Libri

FRYMËMARRJA NË ZANAFILLË SI EKSPLICIT I BRENDSHËM

Nexhat Rexha
FRYMËMARRJA NË ZANAFILLË SI EKSPLICIT I BRENDSHËM
Me rastin e vdekjes se shkrimtarit Hasan (Malë) Hasanit
Hasan (Malë) Hasani (16 janar 1947 – 1 dhjetor 2020
Hasan Hasani-Përkolaj: ”Mirditë e Mirditorë ”, Botoi ”Faik Konica”, Prishtinë, 2020, fq. 224
.
Vepra letrare e Hasan Hasanit-Përkola ka bërë jetën e saj për një periudhë të gjatë, ajo ka shtrirje të gjerë te lexuesi dhe është e njohur për vlera të arritshme artistike. Në dialektikën njerëzore dhe artistike arti letrar krijon frymëmarrjet e thella, të cilat të japin e të marrin frymëmarrjen,ato në brendi ruajnë të prekurën dhe të paprekurën e dukshme të kohëve. Në këtë trashëgimi brezash e frymëmarrjesh vjen edhe libri poetik i Hasasn Hasanit-Përkola ”Mirditë e mirditorë “. Libri ka strukturë të identifikuar, e cila të zgjon kureshtjen e parashtrimeve poetike . Portretizimet poetike autori i ka skalitur me dashuri e mjeshtri, sepse tërësia e poezive ka realizim konkretizues, gjithnjë në ruajtje të frymës poetike. Përcaktimi tematikë në poezi vjen si rezultat i muzës poetike të autorit, duke i ndërlidhur elementet biografike, autobiografike në një hapësirë të gjatë kohore. Fjala e gjallë dhe fjala e shkruar në kontestet kohore kanë shënuar verdiktet e njerëzve nëpër kohët e tyre. Kur njeriu i përmasave kombëtare ka unifikuar vlera të ruajtjes e traditës burimore, nuk ka dyshim se ato vlera lidhin e ruajnë ngjarjet e kohët. Në këto rrjedha kohësh pjesët e atdheut tonë kanë dhënë e kanë marrë figura të çmueshme. Nëpër këto zhvillime historike lidhjet e gjakut në shumë raste janë shpërndarë nëpër trevat tona, si rezultat i pushtimeve të gjata nga Perandoria Osmane e deri në sundimet Serbe. Këto pushtime me ndikimet veta kanë krijuar rrethana nga më absurdet për njeriun tonë. Mirëpo, thënia e urtë “Se gjaku nuk behet ujë”, ka karakterizuar e ruajtur shpirtin e njeriut tonë, në karakterin burimor dhe gjithnjë në kujdesje për të mos e humbur identitetin e tij gjuhësor.
Rrjedhimet poetike kanë krijuar njohje për lexuesin e sotëm, si ndërlidhje e rishfaqje të konstatimit real për t`i ofruar lexuesit, se bota letrare ruan qenien tonë edhe pas ndryshimeve të mëdha nëpër shoqëri. Këtë shpalosje në retrospektivën e njeriut tonë, mjaft bukur i ka skalitur Hasan Hasani-Përkola në vargje. Poezia si tërësi komunikon kënaqshëm me lexuesin, duke krijuar raporte të njohjes së lokaliteve të Mirditës, si dhe ruajtjes së paraardhësve të autorit. Këto hallka zinxhirore sado të shkëputura, por asnjëherë të harruara kanë harmonizim të brendshëm. Në shtjellimet poetike Hasani me njohje të thella, ka bashkuar hallkat e shkëputura nga sundimet e ndryshme. Ai ka bashkuar me saldim edhe më të fortë këto hallka të njerëzve dhe vendbanimeve tona. Me akordim artistik ka ripërtërirë, ka shpalosur realitetin e absurdit të kohëve.
