Futboll

Futbolli duhet të bashkojë…

Këtë verë, veteranët e futbollit të SC Gjilani kanë qenë tejet aktivë, duke organizuar disa ndeshje miqësore sa me Kumanovën, Dritën, me gjermanët e Darmshtatit e së fundi edhe me Kosovën e Cyrihut.

Gjithnjë, pas këtyre mbrëmjeve janë organizuar edhe takime e mbrëmje të përbashkëta, në të cilat janë kujtuar ngjarje nga e kaluara dhe kanë kaluar me plot gëzim e hare.

Në mbrëmjen e fundit, që e kanë organizuar futbollistët veteranë të Gjilanit dhe Kosovës së Cyrihut e shpenzimet e së cilës i ka mbuluar komuna e Gjilanit, gjegjësisht Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport, për një kohë ka qëndruar edhe nënkryetari i degës së LDK-së në Gjilan, Arbër Ismajli, i cili do të jetë edhe kandidat i degës së LDK-së për kryetar të Gjilanit.

Ismajli, i cili nuk ka mbajtur ndonjë fjalim, por që vetëm është përshëndetur me futbollistët veteranë, më pas ka dalë me një postim në faqen e tij në facebook, të cilin po e botojmë të plotë:

Në një atmosferë vëllazërore dhe sportive, sot në qytetin e Gjilanit u zhvillua një ndeshje miqësore futbolli mes veteranëve të KF Gjilanit dhe miqve tanë Kampionët e Veteranëve të Zhurich nga Zvicra.

Takimi, që u karakterizua me respekt të ndërsjellë dhe nostalgji, solli emocione të veçanta për të pranishmit, duke forcuar lidhjet e bashkëpunimit dhe miqësisë ndërmjet komunitetit sportiv të Kosovës dhe mërgatës shqiptare në Zvicër.

Përveç rivalitetit sportiv të shëndetshëm, ndeshja u shndërrua në një festë të vërtetë futbolli dhe bashkimi, ku përmes këtij aktiviteti u përcoll mesazhi i vlerësimit për kontributin e sportistëve të dikurshëm dhe ruajtjen e lidhjeve të forta kombëtare.

Falënderojmë të gjitha palët për pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin, ndërsa zotohenk se aktivitete të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen për të forcuar edhe më shumë urat mes sportit dhe bashkatdhetarëve tanë jashtë vendit.

Mirëpo në këtë veprim të nënkryetarit, ka reaguar Kushtrim Zeqiri, drejtor për Kulturë, Rini e Sporte në Gjilan, i cili ka dalë me një reagim publik, të cilin po e botojmë të plotë:

Në cilësinë e Drejtorit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndjej obligim institucional dhe moral të reagoj për një situatë të papërshtatshme që ndodhi sonte gjatë darkës zyrtare me sportistët dhe futbollistët tanë SC Gjilani-Veteranët dhe FC Kosova Veteranet-Zürich, të organizuar me qëllim mirënjohjeje për përfaqësimin e dy qyteteve dhe sukseseve të tyre në fushën e sportit.

Kjo darkë ishte e organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në koordinim me Kryetarin e Komunës, dhe kishte karakter institucional, larg çdo ngjyrese politike apo fushate zgjedhore.

Fatkeqësisht, prezenca e ish nënkryetarit të komunës dhe nënkryetarit të LDK-së në Gjilan, në këtë aktivitet, pa ftesë dhe pa paralajmërim, ka cenuar seriozitetin dhe qëllimin e kësaj mbrëmjeje. Ndërhyrja e tij në një ngjarje të tillë, në nje darkë mes futbollistëve dhe vetëm për futbollistët, në kohë para fushate, mund të perceptohet si tentim për përfitim politik nga mundi i sportistëve tanë, gjë që është joetike dhe e papranueshme.

Ndërhyrjet e tilla në aktivitete të karakterit institucional, pa asnjë ftesë dhe koordinim me organizatorët, përbëjnë mungesë respekti për institucionin, sportistët dhe qytetarët që presin etikë dhe korrektësi nga figura publike.

Ftoj të gjithë akterët politikë të respektojnë kufijtë institucionalë dhe të mos përdorin sportin, i cili është fushë bashkimi, për ndasi apo përfitime elektorale.

Respekti për institucionet është respekt për qytetarët.

 

Pas këtyre zhvillimeve, ka reaguar edhe Kryesia e FC Kosova nga Cyrihu, e cila ka kërkuar që sporti të mos përdoret për qëllime politike. Ja postimi i plotë i tyre, i nënshkraur nga kapiteni Begzad Ibishi:

 

Me keqardhje dhe habi kemi pranuar deklaratën e bërë nga Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Gjilan, z. Kushtrim Zeqiri, lidhur me pjesëmarrjen e z. Arbër Ismajli në darkën miqësore të organizuar nga klubi ynë FC Kosova në nder të veteranëve të futbollit SC Gjilani dhe FC Kosova.

Në emër të klubit dhe si kapiten i ekipit, dua të theksoj se z. Arbër Ismajli ishte i ftuar zyrtarisht dhe me respekt të plotë nga ana jonë. Ftesa ndaj tij nuk ka pasur asnjë prapavijë politike, por ishte një shprehje mirënjohjeje për mbështetjen e vazhdueshme që ai i ka dhënë sportit, komunitetit tonë në mërgatë dhe vetë klubit FC Kosova Zürich ndër vite.

Për ne, sporti është vend i bashkimit, jo i ndarjes. Është hapësirë respekti për të gjithë ata që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë. Është e papranueshme që një pjesëmarrje në një darkë miqësore të paraqitet në opinion si ndërhyrje apo si përpjekje për përfitim politik.

Deklaratat që cenojnë figura që kanë qenë gjithmonë pranë sportit, pa dallime politike apo pozita, janë të dëmshme dhe përçarëse. FC Kosova nuk është arenë e debateve politike dhe nuk lejojmë që veprimtaria jonë të përdoret për qëllime të ulëta.

Apelojmë për më shumë maturi dhe respekt nga institucionet vendore në Kosovë, veçanërisht kur flasim për sportin, një fushë që duhet të na bashkojë dhe jo të na ndajë.

Me sportivitet, korrektësi dhe respekt për secilin që kontribuon:
Kapiteni i FC Kosova Zürich,
Begzad Ibishi

Në cilësinë e ekipit mikpritës ka reaguar edhe ekipi I veteranëve të Gjilanit. Statusin e të cilëve po e botojmë të plotë:

SC Gjilani – Veteranët ka për qëllim të promovojë sportin, rekreacionin dhe miqësinë përmes futbollit, larg çdo lloj ngjyrimi politik.

Ekipi ynë merr pjesë në gara dhe aktivitete të ndryshme të veteranëve brenda dhe jashtë vendit, duke ruajtur gjithmonë fokusin tek vlerat sportive dhe bashkëpunimi mes klubeve.

Me këtë rast, falënderojmë FC Kosova nga Cyrihu dhe ekipin nga Darmstadt për ndeshjet miqësore dhe atmosferën e shkëlqyer që krijuam së bashku.

SC Gjilani – Veteranët respekton të gjitha partitë politike dhe bindjet e secilit individ, por kërkojmë me mirëkuptim që politika të qëndrojë sa më larg futbollit dhe aktiviteteve tona sportive.

Sporti bashkon — futbolli është për të gjithë!

Me respekt,

SC Gjilani – Veteranët

You Might Also Like