OPINION

Gjilanasit në Betejën e Kaçanikut gjatë Kryengritjes të vitit 1910

Shkruan: Mr. sc. Naim Musliu

naim

Qeveria xhonturke mori masa për shuarjen e kryengritjes së armatosur shqiptare me anë të forcës ushtarake. Për shtypjen e kësaj kryengritje ishte caktuar gjenerali osman Shefqet Turgut Pasha dhe filloi përgatitjet për ardhjen e tij në Shqipërinë Verilindore për ta realizuar planin e tij shtypës ndaj shqiptarëve.

Pas përgatitjes së planit të ekspeditës dhe përgatitjeve tjera, më 16 prill 1910, gjenerali osman Shefqet Turgut Pasha niset për në Kosovë. Ai arriti në Shkup me një ushtri prej 16 mijë ushtarëve. Nga Shkupi me tren shkoi drejt Prishtinës dhe u vendos në mes të Ferizajt dhe Lipjanit. Plani i nënshtrimit të kryengritësve do të fillonte në fushën e Kosovës pastaj do të vazhdonte në Dukagjin dhe në fund do ta nënshtronte Luma. Për të filluar ekspeditën gjenerali osman mori informacionet e nevojshme nga shërbimet sekrete dhe pastaj hartoi një plan operativ.

Në anën tjetër Lëvizja Kombëtare Shqiptare ishte për autonominë e Shqipërisë dhe të ketë përkufizim të qartë territorial brenda Perandorisë. Kurse ideator i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare ishe Ismail Qemali. Shqiptarët po bënin përpjekje për organizimin e një kuvendi të madh në Ferizaj, në të cilin kërkohej një administratë e veçantë për Shqipërinë. Po ashtu një tubim u mbajt edhe në fshatin Pozheran të kazasë së Gjilanit. Nga këto tubime drejtuesit e Lëvizjes Kombëtare arritën  të bënin marrëveshje për veprime të përbashkëta të mëtejshme. Për të arritur këtë qëllim, zhvillohej veprimtari nga Presheva deri në Lumë.

Fillimisht Shefqet Turgut Pasha nuk mori masa ushtarake. Ai, pas vendosjes së ushtrisë së tij në sanxhakun e Prishtinës dhe të Pejës, ftoi prijësit e Shqipërisë Verilindore të heqin dorë nga kërkesat e tyre dhe të shpërndaheshin, por në anën tjetër shqiptarët ishin të vendosur në kërkesat e tyre dhe kështu filluan të organizohen tubime ane kënd vendit.

Në tubimin e Pozheranit kishin marrë pjesë rreth 3000 kryengritës të kazasë së Gjilanit, Preshevës e Kumanovës. Sipas konsullit serb në Prishtinë, më 3 (16) prill 1910, thekson se në këtë tubim u vendos që të filloj kryengritja e armatosur dhe prisnin sinjalin për ta sulmuar Grykën e Kaçanikut. Ndërsa ishte marr vendim që ata të cilët do ta tradhtonin kryengritjen do të dënoheshin me konfiskim dhe shkatërrim të pasurisë dhe marrjen e masave të tjera. Për këtë u njoftuan edhe kryengritësit e kazasë së Preshevës dhe Kumanovës. Për këtë çështje në këto kaza një tubim u mbajt më 18 prill 1910 dhe u kërkua që të jenë të gatshëm për të marrë në dorë Grykën e Kaçanikut.

Një tubim tjetër u mbajt edhe në Viti, më 18 prill 1910, në të cilin morën pjesë rreth 4000 shqiptarë dhe pos tjerash u vendos që çdo shqiptar i aftë për pushkë duhet t’i bashkohet kryengritjes kundër ushtrisë osmane dhe si në tubimin e Pozheranit ata që nuk do të pranonin do të ketë masa ndëshkimore si: shkatërrimi i pasurisë, marrja e pushkës, të lëçiturit etj.

Në anën tjetër Shefqet Turgut Pasha iu drejtua edhe një herë vilajetit të Kosovës me një shpallje, me anë të së cilës tregonte qëllimin e ardhjes së tij në Shqipëri. Sipas tij ushtria nuk kishte ardhur për të derdhur gjak, por për të dënuar disa intrigant të cilët gënjenin botën dhe sillnin turbullira e trazira. Nga kjo shpallje drejtuar shqiptarëve nuk pati asnjë efekt, përkundrazi morali për të luftuar në radhët e kryengritësve shqiptarë ishte shumë i lartë.

