Në Varrezat e Qytetit në Gjilan sot është varrosur nxënësi i Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, i cili kishte ndërruar jetë si pasojë e një sëmundje të rëndë.
Familjarë, qytetarë të Gjilanit e më gjerë, nxënës e mësimdhënës kanë marrë pjesë në varrimin e nxënësit shembullorë Dren Ukshini.
Në emër të nxënësve dhe të mësimdhënësve të Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” nga ish – nxënësi Dren Ukshini është ndarë nxënësja Gonxhe Halimi, e cila ishte në të njëjtën klasë me Drenin, e cila pasi u ka shprehur ngushëllime të gjithëve, ka theksuar se asnjëherë nuk e kishin menduar se kaq herët do të ndahen me shokun e tyre të klasës. Ajo e ka cilësuar Drenin si njeri unifikues, frymëzues dhe i tillë që gjithnjë i jepte klasës e shkollës buzëqeshje.
“Shumica prej nesh të njohim që kur ishe fëmijë dhe mbajmë në mend çdo minutë të jetës me ty kur dallohej për nga mirësia dhe zgjuarsia, por që fati i jetës është i tillë dhe kur prisnim që të na ktheheshe, nuk besuam kurrë se do të na ktheheshe për t’a dhënë lamtumirën”, ka theksuar nxënësja Gonxhe Halimi, e cila shtoi se në një kopsht me lule, lulja më e bukur këputet e para, por se kujtimi për Drenin nuk do të harrohet kurrë.
Në emër të familjarëve të të ndjerit, është falënderuar Bekim Ukshini. Kryelajmi.com