Drejtori i Shërbimeve Publike, Infrastrukturës dhe Banimit, Kushtrim Ibrahimi bashkë me stafin kanë vizituar disa lagje për të nisur me implementimin e disa projekteve që kanë dalë nga procesi i buxhetimit me pjesëmarrje të qytetarëve.
“I lumtur që këtë vit, po fillojmë me implementimin e disa projekteve që kanë dalë nga procesi i buxhetimit me pjesëmarrje të qytetarëve”, tha Ibrahimi.
Ai tregoi se ishte në terren në Lagjen e Tetë, në Rrugën e Prishtinës, në Lagjen e Zabelit, në Livadhet e Arapit dhe në fshatin Livoq i Ulët (Lagjja e Muhaxherëve), së bashku me zyrtarët nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, Infrastrukturës dhe Banimit, si dhe me Zyrën e Projekteve.
Sipas tij gjatë vizitës takuan qytetarët e këtyre zonave dhe drejtorët e shkollave, me të cilët vitin e kaluar janë mbajtur dy takime në kuadër të aktivitetit të buxhetimit me pjesëmarrje të qytetarëve.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Infrastrukturës dhe Banimit, tha se në ato takime, banorët patën mundësinë të votojnë për projektet që dëshirojnë të realizohen në lagjet e tyre.
“Disa nga projektet që pritet të realizohen janë: kënde lojërash për fëmijë, parqe dhe parkingje pranë shkollave”, tha Kushtrim Ibrahimi.
Sipas tij qëllimi i takimit të sotëm ishte që nga afër të shohin dhe të përcaktojnë lokacionet ku do të realizohen këto projekte.
“Fillimisht do të përgatiten projektet, ndërsa më pas do të vazhdohet me procedurat e nevojshme deri në implementimin e tyre. Së bashku për lagje më të mira dhe kushte më të mira për qytetarët tanë”, tha drejtori Kushtrim Ibrahimi.