Çetat kryengritëse shqiptare ishin kudo në vilajetin e Kosovës si në kazanë e Gjilanit, në Prishtinë, Pejë, Gjakovë, sidomos në Drenicë, Llap etj., ku numri i përgjithshëm i kryengritësve arrinte deri në 30 mijë.

Meqë shqiptarët nuk përfillën kërkesat e ushtrisë osmane, Shefqet Turgut Pasha filloi zbatimi i planit ndëshkimor ndaj popullsisë shqiptare. Ushtria osmane ishte vendosur përgjatë vijës hekurudhore Ferizaj-Mitrovicë dhe të ndarë në dy kolona. Pjesa e parë e ushtrisë do të vepronte në lindje të kësaj hekurudhe kurse pjesa tjetër në perëndim të saj. Një pjesë tjetër e ushtrisë ishte vendosur në mes Ferizajt e Lipjanit, ndërsa Gryka e Kaçanikut ishte lënë e pambrojtur.

Edhe prijësit e Lëvizjes Kombëtare organizuan strategjinë për t’iu kundërvënë ekspeditës së Shefqet Turgut Pashës, e cila ndahej në tri drejtime. Grupi parë i kryengritësve do të përqendrohet në aksin rrugor Ferizaj-Shtime, grupi i dytë do të dislokohet në Grykën e Kaçanikut dhe pjesa tjetër e kryengritësve shqiptarë do të operonin nëpër vise të ndryshme të Kosovës. Sipas konsullatës serbe në Shkup, drejtues të kryengritjes shqiptare ishin Isa Boletini, Idriz Seferi, Shaban Binaku, Bajram Daklani, Hasan Hysen Budakova, Ramadan Zaskoku etj. Gjithashtu, kjo konsullatë raportonte se grupin e parë të kryengritësve shqiptarë e udhëhoqën Isa Boletini, Hasan Hysen Budakova e Sylejman Batusha etj., të cilët u pozicionuan në Grykën e Caralevës, kurse pengimin e depërtimit të ushtrisë osmane nga Shkupi për në Rrafshin e Kosovës e udhëhoqi Idriz Seferi, i cili ishte në krye të kryengritësve të kazasë së Gjilanit, Preshevës dhe Kumanovës, kurse rruga Tetovë-Ferizaj do të mbrohej nga kryengritësit e Tetovës dhe Dibrës të udhëhequr nga Mehmet Pashë Deralla.

Më 20 prill 1910, Idriz Seferi në krye të 2000 deri 3000 kryengritësve nga kazaja e Gjilanit, sipas një marrëveshje me Bislim Hogoshtin dhe Ramadan Busavatën (Latifi) u vendosën në mbrojtje të Grykës së Konçulit. Në të njëjtën kohë, krerët e kryengritësve shqiptarë nga malësia e Zhegocit, Karadaku dhe Karadaku i Shkupit u mblodhën për një takim në Pozheran. Aty u mor vendim që kryengritësit të marshojnë në drejtim të Smirës, Sadovinës e Goshicës dhe të arrijnë në Grykën e Kaçanikut.

Gjatë rrugëtimit për në Kaçanik, Idriz Seferi si komandant kryesor e mbajti edhe një takim në Zabelin e Beqir Sadovinës, ku u vendos që:

  1. Të sigurohen sasi të mjaftueshme të materialit luftarak dhe të ushqimeve;
  2. Caktimi i njësive luftarake dhe drejtimi i lëvizjeve luftarake;
  3. Shpërndarja e armëve dhe municionit;
  4. Caktimi i komandantëve të grupeve luftarake duke pasur parasysh njohjen e terrenit nga ana e tyre;
  5. U caktuan shenjat e njoftimit dhe sigurimit të disiplinës luftarake;
  6. U caktuan njësitë e prapavijës dhe shtigjet për tërheqje eventuale;

Me propozimin e Idriz Seferit dhe pëlqimit të pjesëmarrësve në takim komandantë të njësive u zgjodhën Ramë Abdyli, Adem Kabashi, Sali Kupina, Feta Proshi, Mustafë Xhema dhe Shabi Kajolli.

