OPINION

Gjaku i Reshat Ymerit në themel të lirisë

 Shkruan: Ismet Rashiti

 

Dëshmori, Reshat Ymeri është njëra nga figurat më emblematike e viteve më të rënda që po përjetonte populli shqiptar nën thundrrën e egër serbe.

 

Në dekadën e fundit të shekullit XX, shqiptarëve autokton të mbetur padrejtësisht nën ish Jugosllavi, po iu mirreshin me tanksa edhe ato pak të drejta kulturore e arsimore të fituara pas demonstratave historike të vitit 1968. Suprimimi i autonomisë dhe okupimi klasik i Kosovës nga Serbia, po kundërshtohej me të gjitha forcat nga rinia dhe mbarë populli shqiptar. Kishte nisur kështu një valë e madhe protestash, grevash e demonstratash në të gjitha qytetet e  Kosovës.

Kjo valë e madhe revoltash, kishte shpërthyer edhe në Gjilanin e Idriz Seferit, Mulla Idrizit, Ramiz Cernicës, Kadri zekës, Rexhep Malajt e Nuhi Berishës, Zijah Shemsiut, Agim Ramadanit e shumë e shumë patriotëve gjilanas të cilët brez pas brezi luftuan e derdhën gjak në mbrojtje të drejtave kombëtare shqiptare.

Kësaj trashigimie të lavdishme atdhetarësh, i përket edhe dëshmori, Reshat Ymeri, ky djalë sypatrembur gjilanas, i cili me kohë ishte radhitur në ballë të demonstratave për liri e pavarësi.

I lindur një vit pas ngjarjeve të mëdha të motit 1968, në një familje me traditë patriotike, Reshati ishte rritur me mësimet e babait Zeqirja dhe ninullat e nënës Eshrefe Arifi nga fshati Cernicë.

Shkollën fillore e mbaron në « Musa Zajmi », ndërsa të mesmën në shkollën teknike- drejtimi Elektro Saldues të Gjilanit. Menjëherë brenda viteve 1987-1988, e marrin në shërbimin ushtarak ish jugosllav në Shtip, ku rastisë të jet së bashku me vëllaun e ish të burgosurit politik, atdhetarit, Ilmi Ramadani. « Sa herë që flisnim në telefon na rrëfente se është bashk me Arbresh Ramadanin. Na tregonte se po e maltretojnë Arbreshin për shkak vëllaut të burgosur politik dhe veprimtar që nga viti 1668. Thonte se gjithnjë dhe kudo është bashk me te, po e mbronë dhe po e ndihmon sa po mundet », thot tani pas kaq shumë vitesh, vëllau Rashit Ymeri.

Në qershor të vitit 1989 shkon në Zvicër dhe vendoset në Kantonin Graubinden. Në dhjetor të këti viti kthehet për pushime në vendlindje. Me vehte kishte marrë edhe një komunikatë të LPRK-së të cilën ua kishte dhënë ta lexojnë të gjithë anëtarëve të familjes dhe miqëve. « Po me atë komunikatë të LPRK-së në xhep delë në demonstrata. Para se të nisej, nëna i thot : » O Reshat, rri biro, ti mos dilë në demonstrata se sapo je punësuar në Zvicër e po ta marrin pasaportin ! Qe është Rashiti dhe Sedati, le të dalin këta. Reshati duke buzëqeshur, i thot se secili për vete delë », kujton me dhembje e krenari të madhe, pas kaq shumë vitesh vëllau, Rashiti.

I revoltuar nga padrejtësitë dhe  forcat e mëdha policore, Reshati radhitet në ballë të demonstruesve. Duke e parë trimërinë e pashoqe të këti djali sypatrembur, policia serbe gjuanë nga autoblinda, ku edhe plagoset për vdekje në lagjen e Shqiponjave (Gavran), te posta e vogël. Nëna, daja dhe babai, sa e sa herë na kanë treguar se para se të dilte nga shtëpia, Reshati, u kishte thënë : «  Ju pleqtë rrini në shtëpi. Ne të rinjtë dalim dhe vritemi në demonstrata ». Këto fjalë dhe kjo parandjenjë e Reshatit, sot e asaj dite kujtohet  pothuaj orë e çast dhe si të thuash ka mbetur si amanet i dëshmorit të pavdekur.

I plagosur rënd, kishte hyrë në një shtëpi të njohur gjilanase, e cila menjëherë e kishte informuar familjen Ymeri. Të nesërmën inspektorët e shqiptarë të sigurisë, shkojnë në familje me marrë deklarata, duke iu bërë provokime nga më të ndryshmet në ato momente të rënda. Më datën 30 janar 1990, familjarët shkojnë në Sekretariatin e Punëve të Brendëshme në Gjilan të informohen dhe natyrisht me marrë kofomën. Aty u thonë se kufoma është në Prishtinë dhe ne ua sjellim në ora dymbëdhjetë.  Meqë nuk e kanë sjellur kufomën ashtu siç kishin deklaruar, familja sërish është paraqitur në ora dymbëdhjetë e gjysmë në policinë e Gjilanit, e cila i ka udhëzuar me shku me marrë kufomën në morgun e spitalit të Prishtinës. « Kanë shku disa të njohur të familjes, e kanë marrë dhe e kanë sjellur nën vëzhgimin e madh të forcave të policisë. Pjesmarrja në vorrim ka qenë tepër e madhe. Kishin vërshuar qytetarë nga qyteti dhe  nga të gjithë fshatrat. Ishte bllokuar i tërë Gjilani  nga policia e aramatosur deri në dhëmbë. Vorrimi ishte bërë me nderime të mëdha në orët e mbrëmjes të datës 30 janar 1990 », evokon kujtime sa të rënda, aq edhe madhështore, vëllau Rashiti, i cili poashtu gjatë gjithë këtyre viteve ka vepruar me të gjitha forcat për çlirimin e Kosovës.

Familja e dëshmorit Reshat Ymeri gjatë këtyre viteve është trajtuar njësoj si çdo familje dëshmorësh nga shteti. Me gjithë këtë ka vend dhe hapsirë që të bëhet edhe më shumë për dëshmorët pararëndës së UÇK-së dhe familjet e tyre. Në vitin 2014, dëshmori Reshat Ymeri me nderime të mëdha është rivarrosur në Varrezat e Dëshmorëve të Gjilanit, aty ku prehen eshtrat e të gjithë atyre që ia falën jetën lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës. Njohja e statutit të dëshmorit, më 12 prill të kti viti nga institucionet e shtetit është një hap më tepër se dëshmorët do t’a kenë vendin e merituar në të gjitha kohët.

Që nga 01 maji 2017, në hyrje të lagjës ku ka lindur, që mbanë emrin e dëshmorit, Reshat Ymeri, është vënë gurthemeli i bustit për dëshmorin, i cili ende nuk ka përfunduar.

Edhe tani, pas tri dekadash, emri i dëshmorit, Reshat Ymeri është skalitur si lapidar në zemrën e çdo shqiptari. Me respekt dhe përulje nderohet vepra heroike dhe shpirti liridashës, i këti burri të madh që i fali Gjilanit dhe mbarë Kosovës jetën në moshën më të mirë.

Gjaku i Reshat Ymerit sot shëndritë në themelin e shtetit të Kosovës si amanet se sa shumë duhet punuar e sakrifikuar për lirinë e vendit !

You Might Also Like