Futboll

Fitore me dy lojtarë më pak

Nëntë lojtarë të Trepçës ’89 dolën të jenë më të fortë se njëmbëdhjetë lojtarë të Gjilanit, ngase ekipi mysafir ia doli që me dy lojtarë më pak të mposht ekipin vendas me rezultat 1:2.

Gjilanasit mund të ankohen se për ta nuk u dha një penalti dhe se goli i dytë i mysafirëve u shënua nga një pozitë e pastër jashtë loje, por kjo nuk e zbeh fitoren e mysafirëve që u angazhuan më shumë.

Vendasit që tërë lojën patën më shumë topin në pronësi nuk ia dolën që të shënojnë asnjëherë nga loja. Eminhaziri që në minutën 21 nga një pozitë e pastër gjuajti mbi portë. Hajdari i mysafirëve në stilin e Xherdan Shaqirit deshi të shënojë me gërshërë, por Maloku u tregua i sigurt. Portieri vendas nuk u tregua i saktë një minutë më pas, kur nga gjuajtja nga këndi nuk e perceptoi fluturimin e topit dhe John i mysafirëve me kokë e futi topin në rrjetë. Eminhaziri i vendasve edhe njëherë dështoi nga afërsia, kur sërish gjuajti mbi portë në minutën 34 e pak më vonë Thaçi u duk se pastër u pengua në brendi, por heshti bilbili i gjyqtarit. Pak para mbylljes së pjesëlojës së parë vendasit patën edhe një rast të mirë, por gjuajtja me volej e Gashit përfundoi në tërthorëse.

Vendasve iu lehtësuan shumë punët në minutën e 54, kur Hajdari u zverdh për herë të dytë. Me një lojtar më pak në fushë mysafirët rrezikuan në minutën 70, kur Maxhuni i vetmuar para portierit gjuajti mbi portë. Një minutë më pas, në brendi të zonës Izmaku luajti me dorë dhe pos që u dha penalti për vendas, mysafirët u ndëshkuan edhe me një karton të kuq dhe tashti kishin në lojë dy lojtarë në pak. Eminhaziri ishte i saktë nga dënimi më i rëndë në futboll, duke e dërguar portierin në anën e majtë e topin në të djathtin.

Vendasit ndonëse patën dy lojtarë më shumë në fushë, nuk e shfrytëzuan epërsinë numerike e për të qenë më keq, në minutën 85, Jashari u përvodh nga e majta dhe me goditje të saktë qëlloi këndin e poshtëm të majtë të Malokut për rezultatin përfundimtar 1:2. Ankesat e vendasve te gjyqtari për pozitë jashtë lojë nuk bënë punë, ngase ai nuk e ndryshoi vendimin dhe vendasit që në xhiron e parë kokulur e lëshuan fushën e mysafirët u përcollën me duartrokitje.

Gjilani – Trepça ’89 1:2 (0:1)

Stadiumi i Qytetit në Gjilan. Shikues: 500. Gjyqtarë: Kosumi – Musolli – Berisha – Ceraviku. Shënues: Eminhaziri në minutën 71 nga pika e bardhë – John 29’, Jashari 85’. Kartoni i verdhë: Kosumi, Rusi – Hajdini, Jashari, Maxhuni. Kartoni i kuq pas dy të verdhëve: Izmaku, Hajdari.

Gjilani: Maloku, Kastrati, Bekteshi, Thaçi, Kosumi, Mustafa, Ahmeti (Thaçi), Shabani, Haxhimusa (Rusi), Sherifi (Gashi), Eminhaziri. Trajner: Arbnor Morina.

Trepça ’89: Hajdini, Islami, Izmaku, Troshupa, Mustafa (Jashari), Maloku, Potoku, Udrizi, John (Hasani), Maxhuni (Pasoma), Hajdari. Trajner: Bekim Shotani./Kryelajmi/.

 

You Might Also Like