Meti REXHEPI:
FENIKSI I NGJYRAVE
(Sherafedin KADRIU: KUR VDESIN NGJYRAT, poezi,
Shtëpia botuese, BEQIR MUSLIU, Gjilan, 2025)
Nën përkujdesjen e editorit Sabit Rrustemi, renditur nga kritiku letrar Timo Mërkuri, Shtëpia botuese “Beqir Musliu” në Gjilan, gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, botoi librin me poezi KUR VDESIN NGJYRAT e autorit Sherafedin KADRIU, që solli një freski poetike si për shtëpinë botuese edhe për shpirtin të tendosur të poetit, krijues e studiues fushash artistike dhe të dijës: autor shkrimesh e vlerësimesh nga kritika letrare, në fushën e arkeologjisë dhe, tashmë në gjininë e poezisë. Mbase, ky intelektual i mjedisit tonë prekë dhe gjurmon edhe në prozë e në sferën e publicistikës
NGJYRAT SI TRAJTA TË DHIMBJES
KUR VDESIN NGJYRAT do të thoshim vdes dhe jeta. Por, duke lexuar vëllimin poetik të Sherafedin KADRIUT prej 144 faqesh më gjithsej shtatëdhjetë e tetë poezi, të strukturuara në trembëdhjetë cikle, pohimi i sipër thënë, pothuajse, pezullohet. Çfarë ndodh që poetit i duket se po i vdesin ngjyrat? Mu këtu shfaqet burimi i lajtmotivit që merr shtrirje për gjatë gjithë shtjellimit të kësaj lënde poetike. Njeriu dhe poeti janë shtrënguar nga darët tinëzare të depërtimit në brendi të “sëmundjes së keqe”, madje në afërsi të organeve të frymëmarrjes. Ndaj dita – ditës nga frymëmarrjet “e kallura” subjekti i shtruar ndjenë se ajo e brendshme “e keqe” po ia stërkeqë ngjyrat dhe, ato njëra pas tjetrës po ia humbnin pamjen dritëdhënëse të jetës! Kjo na shpie te zbërthimi i pleksur jetësor e estetik, se bashkë me sëmundjen vdekkan edhe ngjyrat! Pra vdekka shija dhe joshja për ngjyrat, për ngjyrat si stoli e bukurisë së jetës. I kësisoj, kapërcimi nga realja në imagjinare bëhet përmes daljes në pah të brengës estetike! Duke lexuar vëmendshëm, le t’i zbërthejmë dy lloje ngërthesash parësore: kuptimin logjik i ngërthyer në dhimbjen e subjektit njerëzor dhe, reflektimet shpirtërore nga gjëma e tillë jetësore. Andaj, kushtëzohen dy konceptime: dhimbja dhe zvetënimi. E dyta kushtëzohet nga e para:
“po, mua m’ka vdekur dashnia për kremte”
Mbi dhimbjen si dukuri njerëzore dhe trajtat e shfaqjes së saj është konceptuar e tërë ngrehina e vëllimit artistik KUR VDESIN NGJYRAT. Rrjedhimisht dalim te pohimi: nuk është vetëm aorta kryesore një dhe e vetme që ushqen zemrën me gjak dhe, vë në lëvizje trurin edhe tërësinë e fiziologjisë te njeriu. Gjithsesi pa një për-degëzim damarësh e fijesh nervore s’mund të kemi reflekse të perceptimit të superstrukturës ndijore e mendore. Dhimbja ngërthyeka në shqisat e veta gjakimin e brengës për t’i shprehur të shfaqen anë-këndet e ndjesive të së bukurës, të këndshmes, të fismes, të madhërishmes, dashurisë, të cilat i ka dhuruar si dhunti Enigma e Përsosjes së Natyrës së Qenies Njerëzore njeriut. Varg pas vargu arrijmë te konceptimi i strukturuar i trajtës tjetër të dhimbjes; të dhimbjes jo veçse si përjetim fizik e psikologjik i sikletshëm, por edhe si konceptim i ndërlidhur me përkufizime poetike për jetën, gjakimin për moshumbje pa shenja e dëshmi të çmuara për brezat:
“po sot më paska vdekur edhe një poezi
diku në thellësi të shpirtit”
Subjektit poetik të dhimbjes i shtohet pengu i gjakimit për mospërmbushjen e caqeve të dhuntive të pasurimit të hambarit të mendjes, fisnikërimit të ndjenjave, që t’i ngjyroste me ngjyra të bukura si dëshmi ekzistence dinjitoze e anës së ndritshme te njeriu. Meqë fjala ishte e para mrekulli – bërës e njeriut, në gjendjen kur ngjyrat po ia gëlltiste e hirta e zjarrit, poetit pikërisht fjala pa halë e mikut mund t’i shërbente si një bar shërues nga më të rrallët. Përse ndjehej aq e këndshme një fjalë e pritur e mikut? Fjala si e tillë shpërfaq shtresimin fisnik njerëzor aty kur buzët shkrumb kanë nevojë për gllënjkën e ujit të pastër; ngase vetëm me të njerëzishmen mëkohet njerëzorja:
“Një fjalë nga Ti e pres
edhe ditëve pa kremte
si një nga ilaçet më të rralla të kësaj bote
sepse n’ato çaste për pak i harroj dhembjet”
Kështu e përmbyllë që në nismë të librit poeti Sherafedin KADRIU poezinë “M’ka vdekur dashnia për kremte” një përkushtim për mikun Profesor Anton Nikë Berisha.
