Futboll

FC Drita falënderon Ardian Nuhiun

Faleminderit Ardian Nuhiu, karakteri që dha shembull dhe kulturë në Superligë
Klubi ynë, FC DRITA dhe trajneri Ardian Nuhiu kanë ndërprerë bashkëpunimin pas një periudhe mbi katër vjeçare.
Në konferencën për media, Drejtori i Përgjithshëm i klubit, Feti Murseli, falënderoi trajnerin për kontributin e dhënë dhe sukseset e rekordet e arritura nën drejtimin e tij.
“Pas eliminimit të hershëm nga ndeshja e Kupës, në konsultim me presidentët e klubit dhe më pas edhe me trajnerin Nuhiu kemi ardhur në përfundim që të ndërprejmë bashkëpunimin mbi katër vjeçar. Ne e falënderojmë për kontributin e dhënë për klubin tonë, rekordet dhe suskeset e arritura në futbollin vendor dhe arenën ndërkombëtare. Ne i dëshirojmë suksese në vazhdim në karrierën e tij, duke e falënderuar që për katër vitet e qëndrimit për të mirat që i ka sjellë në klubin tonë. Me karakterin e tij dha një shembull dhe kulturë në futbollin kosovar dhe me bindje e them se kjo nuk është një lamtumirë, por një mirëupafshim”, ka thënë drejtori Murseli.
Ndërkaq, trajneri Ardian Nuhiu falënderoi klubin, duke theksuar se FC DRITA është familje e madhe dhe nga sot do ta mbështes si një INTELEKTUAL i vërtetë.
“Falënderoj familjen e madhe DRITA për katër vite të jashtëzakonshme, emocione, histori, fitore, humbje, dhimbje por më tepër gëzime. Dua t’i falënderoj dy presidentët për mbështetjen dhe drejtuesit e skuadrës që 24 orë kemi qenë së bashku për të mirën e Dritës. Falënderoj tifozët për mbështetjen e jashtëzakonshme kudo që kemi luajtur, ndaj meje dhe çdo futbollisti që ka kaluar në këtë derë së bashku me mua në këtë rrugëtim, sepse pa ta nuk do t’i kishim këto suksese. Ky klub do të ketë një vend të veçantë në zemrën time dhe FC DRITA nga sot do të ketë një INTELEKTUAL më tepër që do i përkrah. Jam i bindur se falë skuadrës dhe potencialit që është ndërtuar, skuadra do vazhdojë rrugetimin drejt objektivit titullit”, ka theksuar Nuhiu.
Trajneri i deritanishëm, Ardian Nuhiu u bashkua me ne fillimisht si zëvendës trajner më 17 shtator 2018, ndërsa më 11 shkurt 2019 u emërua si trajner kryesor.
Nuhiu drejtoi DRITËN në 161 ndeshje në të gjitha kompeticionet, kampionat, Kup dhe Evropë në të cilat klubi ynë shënoi 88 fitore, 37 barazime dhe 36 humbje.
Për këto vite u shënuan suksese e rekorde në kampionatin vendor dhe në garat ndërkombëtare, ndërsa në edicionin 2019/2020 FC DRITA u shpall kampion i Kosovës.
FC DRITA falënderon Ardian Nuhiun për bashkëpunimin dhe kontributin ndër vite, duke i dëshiruar suksese në të ardhmen.

You Might Also Like