Futboll

Gjilani ia vështirëson punët Prishtinës

Prishtina – Gjilani 0:0

Gjilani ka nxjerrë një pikë të artë në ballafaqim me Prishtinën, kurse të dy ekipet mund të vajtojnë për tri pikët që nuk i morën.

Pjesa e parë e ndeshjes ka qenë e baraspeshuar, pa raste të mira shënimi dhe sikur ekipet prisnin që të gabojë kundërshtari për ta shfrytëzuar atë gabim.

Në këtë pjesë të lojës, ka qenë Prishtina që ka patur një rast paksa më të mirë nëpërmjet Abazit në minutën e pestë, por që Koliçi ka shpëtuar portën e tij. Në minutën 12, lojtarët e Gjilanit kanë pretenduar për një penalti, por që gjyqtari nuk ishte i atij mendimi. Nga pjesëloja e parë mund të veçohen rastet e Krasniqit të Prishtinës dhe të Prognit të Gjilanit, por në të dyja rastet portierët ishin në vend.

Pjesëloja e dytë ishte më dinamike dhe më me shumë raste shënimi. Gjilani rastin më të mirë e pati në minutën 54, kur Musolli gjuajti për mrekulli, kurse topi u përplas për shtylle dhe u kthye në fushë. Prishtina kërkonte golin, por mbrojtja e Gjilanit në këtë ndeshje ishte shumë e sigurt, kurse kryetrajneri i tyre Zekirija Ramadani u mundua që nëpërmjet zëvendësimeve të freskojë ekipin e tij.

Prishtina pas shumë mësymjeve, rastin më të mirë e pati në minutën e parafundit, kur ka fituar një penalti të lehtë. Besnik Krasniqi mori përgjegjësinë që të gjuaj nga pika e bardhë dhe gjuajti furishëm në mes të portës, kurse portieri i Gjilanit Enea Koliçi ndonëse ishte shtrirë, në anën e majtë zgjati dorën prapa dhe e priti topin e më pas lojtarët e Gjilanit evituan këtë rast të mirë shënimi. Në fund Prishtina – Gjilani 0:0.

kryelajmi.com

You Might Also Like