Gjilani ka shënuar një fitore të rëndësishme në ballafaqim me Trepçën ’89, duke u përforcuar në pozitën e tretë në tabelë, gjë e cila mundëson daljen në Evropë. Një gol i shënuar në pjesëlojën e dytë ka mjaftuar për tri pikë të plota për ekipin kuq e bardh.
Në minutën 15 pas një kundërsulmi të shpejtë, Zabërxha shpërtheu nga e djathta, harkoi në brendi e në të sul Dabiqaj që qëlloi topin bukur, por ai nga toka u përplasa në tërthorëse.
Në minutën 25, Elton Calé bukur u fut në brendi dhe pasoi te bashkëlojtarët e tij, pos asnjëri nga ta nuk e qëlloi e më së miri ishte Zeka.
Një minutë më pas Mashau ndali në brendi Mevlan Zekën e gjyqtari Nuza dha penalti për Gjilanin. U desh që të shikohet sistemi VAR për një ndërhyrje të Islamit më herët dhe pas rishikimit disa herë të këtij momenti ai vendosi për ndërhyrje të palejuar ndaj Fatit, bile e ndëshkoi me të verdhë Përparim Islamin. Gjyqtari Nuza edhe më herët ngjashëm kishte anuluar një penalti. Në minutën 34, Genc Nuza dha penalti për Trepçën ’89 me arsyetim se njëri nga lojtarët e Gjilanit luajti me dorë, por edhe kësaj radhe ndërroi mendje dhe ajo u anulua. Në minutën 37 Baton Zabërxha dha një gjuajtje të fortë përtokë, por topi u ndal nga shtylla e djathtë pingule.
Në kohën shtesë edhe Elton Calé pati rast të mirë shënimi, por gjuajtja e tij u bllokua.
Në minutën 60 Calé bëri një harkim milimetrik për Zabërxhën, por ai nga një pozitë shumë e mirë gjuajti mbi portë. Një minurtë më pas Adukuau gjuajti nga largësia, por Koliqi priti për mrekulli, gjë të cilën e bëri edhe në dy raste të mëpasme shumë të mira për Trepçën ’89. Në minutën 73, Ramadani gjuajti nga largësia, por topi për pak shkoi jashtë pingules së majtë.
Gjilani ka realizuar në minutën 75, kur pas një gjuajtje anësore, Calé bukur e ka shërbyer Dabiqajn, i cili me një gjuajtje zhagas ka qëlluar këndin e poshtëm të djathtë. Më pas edhe Zeka pati një rast të mirë, por gjuajtja e tij u bllokua. Më pas Zeka pati edhe dy raste të mira shënimi, por portieri Kaçiu ishte në maje të detyrës. Në fund të ndeshjes Trepça ’89 mbeti me një lojtar më pak në fushë, ngase Rrahmani u zverdh për herë të dytë. /kryelajmi.com/.