Sa me vëmendje i lexojmë të gjitha poezitë e këtij vëllimi, shohim e përjetojmë absurditetin e këtyre ndarjeve, si pasojë e dhunës që kanë prodhuar sunduesit e ndryshëm. Mirdita e mirditorët, brenda kopertinave të librit vijnë me origjinalitetin autokton, ata kanë ruajtur frymëmarrjen e thellë të vetëdijsimit kombëtar. Toponimet që ka trajtuar autori kanë artikulim burimor, sepse vetë ato flasin për analogjitë e trevave shqiptare. Portretizimi i personaliteteve të dalluara në vargje përmes fjalës së zgjedhur i jep kuptim ekzistencial njeriut tonë, si njohje dhe pohim për të dëshmuar e ruajtur vlerat që kanë mbijetur e mundur te keqen njerëzore. Gjithsesi këto poezi kanë mëvetësinë e tyre si brumosje artistike dhe si realitet i bartur nëpër kohë e rrethana, të cilat kanë konvencionalitetin e qëndrueshëm në relacionin si jetëshkrim edhe si ngjarje.
Komunikimi si përjetim i brendshëm
Identifikimi dhe identiteti lidhin proceset e kërkimit për të rishfaq botën poetike, emocionale si përjetim i brendshëm me të cilin krijuesi ka depërtuar në kompensim të ditëve të humbura e për dashurinë e paprekur gjatë jetës. Libri hapet me prolog , i cili vjen si identifikim për të konstatuar emërtimet që i kanë munguar në jetë. Prologu ka rëndësi për lexuesin, sepse është një gjeografi me pamje e artikulim të nevojshëm, duke i dhënë qartësi poezive që vijojnë në libër.
Poezia si meditim dhe kreativitet nëpër kohë vjen me qartësi e muzikalitet, kurse krahina e Mirditës ka lidhur e ka ruajtur me dashuri traditën e nderin e vet: ”Atdheu në Veri dhe Jug bërë shoshë nga syzikorbat / Në Tarabosh e Tomorr, në Shkelzen e Gjallicë”,fq.25. Nëpër këto lashtësi malet tona kanë ruajtur melodinë e zanave për të mundur shkelësit e huaj. Kompozita “syzikorbat” është gjetje e bukur artistike që tregon luftërat e mosnënshtrimin e maleve tona. Poezia e Hasanit në këtë vëllim si edhe në veprat tjera ka figuracionin e pasur , e cila shërben si mjet ndërtimi për të ringjallur, fuqizuar fjalën me peizazhet e natyrës së Mirditës. Këto pamje sa janë të egra e të mundimshme për të jetuar, po aq janë edhe të bukura, ani pse:”Këtu i thonë Mirditë gazepi/Nuk ec kali, nuk ec kerri!”, fq.25. Në këto trajtime poetike, Hasani ka gërshetuar ngjarje dhe vepra të mirditasve nëpër shekuj, ai të rikthen këtë përjetim nga brenga në lumturi, sepse vetë paraardhësit e tij janë ata që kanë bërë emër e vepra monumentale nëpër Evropë e gjeti.
Tematika në vepër është vetë zanafilla e paraardhësve të autorit, nëpër poezi vijnë protagonistë të shumtë, të cilët kanë krijuar vepra nga më të ndryshmet, ata përfaqësojnë me dinjitet mirditorët. Në poezinë “Domgjoni”, është ruajtur në kujtesën e familjarëve shpërngulja nga Domgjoni në Jaballanicë të Dushkajes. Kjo shpërngulje ka ruajtur rrënjët e veta edhe pas Treqind vjetëve . Pren Kola i Domgjonit dhe Pren Kola i Jabllanicës janë shkrirë në një frymëmarrje, autori dilalogon me kullën përmes ruajtjes mitologjike nga gjarpri i shtëpisë. Figura artistike e gurit dhe lisit janë fuqia e qëndresa nëpër shekuj te shqiptarët dhe kjo qëndresë është kultivuar dhe ruajtur me besnikëri në Domgjon është ruajtur Përkola në të dy vendbanimet. Zanat mitologjike kanë krijuar atmosferë të mikpritjes vëllazërore dhe aty qëndrojnë në ballë të oxhakut, Preni, Gjoni, Zefi, Gjergji, duke i dëshiruar mirëseardhje njeriut të gjakut edhe pas tre shekujve.