FUSHË SHTRIRJET E METAFORËS
Fushë shtrirja e metaforës apo e ndërtimit metaforik në vëllimin e poezive KUR VDESIN NGJYRAT është e gjerë edhe si kumt ekzistencial, si pikëmbështetje referuese e së pashkruarës së dhimbjes, si kuptim përjetimesh, peripecish të veçanta, si fat vetjak e përbashkues. Aty ku puqet e s’përputhet njerëzorja kundron dhimbshëm poezia. Në vargjet e parashtruara na shfaqen përfytyrime dhe prekje të gjalla me spektrin e ngjyrave dhe të mendësisë së mjedisit. Nga e sotmja tek e moçmja, kapen trajta fatesh të etnisë duke qenë vazhdimësi e një onomastike parakësh me virtyte dhe vese, me mohime e dëshira si shtytje për mëtime të përmbushjes autoktone:
“Poshtë kalasë
Guvat e Margës shpërthyen currila
Si loti i vashës Angrinë.”
Ndjesisë për vashën Angrinë i zgjaten gishtërinjtë nga përdëllesa e gjithëkohshme, mirëpo edhe në trajtën e dëshirores metaforike:
“Krehri i artë iu bëfsha flokëve të Saj”
Nga përmasa vetjake shtrirja e metaforës kap përmasën e zgjeruar largvajtëse:
“Se…
Dymijë vjet
vetëm hije pa diell pamë”
Çfarëdo tematike, secilin motiv që mori për trajtimin e idesë poetike, qofshin shkëputje fragmentare të mendësisë së legjendave, të figurave mitike apo të baladave, poeti Sherafedin KADRIU ua gjen vendin e një strukturimi modern, sikurse një mjeshtër murator i rryer, që rendin e gurëve e drejton sipas perit të tij:
“Nuk e di pastaj si shkoi e kur erdhi
Nëpër një shteg të ngushtë kujtimesh
I moçmi gjysh”
Përmes së folurës në monolog ngrihet në dialog trajta e komunikimit me filozofinë e thjeshtë të traditës, e karakterizuar si thënie tërthore e sprovës së hidhur, si një përtrollitje pësimesh që nuk u mësuan që të mos përsëritet vazhdimësia e robërisë, nëpërkëmbja e vetvetes dhe nëpërkëmbjet nga të huajt:
“Guri asht si njeri, biro
Me ba me dalë prej venit t’vet
Gjithkush me çekiç m’i krye i rri.”
Nënvizimit të urtisë së kahershme nga personazhi i poezisë “Mjeshtëria e Musë Tomakut”, poeti i jep hapësirë nxjerrjes së dëftimit të nëntekstit poetik në ngastrën e letrës, që tre vargjet e shkëputur të poezisë më të gjatë përputhen me përngjasim të metonimisë.
Për gjatë gjithë shtjellimit poetik në librin KUR VDESIN NGJYRAT fushë shtrirja e thënies artistike shquhet për pjellori figurash, ngase pjelloria është motivuar nga të reshurat e shirave të ngrohtë të frymëzimit, ndonëse fatthëna e ngjarjeve ecën zgripeve ekzistenciale. Dueli mes dashurisë për jetën nën dhëmbët e shëmtuar të “sëmundjes së keqe” te poeti ynë prodhoi trajta ndjeshmërie të thellë dhe të gjithanshme, si mburojë për ruajtjen e ngjyrave të bukurisë së jetës. Megjithatë vardisja e së shëmtuarës dhe përballja me vrazhdësinë e saj jetësore dhe estetike, nxori në pah forcën e artit të fjalës, që ngre vlerën e mos tjetërsimit të ngjyrave, dhimbjen për moshumbje të shkëlqimit dhe të prarimit të stolive të tyre.
