Gjilan

Gjilani nis investimet prej 54 milionë euro në infrastrukturë

Gjilan, 19 prill 2020 – Në Komunën e Gjilanit këtë vit në bazë të planifikimit dhe kontratave të nënshkruara kanë nisur dhe do të realizohen projekte afro 54 milionë euro Brenda dy viteve, nga investimet e buxhetit të Komunës, investimeve të përbashkëta me qeverinë dhe bashkëpunimit me shumë donatorë të mëdhenj si Komisioni Evropian, Banka Evropiane Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Evropiane për Investime, Banka Botërore dhe donator të tjerë të qeverive mike të Gjilanit.

Kjo është konfirmuar nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, pas vizitës së projektit në lagjen Dardania, ku është duke u punuar në modernizim të kësaj lagjeje me të gjithë infrastrukturën.

“Jemi duke i realizuar projektet e ndryshme për të cilat kemi kontratë të nënshkruar. E tillë është lagja Dardania ku jemi duke punuar në vazhdimësi në rregullimin e trotuareve, stazave, gjelbërimit, riparimin e rrjetit të ujësjellësit, infrastrukturën nënkrokësore për rrjetin në të ardhmen për t’i larguar shtyllat elektrike dhe në fund asfaltimin e rrugëve. Në këtë lagje me punën që është duke u bërë dhe në bazë të programit qeverisës, do t’i kthehet urbanizmi i plotë”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai ka potencuar se përkundër që jemi në një situatë të ngulfatur nga përballja me pandeminë, intensiteti i punës do të rritet sepse, siç ka bërë të ditur i pari i Gjilanit, janë një numër i madh i kontratave të nënshkruara.

“Këtë vit kemi mbi 5.1 milion euro investime kapitale nga buxheti i Komunës së Gjilanit. Kur llogarisim projektin e asfaltimit dhe zgjerimit të rrugës në drejtim të kryeqytetit nga tuneli në një gjatësi mbi 7 kilometra deri në afërsi të lagjes Gllama në Bresalc, pastaj investimin e rrugës nga Livoçi i Ulët deri në Kllokot, investimin e në sanim të gjendjes së thatësisë me ujin e pijshëm, investime në programe të ndryshme e të shumta që do të punojmë së bashku me donatorët dhe investitorët e shumtë, atëherë konfirmojmë se totali i përgjithshëm është rreth 54 milionë euro, që nisin këtë vit dhe do të vazhdojnë edhe vitin tjetër”, ka thënë ai.

Në fjalën e tij, drejtori i Shërbimeve Publike, Naser Korça, ka bërë të ditur se vetëm ky pilot projekt që po realizohet në këtë lagje është rreth 650 mijë euro.

You Might Also Like