Komunikimin poetik Hasan Hasani-Përkola e zhvillohen në lidhje të vazhdueshme me traditat tona, duke ruajtur më kujdes koordinimin e lidhjeve të gjata nëpër histori që nga koha e Ilirisë, për të lidhur, ruajtur kohën e Skënderbeut e të Lekë Dukagjinit përmes feniksit mitologjik. Në këto prurje artistike poeti ndërlidh e percepton ëndrrën e tij, e cila e ka ndjekur autorin kudo që shkuar. Meditimet vijnë nga dashuria për tokën e të parëve, ato trasojnë e trazojnë botën shpirtërore të njeriut artist. Në këto shqetësime radhitet edhe poezia “Mollkuqe”, po kjo mollkuqe, bëhet pjesë e lojërave fëmijnore , kur me mollkuqen nuse ka përcaktuar fluturimin e ëndrrave tona si fëmijë. Autori ka bashkëjetuar më ditët më të lumtura dhe me ditët më kërkimtare e kurioze për të lidhur fatin dhe fatkeqësitë me Mollën e Kuqe, si toponin dhe shenjë identifikuese për trollin tonë.
Poezia e këtij vëllimi në të gjitha variantet rifreskon memorien, e cila riprodhon vlerat në kujtesën e lexuesit të sotëm dhe atij që vjen, ndërsa si krijim artistik ka transmetuar e bartur artin e shkruar me stil transparent, sepse vetë përmbajtja e të gjitha poezive në libër komunikon lirshëm, e kjo qasje e rrëfimit poetik të jep mundësin e përjetimit të lirë, njëkohësisht përmbajtja gjithëpërfshirëse është e konkretizuar me koherencën e mundshme dhe të pranushme për lexuesin dhe rrethanat e realizimit shkrimor. Këto elemente të transparencës i gjejmë në poezinë ”Monolog me Kullën në Domgjon”. Duke lexuar poezinë përjetojmë e prekim nga afërsia botën e brendshme të autorit, ekspliciteti vjen natyrshëm, si përjetim dhe bartje brezash për kullën dhe klithmat e saj. Poeti në veten e tij i ka kënduar vazhdimisht Mirditës dhe Domgjonit nga Dushkaja, mirëpo, kënga në vete ka ruajtur artikulimin pa tingëllimë të jashtme, ajo është mbajtur me gof brenda shpirtit të tij. Duke u lutur vazhdimisht për një ditë që mund të vije:
Iu drejtova Zanës që lart rri n`Munellë
T`më rrëfej mua t`humburit ndër vite e stuhi
Rri zgjuar si gjarpër, i droj gjumit t`thellë.
Rrugë e pafund kjo kjo nga Dushkaja n`Mirditë
Përhumbur nëpër mote, trishtuar ndër duhi
Mos m`pandehni t`huaj, koha m`ka sfilitë.
Fq.54.
Në këtë Sonet në pesë shtylla, vargjet komunikojnë nëpër kohe e protagonistë të ndryshëm, sogjëtimet e zanave vështrojnë e koordinojnë lutjet e tyre për një ditë më të bukur.Poezia në vete ka brengën, mallin, dashurinë, protesten , si kryengritje të shekujve, e përmallimi vjen për ata që e patën të ndaluar këtë liri fizike, për të gjitha brezat që u lindën, jetuan e nuk u takuan. Hasani rrezaton ditë e jetë për njeriun e vendit të tij, mirëpo, koha e ndjekjet e sundimeve barbare e bënë të veten, ndërkaq, lutjet e dashuria e autorit mundën këtë të keqe dhe njeriu i tij është hero i dashurisë, bashkimit të ëndrrave për të parët e tij. Në këtë cikël poetik poezitë e Hasanit kanë ortoepinë e unifikuar në vija të kornizuara, të cilat janë medituar e peshuar në koordinimin e mesazhit dhe të pikëtakimeve të pritjeve të gjata nëpër kohë, ato reflektojnë krenari dhe dinjitet të mirditorëve si visar për të gjitha kohët .
