Gjyqtari gjilanas Arian Kurtalani po dëshmohet në arenën ndërkombëtare të basketbollit
Gjyqtari i basketbollit nga Gjilani, Arian Kurtalani, me Licencë A, edhe njëherë po dëshmon kualitetin e tij në ndarjen e drejtësisë në mes të koshave, duke u bërë një emër i njohur jo vetëm në arenën vendore, por edhe në atë ndërkombëtare.

Kurtalani, i cili më herët ishte marrë me lojën e basketbollit si lojtar, tash e disa vite ka zgjedhur të kontribuojë në sportin e tij të zemrës përmes gjykimit profesional. Me përkushtim dhe punë të vazhdueshme, ai po dëshmon nivel të lartë profesionalizmi në drejtimin e ndeshjeve të rëndësishme, brenda dhe jashtë vendit.
Vetëm shtatë muaj më parë, ai kishte përfaqësuar me sukses Kosovën në turneun e madh ndërkombëtar “Copenhagen Invitational 2025” në Danimarkë, ku kishte ndarë drejtësinë në kategorinë e femrave U13, në ndeshjen për vendin e tretë, duke lënë përshtypje pozitive tek organizatorët dhe pjesëmarrësit.
Së fundmi, Arian Kurtalani ka qenë pjesë e ekipit të gjyqtarëve në një ndeshje të European North Basketball League (ENBL), e zhvilluar në Pejë, ku ndau drejtësinë bashkë me kolegët Elldin Uglari nga Kosova dhe Vladimir Zanev nga Bullgaria. Ndeshja ndërmjet KB “GO+ Peja” dhe BC “Spartak Pleven” nga Bullgaria qepërfundoi me fitoren e pejanëve 96–81. Në këtë ligë marrin pjesë gjithsej 28 skuadra nga vende të ndryshme të Evropës.
“Është kënaqësi dhe nder të drejtosh një ndeshje ndërkombëtare. Kjo ishte ndeshja ime e parë zyrtare në arenën ndërkombëtare dhe jam shumë i nderuar që përfaqësova jo vetëm veten time, por edhe basketbollin e Kosovës. Ne kemi kualitet, vetëm duhet të punojmë dhe të ecim përpara me projekte të reja. Me digjitalizimin e çdo ndeshjeje, çdo gjyqtar duhet të jetë shumë i vëmendshëm në çdo vendim që merr,” – u shpreh Kurtalani pas ndeshjes.
Me moshë të re dhe ambicie të mëdha, Arian Kurtalani po shihet si një perspektivë premtuese në gjykimin e basketbollit kosovar.





