cili ka një kolektiv të mrekullueshëm.
“Fillova në moshën 24- vjeçare me entuziazëm e sot po largohem i lumtur që e përfundova misionin tim në arsim. Kolegë ne ndamë punën, jetën, sfidat, ndihmën reciproke e gëzimin. Nxënës, që ju dua më së tepërmi, ju do të mbeteni pjesa më e dashur e imja. Jam krenarë që u pata nxënës”, tha profesori Skënder Hasani, i cili për punën e tij në arsim është shpërblyer me mirënjohje e dhurata të shumta, të cilat atij do t’I kujtojnë jetën e kaluar në arsimin gjilanas. /kryelajmi.com/.
Karriera e profesorit Skender Hasani
Skender Hasani është i lindur më 10 shtator të vitit 1960 në Kumanovë. Pas shkollimit në vendlindje, ai studimet për Gjuhë Frënge i ka filluar në Universitetin “Kirili dhe Metodi” në Shkup, më 1979, ku i ka mbaruar të gjitha provimet e vitit të parë në afatin e qershorit në vitin 1980. Pas demonstratave të vitit 1981, detyrohet që t’i tërheq dokumentet nga Universiteti i Shkupit dhe regjistrohet në Universitetin e Prishtinës, më 1981-82 si student me korrespondencë. Skender Hasani filloi të punonte si mësues dhe Gjuhës Frënge në fshat në shkollën e mesme “LIRIA” në fshatin Çerkez të Kumanovës, në vitin 1985. Pas kësaj, dhe për një kohë të shkurtër, ai dhe familja e tij u vendosën në Gjilan, në vitin 1988. Në gjimnazin “Zenel Hajdini” punon që nga shtatori i vitit 1996. Jeton dhe vepron në Gjilan.