Sinonimi Sonetik në trinomin kromatik me veçanti akustike
Në pjesën e dytë të librit, të cilën autori e titullon “Tri kurora”, ai ka bashkëbiseduar me tri personalitete emblematike të kulturës sonë, i pari ka shkruar e vepruar në periudhën midis Dy Luftërave Botërore, Gjergj Fishta, kurse dy personalitetet Anton Çetta në Kosovë dhe Dom Anton Kçira, famullitar në Detroid të SHBA-ve kanë vepruar në të njëjtin kohë, por në vende të ndryshme. Sonetet kushtuar Gjergj Fishtës, janë pjesë e bashkëbisedimit në përkufizim të skalitjes së figurës e veprës së anatemuat të njërit ndër figurat kulmore të këngës epike, e cila vjen me përmbajtjen dhe me vlerën artistike të papërsëritshme në letërsinë shqiptare. Komunikmi me veprat e Fishtës në sonetet e Hasanit nuk janë referenca predikuese, në realitet ato janë perla të poezisë, të cilat vijnë si stoli me reflektime e ruajtje në shkëlqim të lavdisë dhe krenarisë së papësërtishme në luftën për liri, si dhe ato të ofrojnë estetikën në shkrirjen e penës për kandilin fishtian. Në këto portretizimie sonetike, trinomi artistikë bartë në vete melodi që shkëlqen arealin letrar të kulturës kombëtare. Në evokimet për figurën e Anton Çettës dhe Dom Anton Kçirës, autori ka dhënë modalitetin e tyre si shembulltyrë të një kohe që kanë shpërndarë rrezatimet e tyre në fund të shekullit XX. Me këta dy protagonistë, autori ka komunikuar në përditshmëri dhe fjala e tyre ka bartur mesazhet, si fiksion në këndvështrimet e ngjarjeve edhe të ditëve tona, të cilat kanë rilindur shpresën e humbur në ditët më të rënda të okupimit. Fjala e gjallë në lëndinat e pajtimeve ka prekur zemrat e lënduara të njeriut tonë.
Poashtu, figura e Dom Anton Kçirës në sonetet e Hasanit vjen e ruan rikthimin e tij në atdhe përmes largësive. Ai ka transmetuar kudoherë ku ka ligjëruar traditën e vendit. Hija e vendlindjes dhe aroma e kreshtave të atdheut ka ruajtur mallëngjimin e trishtuar të ditëve më të egra. Në këto relacione problemet e dhembjet e ditëve, netëve të mundimshme kanë mundësuar ndërmjetësimin e zhvendosjes së ngjarjeve në trokitjen e portës, ku njeriut i thuhet hyn brenda, e thuaje atë që ndjen. Mirëpo, në poezinë e Hasan Hasanit-Përkola, thelbsore është kurorëzimi i të bëmave me fjalën artistike. Qartësia e meditimit në parashtrim të idesë konkretizon frymën e koduar në poezi, e cila të ambienton nëpërmes vargjeve:
Një vend n`ballë oxhaku përherë i ruhet mikut
N`dekë e dasma n`Dushkajë midis nesh qëndron-
Roje këtu në kulla, pararojë përtej Atlantikut!
