Gjilan, 11 janar 2019 – Komuna e Gjilanit ka fituar grantin e radhës në vlerë prej 100 mijë euro nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për Performancën e mirë në kuadër të aksionit “Ta Pastrojmë Kosovën”.
Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka falënderuar ministrin Matoshi për vlerësimin e lartë për Gjilanin, duke thënë se ky grant është edhe një motiv shtesë për të punuar në mënyrë permanente për një ambient më të mirë.
“Pas grantit prej 300 mijë euro që e kemi marrë para ca ditësh nga organizata zvicerane DEMOS, lajmi i mirë është që kemi fituar edhe 100 mijë euro të tjera nga Ministria e Mjedisit për fushën e pastërtisë. Të dyja këto grante do të investohen në infrastrukturë publike dhe projekte për komunitetin”, ka thënë Haziri.
Përndryshe, javë më parë ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, gjatë një vizite që i ka bërë Gjilanit, e ka vlerësuar këtë komunë si model sa i përket angazhimit në fushën e pastërtisë.