Nga dëftimi i historisë poeti shkëputi fragmente rrëqethëse sprovash dhe, nuk kishte si t’i shmangej brengës që i erdhi në varg, brenga “e udhës së madhe” që zbrazte vendlindjen dhe, lidhja e saj me traditën që i kushtëzoi reflektimin në trajtën e urdhërores paradoksale:
“Rrufja detit Fundin
K’qyrë
A mbahet me valë?!”
Mbi formulime të tilla vargjesh, të sapo cituar, hasim logjikën e ndërtimit të paradoksit poetik. Poezia e sprovave të thella shpesh ngritët mbi pamjet paradoksale të dukurive në jetën e kundërthënieve shoqërore. Madje ka teoricienë bashkëkohës që tërë poezinë e vlerësojnë si mënyrë e shfaqjes paradoksale të ideve dhe porosive.
Duke iu kthyer poezisë referuese e përshkuar nga ide të tërthorta, por edhe të drejtpërdrejta, poezia vjen te porosia e ndërprerjes së
“udhës së madhe”, të asaj udhe fatale:
“Para Anadollit, Kosovën kemi”
Nga leximi i kujdesshëm i poezisë që sjell përballje me egërsinë e natyrës dhe të njeriut, dalin shfaqje trajtash të filozofisë së urtisë, ta atilla që të frymëzojnë, të grishin t’i përsëritësh dhe t’i nënvizosh për ngulitje në mendje për zbërthime situatash e gjendjesh të tendosura në rrjedhat ekzistenciale të ndodhive:
“Heshtja lindi për ta kallë vuajtjen si shpresë”; apo formulime ironike me kontraste të karaktereve:
“S’kam pushkë për cunga me shoka
As për ato kravata n’qafë thata”; ose më tej:
“Metonimia ime u ndal te ditëlindja e fisnikut
ngase para poetit qenka vetëm njeriu”
Këso nënvizime ngërthesash me shtresime poetike ndërmjet thëniesh, shohim anën e pashkelur të traditës etike që i shpërfaq dyvargëshi:
“Më mirë një shtrëngesë
Se një njollë”
Këtu pohimi poetik është i qartë, thënia kësisoj e mbanë ose mëton ta mbajë parimin në nivelin e bardhësisë. Ky parim e përtrollit sojin e njeriut etik, që kurdoherë e kanë cilësuar parimet e panjollosura për të gjatë rrjedhës për të jetuar me dinjitet e faqebardhë.
Kësisoj, shkrimi i këtillë poetik nuk mund t`i shkëputej misionit tradicional, poezia mori rolin kujdestar për kultivimin e nderit familjar.
PËRSHKALLËZIMET E SË SHËMTUARËS
Ngërthesave të poezisë në librin KUR VDESIN NGJYRAT nuk i mungoi estetika e së shëmtuarës, që ndonjë herë nuk përfillej si kategori e dijes estetike për të bukurën. Por, kategoria e shëmtuar duke qenë aq e pranishme si shumësi bëmash djallëzore edhe në shoqërinë urbane, nuk shqitet pa marr haraç, si një lloj pandemie, si diçka ngjitëse, si ligësi që prodhoi shumësi të këqijash dhe tragjedi njerëzore. Kësaj rrjedhe të jetës së mjedisit të vet, poeti i piketoi dhe karakterizoi bartësit përfitues situatash të pasigurisë:
“E di si iknit shtëpi më shtëpi
Për të blerë duartrokitje për nesër”
Për t’i shmangur bartësit e kësaj kategorie shoqërore të shpërfytyruar, poeti zgjodhi artin e vetmisë: kujtesën e shokëve të vdekur! Si të emërtohet kjo përzgjedhje, si rebelim apo si zvetënim me koston e vetmitarit? Gjithsesi ky përcaktim udhërrëfyes është njerëzor, por i ftoftë për qenien qytetëruese. Ndërtimi ironik i vargut nuk lë pa përshfaqur logjikën dhe psikologjinë provinciale, demagogjinë e mykur të mjediseve dhe të mëhallëve tona:
“Boll ke vrarë e ke prerë shterpësi
Para kohe”
Cilën udhë zgjodhi të ndiqte subjekti poetik në nivelin e një mendësie të këtillë zotëruese? A mund ta marrim shmangien e tij pa kundërpërgjigje? A mund të ishte kundërpërgjigjja si mburojë sinqeriteti apo si pamundësi për luftën e pabarabartë? Përgjigjja mund të ishte e një vistre dilemash…