Fq. 125
Nga këto vargje vërejmë poetikën funksionale, e cila ka shfaqur imazhin e vendlindjes në ndërlidhshmëri për të parë etikën e njeriut, bartjen e ëndrrave të vendlindjes për një ditë të lirë. Trinomi i soneteve ka veçantitë e veta dhe unifikimin bazë për të arritur në zbërthimin brendshëm të etnikumit tonë. Konsideroj se autori më këto përzgjedhje ka shkrirë e bashkuar mungesën e unitetit tonë që i ka munguar e po i mungon edhe në ditët tona spektrit politik. Të tre personalitetet në veprën e Hasanit jetuan e vepruan për t`i dhënë kulturës sonë vlera të arritshme. Gjergj Fishta, tërë opusin letrar e vuri në shërbim të mendjes e zemrës për çështjen kombëtare dhe është ndër të rrallët që me veprën e tij haptazi shpalosi demagogjinë Evropiane, si bartëse e përkrahëse në copëtimin e tokave shqiptare. Anton Çetta në misionin e pedagogut në universitet me studentë dhe mbledhësin e fjalës shqipe në terren krijoi lidhje dhe besim te masat e gjera popullore për të realizuar qëllimet e kohës në Pajtimet e Gjaqeve në Kosovë. Dom Anton Kçira nga vendlindja ruajti e barti dashurinë përtej valëve të Atlantikut. Diskriminimi i shoqërisë shqiptare në atdheun e tij, tek ai u ruajtën këto plagë, ai gjithmonë barti, e bëri përpjekje për t`i shëruar dhembjet e popullit të tij. Në vargjet e Hasanit roli i tij determinon përpjekjet e dy të parëve në realizim të lirisë për popullin tonë. E rëndësishmja qëndron në kontekstin e vazhdueshëm të vlerave artistike e njerëzore, duke vë në sprovë fjalën e tyre, autori në poezitë sonetike ka bashkuar atlasin natyror me gdhendjen artistike si veçantitë mjeshtërisë, për të vë në kurorëzim qenien tonë të pandarë.
Trashëgimia në biografi si thesar dhe klasifikim i admirueshëm
Tiparet artistike në poezitë kësaj pjese, që autori i përcakton në librin e tretë “Mirditorë”, janë figura të dalluara , të cilat karakterizojnë aktivetitn e tyre në përcaktim të ngritjes sa më të lartë të intelektualitetit shkencor e artistik. Këto personalitet që i kanë rrënjët në Mirditë, kurse shtrirjen e shtatit e rritjes së tyre intelektuale e kanë shfaqur nëpër qendrat e ndryshme Evropiane kanë treguar afinitetet e tyre si dije dhe fenomen të dalluar estetik. Këto personalitete Hasan Hasani-Përkola i ka shenjaur për të komunikuar në vargje, e për t`i saktësuar ata në idetë e shfaqura si trashëgimi në vlerësim e inspirim për brezat që vijnë. Numëri i mirditorëve në këtë pjesë të librit ka diapazon të gjerë në njohjen dhe shpërndarjen e mendimit njerëzor. Poezia e Hasanit në këtë kontekst, ka risjellur në njohje e rinjohje të vlerave kulturore , të cilat në poezi shfaqen të letrarizuar dhe njëkohësisht begatojnë edhe faqet e historisë me impulsim të njohjeve më të thella të biografive të tyre.
Poezia si realitet dhe poezia e koniuktuar nëpër kohë të ndryshme, e në formë të pashkruar ka shfaqur mospajtimet me kohën totalitarizmit, siç është poezia ”Gjon Marka Gjoni”, në vargjet e saja autori bukur ka trajtuar fjalën e njeriut tonë. Si rebelim dhe mospajtim me nëpërkëmbjen e Gjon Marka Gjonit e shumë të tjerëve, deri në përdhosje të veprës e dinjitetit të tyre.
Çka është ky far libri
Që Derën e Kapedanit
Kryebajrakut të Mirditës
E njollosun me fjalë të liga!
Fq.147.
Sa e sa ngjarje e personalitete, janë mbuluar nga pluhuri i harresës edhe pse veprat e tyre kanë qenë në shërbim të atdheut e mbrojtjes së vendit tonë. Poezia si e këtillë në këto vargje është dokumentaritet dhe biografi e ruajtur në kujtesën e popullit. Për të ruajtur fjalën e prindërve si testament edhe përtej kohës që ka nëpërkëmbur personalitetet e çmuara kombëtare, e veçmas figurat me dinjitet dhe mospërkulje në kohë të liga.
Mirditorët në poezinë e këtij libri,kanë koloritin e vlerave ekzistuese nga të pasuarat, ata-ato kanë krijuar vepra monumentale në atdhe e jashta atdheut të tyre, këto vlera janë diktojnë në hulumtime për statuset e tyre, si dhe shfaqjet e vizionit nëpër kohë. Mirditorët kanë lashtësi e traditë në mëvetësimin e tyre, e këto veçanti autori i specifikon nëpër poezitë përkushtuese, të cilat janë referenca, ato të japin ide në transmetim të zhvillimeve të përtejme.
