Gjilan

Fondacioni shqiptaro-amerikan ndan mirënjohje të lartë për heroin Mulla Idriz Gjilani

Në ceremoninë e dhënies së mirënjohjes për familjen e heroit, ka marrë pjesë kryetari Lutfi Haziri, profesori Xhymshit Duriqi, ish deputeti Ahmet Isufi dhe historianë të shumtë.

“Ju uroj për këtë mirënjohje të lartë për të madhin Mulla Idriz Gjilani. Jam shumë i privilegjuar që bordi i fondacionit shqiptaro-amerikan, presidenti i Bronx’it, Robert Diaz, më kanë autorizuar që t’ju dorëzoj këtë mirënjohje, si dëshmi që fama e Mulla Idrizit u dëgjua edhe përtej Atlantikut dhe i ngrohu zemrat e çdo shqiptari kudo që jetojnë. Me këtë rast e falënderoj kryetarin Lutfi Haziri që me prezencën e tij e nderoi heroin, i cili ka qenë luftëtar i madh, liridashës, bujar e fetar dhe me të gjitha virtytet e një njeriu të madh ”, ka thënë me këtë rast profesori Xhymshit Duriqi.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se ndjehet shumë krenar që i prin qytetit të Mulla Idriz Gjilanit, duke thënë se ka qenë sinonim i të gjithëve se si luftohet padrejtësia dhe robëria.

“E falënderoj shumë z. Duriqi dhe familjen e heroit Mulla Idriz Gjilanit për pritjen. Falenderoj të gjithë ata burra dhe gra në SHBA dhe z. Diaz që e nxorrën veprën e Mulla Idrizit përtej Atlantikut. Natyrisht, “Flaka e Janarit” nuk mund të shënohet pa njeriun i cili është sinonim i kryengritjes dhe sinonim i të gjithë neve se si luftohet padrejtësia dhe si luftohet robëria për interesa të popullit. Lus Zotin që ne pasardhësit e tij dhe të gjithë kryengritësve të mëdhenjë të Gjilanit, ta vazhdojmë këtë rrugë deri në realizimin e synimeve të përbashkëta që të gjithë shqiptarët të jetojnë të bashkuar, në paqe dhe liri”, tha Haziri.

Ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ahmet Isufi, pohoi se Gjilani është krenar që e ka figurën e Mulla Idrizit, unifikuesin e popullit në fe e atdhe.

“Këtë shembull është dashur ta vazhdojnë gjenerata të tëra për të pasur një atdhe të lirë në të cilin jetojnë shqiptarët. Gjenerata jonë nuk ka bërë asgjë tjetër, përpos që e ka vazhduar rrugën për liri dhe bashkim kombëtar”, u shpreh Isufi.

Krejt në fund të ceremonisë, djali i heroit Mulla Idriz Gjilanit, Isa, e ka falënderuar Fondacionin shqiptaro-amerikan për këtë mirënjohje të veprimtarisë së babait të tij, që paraqet personaltetin më të rëndësishëm të lëvizjes antifashiste, antisllave dhe anikomuniste.

Përndryshe, me iniciativë të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, presidenti i Kosovës dhe ai i Shqipërisë e kanë dekoruar Mulla Idriz Gjilanin me urdhrin më të lartë shtetëror, dy vite më parë.

 

 

You Might Also Like