Gjithashtu u hartua edhe plani i vendosjes së njësive kryengritëse në Grykë të Kaçanikut. Kështu, te tuneli i parë në jug të Kaçanikut, në të dy anët e urës mbi lumin Lepenc dhe në shpatet e “Gurit të Shpuar” u vendosën njësitë kryengritëse prej 1000 luftëtarësh të komanduara nga Fetah Proshi, Sali Kupina dhe Adem Kabashi. Nga këto njësi u zgjodh një grup për pengimin dhe ndaljen e trenit.

Më 22 prill 1910, ushtria osmane shkoi në drejtim të Caralevës për ta zhbllokuar rrugën Ferizaj-Prizren me një forcë prej 9 topa fushor, 8 topa malor dhe 8 pushkë mitraloz e të pajisur me një automobil lufte. Kryengritësit ia zunë pritën ndërmjet Shtimes e Godancit dhe e sulmuan, pastaj me hyrjen në Grykë të Caralevës u sulmua nga 5000 kryengritës të cilët e detyruan të kthehet mbrapa.

Pasi erdhën njoftimet nga të dërguarit e Hasan Hysen Budakovës për fillimin e luftës në Caralevë dhe fitores së forcave kryengritëse mbi ushtrinë osmane, 3 mijë kryengritës shqiptarë të kazasë së Gjilanit, Preshevës e Kumanovës, ku sipas njoftimit zyrtar të qeverisë osmane ishin të udhëhequr nga Idriz Seferi, Adem e Mustafë Kabashi, Sali Jupina, Hasan Lyta, Katil Ahmeti, Fetah Proshi e Hajdar Demoshi etj., me planin që e kishin krijuar më herët, më 23 prill 1910, ditë e shtune, kryengritësit ia dolën të shtinin në dorë Grykën e Kaçanikut.

Shefqet Turgut Pasha me marrjen e lajmit për vënien nën kontroll të Grykës së Kaçanikut nga kryengritësit shqiptar, ndodhej në pozitë të vështirë. Ndërsa, konsulli serb në Prishtinë më 11 (24) prill 1910 raportonte se lajmi për pushtimin e Grykës së Kaçanikut shkaktoi një kaos të përgjithshëm në radhët e ushtrisë dhe oficerëve osman në Ferizaj. Ky lajm për ushtrinë osmane që gjendeshin në thellësi të territorit të Kosovës ishte shumë i shkurajuar, të cilët për një kohë u bllokuan nga forcat kryengritëse, të cilët nuk guxonin të merrnin asnjë aksion.

Të nesërmen, më 24 prill 1910, në ora 7 e 30, te Guri i Shpuar në Kaçanik, kryengritësit ndaluan trenin e udhëtarëve Shkup – Mitrovicë. Në mesin e kryengritësve që e ndalën trenin ishin Sefedin Aliu nga Kishnapolja, Vesel Emini dhe Isuf Hajdari nga Tërpeza si dhe Rexhep Çaushi nga Kabashi. Ata çarmatosën oficerët dhe ushtarët osman që ishin në tren. Kurse vagonët me ushqim të dedikuar për ushtrinë e Shefqet Turgut Pashës i morën kryengritësit për nevoja të veta dhe e urdhëruan makinistin që ta kthente mbrapa trenin me udhëtarë.