“Unë e di
Nuk paguhem me ikjen time”
Dy mendjet për anë kapjet e mesazhit poetik lënë hapësirë për qasje të ndryshme zbërthyese. Begatia e zbërthimit të idesë artistike shpie në morinë e këndvështrimeve… A duhej t’i hynte subjekti jetësor alias poetik një përballjeje dhe të luftonte si një Don Kishot me mullinjtë e erës?! Mendoj se arti i mirëfilltë i lë të hapura dilemat e tilla. Përsiatjet e këtilla le t’i zgjojnë vetëdijet e fjetura…
Pa ngurrim mund të themi se për shumëçka poezia e Sherafedin KADRIUT tipizohet për qasje vetanake dukurive të dy realiteteve, kapjes së fenomeneve tokësore, jetësore dhe ndërthurjes me realitetin e imagjinatës. Ai hedh në letër atë që e brenë, prej të përgjithshmes spikatë të veçantën, të domosdoshmen, personazhet lirike dhe epike konkrete me cakun e qëllimit të mbresës ndikuese. Vargu i këtij poeti shquhet për mëvetësi të thurjes, gjithsesi me kulturën e gjuhës dhe të njohjes së figuracionit, përdorimit të saktë të figurës mu në vendin e duhur. S’ke si mos të joshesh duke lexuar, çdo varg t’i hap krahët të hysh në botën e tij magjike të dritësuar dhe, pa fenerë. Përse them pa fenerë? Ngaqë bota e këtyre vargjeve të hapet me qartësi e bardhësi dhe, s’do të fusë në labirinte të ndërlikuara ku nuk ka dalje. Autori i kësaj bote të mëvetësishme artistike është i përkujdesur, që kur të hyjë vetë labirinteve të shkrimit të mos mbetet i ngujuar nga paqartësia dhe hermetizmi.
Motivin atdhetar poeti KADRIU e çliroi prej klisheve që e hasim të përsëritur:
“Në pastë një re që sjell shi në Saharën e tharë
Ti u bëre bujar
Shiun e lirisë së munguar e solle”
Freskia e këtillë erdhi me shiun e një metafore në tokën e plasaritur për shi, për shiun e lirisë. Është kjo poezia “Shiu i lirisë së munguar” përkushtim Heroit të thyerjes së kufirit mespërmes shqiptarëve Agim Ramadanit.
Autori nuk mund t’u ikte qëmtimeve zhgënjyese. “Mall i përshkëllirë” është një qëmtim i dhimbshëm, djegës, djegie e personazhit lirik të mërgatës, që i zhgënjyer nga përdhosjet e Vlerave Çlirimtare të gjakut dhe të rendit ligjor, po të mundte do të ikte edhe nga vetvetja e tij! Togfjalëshi “malli i përshkëllirë” është një përzgjedhje e bukur e metaforës dhe, ndërtime të tilla kompozitash e pasurojnë fondin e dendur të ngjarjeve përplot kthesa të befta dramatike të periudhës së vetëvrasjeve të veteranëve çlirimtarë, kur po përdhosej liria si një e përdalë; përderisa dymijë e gjashtëqind trupa njerëzish të pagjetur anë e kënd Serbisë gjakatare lë me pengun e pagjumësisë mijëra familjarë!
NGËRTHESAT E NGJYRAVE DHE KONOTACIONI I TYRE POETIK
Që nga cikli “Kur preken ngjyrat”, sipas një ritmi të përshkallëzimit emocional, zgjerohet gama e përsiatjeve “e pjekjes me fundin.” Termometri i temperaturave të trupit dhe të mendjes, përpëlitjet nën ethe i një bote shpirtërore, atmosfera e dramës së asaj bote për çastin e pritur të prekjes së fundit… Se si do të jetë ai fund i hyrjes në amshim?!… E gjithë kjo sprovë bartet në ngastrat e letrave të bukurshkrimit kaq bindshëm, aq rrëqethur si pak kush shijon poezi të tillë:
“Atë ditë
Përherë të parë jam ngutur të arrij para fundit”
Poezia “Prekja me fundin”, për shijen time, mund t’u qëndrojë kritereve antologjike.
