ARSIMI

Gjilanasja Qëndresa Morina, në matematikë mbaron studimet e doktoratës në Çeki

Qëndresa Morina, mësimdhënëse e matematikës në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” dhe asistente në Fakultetin e Edukimit me sukses ka mbrojtur disertacionin e doktoratës në Fakultetin e Edukimit “Charles University” në Pragë të Çekisë, shkruan kryelajmi.com

Është ky një sukses i madh i kësaj matematikane të re, e cila gjatë studimeve ka arritur rezultate që e bëjnë krenarë jo vetëm Gjilanin, por mbarë Kosovën.

Qëndresa Morina që nga viti 2020 është mësimdhënëse e matematikës në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan dhe ka marrë pjesë në shumë trajnime, debate e konferenca shkencore. Ajo gjithashtu ka marrë pjesë në komisionin  për rishikimin e librave të matematikës, organizuar nga MASHT-i.

Ajo gjithashtu është asistente e angazhuar në Universitetin e Prishtinës – Fakulteti i Edukimit – Mësimdhënia nga fusha e Edukimit Matematikorë për studentët e nivelit të parë dhe të dytë të studimeve, ku ka ligjëruar lëndët: Statistika në arsim, lojëra matematikore, lojëra matematikore, koncepte matematikore në fëmijërinë e hershme, Matematikë fillore, Matematikë fillore II, Përdorimi i teknologjisë në arsimin matematikor, Mësimdhënia e algjebrës, Historia e arsimit matematikor, Mësimdhënia e gjeometrisë, Arsyetimi matematikor dhe zgjidhja e problemave matematikore.

Ishte edhe mësimdhënëse e matematikës në shkollën e mesme të ulët – “THE BRITISH SCHOOL OF KOSOVO”, pastaj pjesëmarrëse në shumë konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit e aftë në menaxhim dhe udhëheqje, aftësi të komunikimit dhe ndërpersonale.

Të pranishëm në këtë sukses të madh të profesoreshës Qëndresa Morina ishin edhe ambasadorët e Shqipërisë dhe të Kosovës në Çeki, Ilir Tepelena dhe Albesjana Ibërhysaj.

Mentorja e saj, Nada Vondorova e ka çmuar lart punën e saj gjatë tërë studimeve, kurse babi i saj, Esat Morina ka shkruar:

“Sot, zemra më rreh ndryshe – plot krenari, gëzim dhe një ndjenjë që nuk mund të shpreh me fjalë.

Vajza jonë, Qëndresa, sapo ka fituar titullin PhD në Charles University në Pragë.

Rruga nuk ishte e lehtë: netë pa gjumë, sfida të shumta dhe sakrifica të panumërta. Por me përkushtim, mençuri dhe një zemër të madhe, ia dole!

Ti je shembulli më i mirë, që ëndrrat bëhen realitet kur nuk dorëzohesh.

Jemi pafundësisht krenarë për ty, doktoreshë e zemrës sonë! “

Dr. sc. Qëndresa Morina ka theksuar se është ky përfundimi i një rrugëtimi që nisi me një ëndërr, u ndërtua me përkushtim dhe u kurorëzua me sukses.

Ajo është shprehur mirënjohëse për familjen që gjithmonë i besuan, profesorët që e frymëzuan, dhe miqtë që i qëndruan pranë.

Qëndresa është gati për kapitullin e radhës. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like