Gjilan

Gjilani ka mundësi të mira për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik

 

 

Në organizim të Institutit për Demokratizim, Avokim dhe Transparencë në Gjilan u mbajt tryeza me temën: “Bashkëpunimi ndërmjet deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, pushtetit lokal dhe qytetarëve për zhvillimin e Rajonit të Gjilanit.”

Fillimisht, Sali Rexhepi, drejtor i këtij Instituti ka theksuar se qëllimi i tryezës është të nxisë dialogun dhe bashkëpunimin ndërmjet deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, pushtetit lokal, komunitetit të biznesit dhe qytetarëve të komunës së Gjilanit, me qëllim të identifikimit të mënyrave konkrete për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe pjesëmarrjen qytetare në funksion të zhvillimit më të përshpejtuar dhe të qëndrueshëm të komunës së Gjilanit.

Rexhepi është ndalë tek zhvillimet në Kosovë, duke i krahasuar ato me vendet e rajonit dhe evropiane.

Në tryezë morën pjesëedhe kryetari i komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni, i cili paraqiti të dhënat e investimeve kapitale gjatë mandatit të tij, rreth 130 milion euro.

Pasi ka theksuar se në komunën e Gjilanit ka një rënie të popullsisë në krahasim me regjistrimin e fundit, Hyseni nuk e la pa theksuar se ky trend mbretëron kudo në Kosovë, por ka shtuar se Komuna e Gjilanit është radhitur si komuna e katërt më e madhe në Kosovë. Ai ka përmendur tetë projektet e mëdha që janë duke ndodhur në Gjilan si Stacionin e Autobusëve, Qendrën e Kulturës, Rrugën “Hamdi Kurteshi”, Qëndrimin Ditor, Stadiumin e Qytetit, Shkollën e Mesme të Mjekësisë e projekte të tjera që do të realizohen me të cilat besohet se investimet do të arrijnë në rreth 150 milionë euro.

Deputetë të Kuvendit të Kosovës nga komuna e Gjilanit Arjeta Rexhepi dhe Liza Gashi,  diskutuan mbi rëndësinë e bashkëpunimit të deputetëve me bizneset dhe qytetarët e Gjilanit për t’i adresuar kërkesat dhe propozimet e tyre; drejtorët e drejtorive komunale. Ato thanë se kanë ngritur shumë çështje në Kuvend se në Gjilan ka përmirësim të dukshëm ekonomik dhe se edhe mërgata po luan rol të madh.

“Gjilani ka fituar më së shumti nga niveli qendror”, thanë Rexhepi e Gashi.

Drejtorët komunalë  Enver Shabani, Shpend Nuhiu dhe Kushtrim Ibrahimi diskutuan për punën e fushave që i mbulojnë. Prorektori i UKZ, prof. Dr. Naim Mustafa diskutoi mbi rëndësinë e përgatitjes së kuadrove për kërkesat e tregut dhe zhvillimit ekonomik e Mujedin Qeqiri nga Agjencia për aftësimin profesional profesional, Fadil Osmani nga Drejtoria për buxhet, përfaqësues të bizneseve lokale Mejdi Zymberi, Aziz Sabedini dhe Gani Kastrati, nga shoqëria civile dhe qytetarët diskutuan Enver Gjymshiti, Nexhat Xhelili, etj.  folën për sfidat dhe perspektivat e zhvillimit ekonomik të komunës së Gjilanit.

Në fund të kësaj tryeze u nxorën këto rekomandime:

  • Krijimi i një Platforme të përhershme të komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pushtetit lokal, komunitetit të bizneseve, shoqërisë civile dhe qytetarëve;
  • Zhvillimi i një agjende të përbashkët rajonale që i adreson sfidat dhe perspektivën e zhvillimit në infrastrukturë rrugore dhe infrastrukturë biznesore, si themelimin e një Parku të Biznesit ose të Zonës së Lirë Ekonomike në rajonin e Gjilanit;
  • Rishikimi i korrikulave shkollore parauniversitare për përfshirjen e mësimit nga fusha e teknologjisë dixhitale;
  • Përfshirja aktive e qytetarëve në konsultime publike për projekte zhvillimore, si dhe për të garantuar transparencë dhe llogaridhënie;
  • Koordinimi më i mirë ndërmjet institucioneve, bizneseve dhe qytetarëve për sigurimin e fondeve qeveritare dhe të donatorëve të huaj për projekte zhvillimore të rajonit, si dhe perspektivën e vazhdimit të rrjetit të hekurudhës në drejtim të Anamoravës, që lidhet me korridorin 10 të hekurudhave.

 

You Might Also Like