“Po kot qenkam ngutur në fund të rrugëtimit”
Pa dyshim janë ligjet e Enigmës së Natyrës që e përcaktojnë fillimin dhe fundin e njeriut. Doemos fundi në pranverën e jetës është dhimbshëm i padëshirueshëm. Drama e përballjes me jetë-shuarjen poetit ia ka zbehur ngjyrat, pikërisht ato që i japin bukuri detit të syve dhe, na i kënda t’i shijojmë. E zeza i sillet qiellit të kaltër të poetit si vrastare ose përbindësh ngjyrash. Porse simbolika e së zezës në letrat e përbotshme të shkrimit lëvroi begati vlerash të qëndrueshme në poezi. E zeza dhe e keqja përshkojnë themelin e simbolikës të poezisë së Charles Baudelaire. Në poezinë shqipe simbolika e së zezës me përbërësit e saj gjeti përfaqësimin më gjithëpërfshirës te poeti, nga më të veçantët, Beqir Musliu, veçmas te vëllimi “Bukuria e zezë.”
Si çdo krijues i penës edhe Sherafedin KADRIU një ndikim asimilues nga kultura e shkrimit mund ta ketë, por është vetëmohues dhe shkrim ndërtues apo shkrim qëmtues krejt vetanak. Ai arrin të ndërtojë gjendje kontrastive vargjesh mu në vlugun e dhimbjes së tij!
“Natën e pashë vdekjen
Se edhe kur është ditë ajo vjen në terr
Edhe mirë bën
Pse të ta nxijë ditën
Err e terr”
(Nuk m’u bë mik)
Jo rrallë ndodh që në shkrimet tona poetike përpjekjet për të eksperimentuar për risi formash e stilesh, në ngërthesat e tyre të vargjeve të ketë paqartësi, rrëmujë, humbje reflektimesh, mungesë idesh, pa një sfond filozofik i poezisë. Këtu më bindshëm se eksperimentimi flasin simbolet lehtë të zbërthyeshme të përfytyrimeve dhe, dalja në pah e porosisë.
Për mbarëvajtjen e diskursit tonë, jo vetëm sytë, por vargjeve duhet t’ua vëmë dhe veshët t`ua ndjejmë pulsimet damarëve “të kallur”, drithërimave të një shpirti që rënkon, por nuk jepet, nuk bie në krahët e pesimizmit pa shtegdalje. Arsyet për një qasje të tillë qëndrojnë:
a: dhimbje është vetë jeta deshi a nuk deshi njeriu;
b: pa dhimbje nuk mund t’i njohësh engjëjt mbrojtës dhe engjëjt e shpifur;
c: pa dhimbje nuk çmohet ëmbëlsia e jetës;
ç: dhimbja e nxori mbi syprinë gjithë gamën e depërtimit në enigmat e dashurisë për jetën, për ngjyrat e saj, për njeriun, për bëmat e flijimet, për thesarin e familjes, të miqve dhe:
d: dhimbja i ka përballë, pas shpinë e gjithandej tradhtinë, ftohtësinë e shëmtinë, pikëllimin për pandjeshmëritë mizore.
Doemos natyra kriminale e njeriut është e ngjizur në pandjeshmëri, duke mos e pasur të rrënjosur mëshirën dhe të drejtën si virtyte njerëzore, mu aty buron çnjerëzorja e holokausteve, e Srebrenicave, e Reçakëve, e Mejeve, e Drenicës të përtrollitur në vijimësi!…
VEÇANËSIA I QËMTIMIT ARTISTIK
Nëpërmjet këtij vështrimi të përgjithësuar, mund të konstatohet se libri KUR VDESIN NGJYRAT, solli freskim të qëmtimit artistik. Përse mund të pohojmë kaq bindshëm kështu? Është kështu ngaqë gama e motivimit poetik, ty ky poet, është thellësisht e ndjeshme, e përjetuar dhe pa pozë, e hapur për kultivimin e çiltërsisë, pa ndërlikime eksperimentale, pa shfaqje shenjash të rrëshqitshme për kinse sjellje të modës së re në poezi.
