Kosova do të përfaqësohet denjësisht në një nga ngjarjet më të rëndësishme të sportit të karatesë për të rinj, “Karate 1 Youth League – Poreç 2025”, e cila do të mbahet në Kroaci, me pjesëmarrjen e afro 4000 garuesve nga e gjithë bota.
Në këtë ngjarje prestigjioze, qyteti i Gjilanit do të përfaqësohet me 6 karateistë të talentuar: Xhan Ilijazi dhe Erina Sherifi nga Klubi i Karatesë “AS”, si dhe Amar Daku, Tuana Bilalli, Amra Demja dhe Ezana Sylejmani nga Klubi i Karatesë “Agim Ramadani”.
Këta sportistë të rinj do të mbrojnë ngjyrat e Kosovës në një arenë ndërkombëtare, duke dëshmuar nivelin e lartë të përgatitjes dhe përkushtimit të tyre.
Në mbështetje të karateistëve kosovarë do të jenë edhe Alban Beqiri, Drejtor Sportiv i Federatës së Karatesë së Kosovës, si dhe Shkëlzen Balaj, trajner me përvojë, të cilët do të kujdesen për motivimin dhe përgatitjen teknike të garuesve gjatë garave. Pjesëmarrja në këtë ligë botërore konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt ngritjes së mëtejme të nivelit të karatesë në Kosovë dhe një mundësi e shkëlqyer për afirmimin e talentëve të rinj gjilanas në skenën ndërkombëtare.