Këtë të premte do të zhvillohet kryendeshja e shumëpritur në mes të Dritës dhe Gjilanit, ballafaqim ky që gjithmonë ka ngjallur emocione të jashtëzakonshme në të dy taborret.
Dy tifozëritë “Intelektualët” dhe “Skifterët” gjithmonë kanë përgatitur koreografi të veçanta për këtë ballafaqim dhe që nga fillimjava kanë nisur përgatitjet.
Të parët që do të nisin përgatitjet janë tifozët e Gjilanit, “Skifterat”, të cilët do të nisin mbledhje dhe takime të përditshme me qëllim të përgatitjes, mobilizimit dhe grupimin sa më të madh për ndeshjen kundër Dritës.
Ata kanë paralajmëruar se do të diskutojnë ide se çfarë koreografie të krijojnë para kësaj ndeshje, derisa as “Intelektualët”, tifozët e zjarrtë të Dritës nuk do të rrijnë duarkryq dhe pritet që edhe kësaj radhe të sjellin koreografinë e tyre, ngase ata në cilësinë e vendasve do të kenë për vete tribunën qendrore, derisa adhuruesit e Gjilanit do të pozicionohen në anën e kundërt.
Dy ekipet gjilanase në këtë kryendeshje hyjnë me rezultate jo të kënaqshme nga xhiroja e fundit, ngase Drita u mposht në Pejë në ballafaqim me Besën, derisa Gjilani në fushë të vet nuk nxori më shumë se një pikë në ballafaqim me Trepçën.