Në poezinë “Poezia e jetës sime” prej njëzet e tetë vargjesh, me një stil të dendësuar të fjalësit poetik, poeti përmblodhi në kapërcej vitesh momentet e veçantive që karakterizuan jetën e tij, gëzimet, pikëllimet e zhgënjimet. Në vargje e ndjejmë frymën e sedrës së modestisë së poetit, një tipar i dukshëm dhe karakterizues i vlerës së personalitetit të tij. Një Zonjë ngjyrë zezë që i rri si këmishë në trup, po ia shpeshtonte ftesat për ta futur në gjirin e saj të zi. Zonja doli të ishte një shtrigë, por poeti zgjodhi përcaktimin besëplotë për jetën:
“Po bëhem me Jetën
Para se të më marrë Vdekja!
“Për ngjyrën e zezë” është cikli që na shpie në përballjet me “sëmundjen e keqe” të autorit. Sëmundja arrin kulmin dramatik të tendosjes së trupit e të shpirtit në nëntë poezitë që përmbyllin dhimbjen dhe, dhimbja merr përmasën e saj të rënduar te poezia “Çafkat.” Si e tillë “Çafkat”është një kapje e realizuar vërtet mjeshtërisht e shtjellimit artistik. Cikli përfundon te poezia “Para se me u shtri.”
Poezia “Çafkat” është një pikturë në lëvizje, në fluturime të çrregullta, sikurse imagjinata e trazuar nga kanosja e çafkave, e këtyre shpendëve trazovaçe, të cilat, ndonëse bezdisëse me krrokamat, poetit i sjellin një shpërqendrim vëmendjeje nga më e zeza e pritshme… Por, këto edhe pse ngjyrë e zezë, ritmet, dinamika e tyre ia zhdavarisin vetminë horizontale subjektit të shtrirë në spital. Me gjithë ato krrokama të thekshme të çafkave, ato mund të jenë një mish i thartë për ndaljen e të “bardhës” gllabëruese në kraharorin e blozës.
Nëse te Beqir Musliu “Çdo bukuri e ka edhe të zezën e vet”, te Sherafedin KADRIU “Edhe e zeza paska një të bardhë!”
*Po aty; f. 128
Ciklin e fundit të librit KUR VDESIN NGJYRAT, e dendësojnë simbole të së zezës që shtrihen gjerë e gjatë, si përfytyrime fushëbetejash kur çafkat me sqepa mbi bebëza groposin sytë e të rënëve, çukitin si “zëra metalikë të çoroditur.”
Kllapia e fiziologjisë nuk ia pushtoi dot poetit fluturimet e imagjinatës së tij; përtej kaplimit nga zezona, e zeza doli të jetë prodhimtare e dendur e stilit figurativ, begatim i fjalorit poetik të shqipes së shkruar nga pjekuria e kësaj poezie. Më tej shohim se si trysnia e së zezës nuk arriti t’ia nënshtronte dëshirat, ngase prej shpirtit nuk u çrrënjos ngjyra njerëzore e dashurisë, qoftë dhe si një fije e vetme blerimi në dunat e rërës:
“Një ngjyrë dashurie ma kaplon shpirtin”
RIKTHIMI I NGJYRAVE
Poezia brenda librit KUR VDESIN NGJYRAT mund të përkufizohet si dashuri e paepur për jetën dhe shijet shumëngjyrëshe që shfaq jeta. Veçse nga e përjetuara e mundimshme dhe dergja e zgjatur, shëmbëllen jetën e autorit, shihen, preken, shquhen, cilësohen ato dhunti ngjyrash, pasionet, kujtesa që bartë dhe rikthen avullueshëm të shkuarën me të ëmblat e mallëngjimin, etjen për përmbushje qëllimesh të fisnikërisë.
Të errëtën e ngjyrës së zezë bukurshkruesit ia zhdavariti poezia. Poezia si hije e vetmisë, poetit iu bë dëshmitare e dëftimit të gjendjes së amullt, madje të skajshme, kur shpirti lypte mëshirën e strukur diku apo një shpëtim që të kapërcente çmendurinë! Mirëpo, ndodhi poezia kjo ngadhënjimtarja e së bukurës e çliruar nga kthetrat e së errëtës.
Autori Sherafedin KADRIU ngadhënjeu mbi apatinë dhe riktheu ngjyrat e jetës me dritën e poezisë që nuk e la në terr. Si? Kështu. Ai jeton vertikalisht përderisa solli këso vlerash të denja për shpirtin e tij dhe lexuesit!