Në telegramin e konsullit austro-hungarez në Shkup, z. Adamkiev të datës 25 prill 1910 dërguar ministrit të jashtëm austro-hungarez në Vjenë thekson se kryengritësit shqiptar morën Grykën e Kaçanikut dhe e kanë në dorë edhe Elez Hanin. Sipas këtij raporti në krye të kryengritësve ishte Idriz Seferi, ndërsa ngjarja ndodhi më 24 prill 1910. Në Kaçanik e ndalin trenin dhe i njoftuan drejtuesit e trenit që të mos transportojnë udhëtarë dhe me kërkesën e tyre të ndalin trenin, përndryshe  do të shtien me armë. Në një raport tjetër thuhet se 10 kryengritës e ndalën trenin dhe i çarmatosën 40 ushtar dhe disa oficer dhe 500 vullnetarë kryengritës e kontrolluan trenin, kurse në kodrinat përreth qëndronin rreth 5000 kryengritës, ku pjesa dërmuese ishin nga kazaja e Gjilanit. Gjithashtu, në një raport të Mita Dimitrejoviq, të datës 12 (29) prill 1910, i cili ishte nëpunës  i konsullatës serbe në Shkup, kishte përshkruar marrjen e Grykës së Kaçanikut nga kryengritësit shqiptar, shkruante se: “Të premten më 22 prill 1910, kryengritësit e Gjilanit  janë nisur për në Moravë dhe të shtunën më 23 prill 1910 futën nën kontroll Grykën e Kaçanikut dhe më 24 prill 1910 e ndalën trenin që qarkullonte prej Mitrovicës në drejtim të Shkupit”. Sipas këtij nëpunësi për dy ditë ishte ndalë komunikacioni dhe si prijës të kësaj përmend Idriz Seferin, Adem e Mustafë Kabashin.

Në mesin e udhëtarëve kishte edhe gazetarë të huaj të cilët po ndiqnin nga afër ekspeditat e Gjeneralit osman. Kryengritësit filluan të deklaroheshin para gazetarëve se iu kishte veshur pa drejtë emri reaksionar se ata nuk luftonin për të kthyer Sulltanin, por luftonin kundër xhonturqve për ta vetëqeverisur Shqipërinë. Ndër tjerash njëri nga kryengritësit ishte shprehur edhe me fjalët “Turqit nuk janë të zotët të na qeverisin”. Udhëheqësit e kryengritësve në Kaçanik kishin paralajmëruar përgjegjësin e stacionit hekurudhor në këtë qytet që të mos transportojnë ushtarë dhe municion në drejtim të Mitrovicës se për ndrysh do të ndërpritet linja hekurudhore.

Këto ngjarje që ndodhën në Kaçanik ishin pjesë taktike e krerëve të kryengritjes, por meritën më të madhe për këtë e kishte Idriz Seferi, prijës i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të Kazasë së Gjilanit e më gjerë, i cili ishte shquar si komandant dhe strateg i rrallë. Për mençurinë dhe strategjinë e mirë që përdorën prijësit e kryengritësve të kazasë së Gjilanit, Preshevës e Kumanovës njoftonte edhe konsulli austro-hungarez në Selanik, i cili parashtronte se shtënia në dorë e kësaj gryke ishte bërë me mençuri dhe se kjo fitore i detyroi shumë vëzhgues e gazetarë të supozojnë se në mesin e kryengritësve kishte edhe këshilltarë ushtarak austro-hungarez, por sipas këtij konsulli kjo tezë hidhet poshtë, sidomos të vrojtuesve e gazetarëve serb, sepse shqiptarët edhe në kryengritjet e mëparshme ishin shquar si strateg lufte.

Pas kthimit të trenit në Shkup,  u alarmua kryeqyteti i vilajetit të Kosovës se kryengritja shqiptare ishte shumë serioze dhe po e kërcënonte ekzistencën e Perandorisë Osmane në Ballkan. Ky qytet ishte pushtuar nga paniku, përveç lajmeve nga gazetarët e ndodhur në tren tjera informacione nuk shkonin andej. Nga frika se kryengritësit gjilanas po vërsulen drejt Shkupit si qendër e Vilajetit, autoritetet osmane përforcuan pozitat strategjike të këtij qyteti duke  vendosur ushtrinë osmane jashtë Shkupit në drejtim të Kaçanikut, e cila kërkonte përforcime ushtarake nga Selaniku. Për këtë njofton edhe korrespodenti i të përditshmes serbe “Politika” të Beogradit të datës  25 prill (8 maj) 1910, në artikullin “Lufta me shqiptarët” se rrallë herë ky qytet dhe në veçanti komiteti “Bashkim e Përparim” u gjend në një shqetësim kaq të madh si kësaj radhe. Drejtuesit e këtij komiteti mendonin se nga kryengritësit shqiptarë do të kenë dëme të pazëvendësueshme. (Vazhdon)

You Might Also Like