Qëndrueshmëria artistike në poezinë e Hasanit ka gërshetim ngjarjesh, ato kanë ruajtur, krijuar reliktet nga kohët e vjetra deri në ditët tona. Këto ruajtje e kontinuitete, poezinë e tij e radhisin në lartësi artistike me forcimin e fjalës në epitete lapidarësh për figurat që i mbijetojnë kohëve. Në disa poezi të Hasan Hasanit-Përkola, zhvillohet dialogimi me protagonistë, të cilët bënë histori. Këto dialogime janë të lira, ato sikur shpalosin dashurinë e mallin për kohët e shkuara. Malli e dashuria për të kaluarën, vjen në poezi për ftesat e domosdoshme jo vetëm për çmallje, ato bëhen edhe si retrospektivë e kujtesë për të lidhur të kaluarën, e që disa ngjarje veç kanë marrë tiparet e këngëve apo janë krijuar për to edhe legjenda. Të gjitha këto kërkesa, autori i vë në funksion të ardhmes për Mirditorët dhe Dushkajën e tij. Kështu, këto urata janë ruajtur si pikturë në malet e vendit tonë andej e këndej, sepse ngjyrat e vjeshtës të këtyre maleve diktojnë në peizazhet që janë ruajtur në thellësitë e zemrës së poetit.
Libri përmbyllet me pjesën: ”Unë Mirditori” dhe poezinë ”Këngë për vete dhe Përkolajt”. Poezia intime në ruajtje të personalitetit e trungut familjar, gjithnjë në moshën e pjekurisë e më shumë në atë pleqërisë kërkon zbardhjen e udhëve të fatit. Në këto relacione përvojash shkrimore Hasan Hasani-Përkola, ka vrojtuar, duke i dhënë rëndësi të veçantë përtëritjes në zanafillë. Kuptohet në këtë epilog poetik ai ka prekur ditët e rënda dhe ditët e pritjes në familjen Përkola, si dhe familjeve tjera në Jaballnicë, sepse të gjithë ata që punuan e vepruan për të mirën e vendit, paguan haraçin e sunduesve me jetën e tyre. Përkundër këtyre krajatave jetësore, poezia e tërësishme e këtij vëllimi specifikon në dy arritje të konsiderueshme për vlerën që ka brenda kopertinave. E para është se autori ka ruajtur kontinuitetin e gjakut për të mos e lënë në varshmëri e hipoteza të ndryshme ecjent e lëvizjet e njeriut tonë nëpër ndërrim motesh e konfeksionesh. E dyta dhe esenciale është se autori ka begatuar opusin artistik me vlera origjinale si dhe fjalën artistike e ka determinuar në mision të transmetimit për të faktorizuar letrat shqipe edhe me këtë problematikë shkrimore.
Poeti këndon, afirmon, shprish kohët, begaton të sotmen dhe të ardhmen, muza poetike e Hasanit ka depërtuar deri në frymëmarrjen e ëndërruar për të parë nga afërsia metamorfozën e shoqërinë shqiptare,dhe si e këtillë poezia e këtij vëllimi poetik zgjon kureshtjen, flladitë ambientin jo vetëm të Mirditës, por ajo e shton besimin dhe krijon modalitetin për interpretime të vazhdueshme, sepse poezia në melodinë e saj, krijon evoluimin në sendërtim të madhërishmes përmes dritës e fjalës magjike. Këto elemente sa origjinale , e sa kuptimplota janë të pranishme në të gjitha poezitë e këtij vëllimi. Vepra ka strukturim e ndërtim të kënaqshëm në ligjërim, me frazeologjinë e pasur gjuhësore si dhe me konfiguracionin e në imazhet që të jep në veçanti kjo trevë shqiptare e begatuar në artikulim e shtjellim të realizuar artistikisht bukur. Qartësia për Mirditën e Mirditorët valëzon në fuqinë e penës, në melodinë e vargjeve në lexim e përjetim të kënaqshëm.
Dardanë, më 15 qershor 2020

You Might Also Like