Gjilan, 21 dhjetor 2017 – Komuna e Gjilanit ka përuruar Arhivën Digjitale, apo Arhiva e Integruar të Administratës Komunale, projekt ky i veçantë dhe specifik, gjithashtu i vetmi në Republikën e Kosovës, ku do të ruhen dokumentet e të gjitha drejtorive komunale në formën fizike dhe digjitale, duke krijuar qasje për të gjitha drejtoritë në dokumentacionin e tyre, por edhe qytetarët në titujt e dosjeve të tyre.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se ky projekt dhe të gjitha projektet tjera që kanë për qëllim krijimin e lehtësirave për shërbime më të mira për qytetarët, në bazë të ligjit janë realizuar dhe tani jemi te projekti tjetër poashtu i vetmi në nivel të Republikës së Kosovës, ky i Arhivës së Integruar Komunale.
“Në Arhivën e integruar me një ambient të mjaftueshëm për kah hapësira do të vijnë të gjitha lëndët e drejtorive komunale duke përfshirë edhe lëndët më të ndjeshme të Departamentit të Prokurimit. Secila drejtori këtu ka këndin e veçantë dhe janë të mbrojtura në mënyrë strikte. Administrate e Përgjithshme, ka arritur ta përmbushë në tërësi programin që e ka paraparë dhe tani mbetet vetëm integrimi i tyre edhe në formën elektronike online në ueb faqe të Komunës së Gjilanit. Ne gradualisht kemi avancuar në krijimin e formave të ndryshme të shërbimeve online dhe jemi qyteti i parë në nivel regjional që kemi hy në programin “Smart City”, jo vetëm si program por edhe shërbime online në bazë të standarteve dhe të ligjit”, ka pohuar kryetari, Lutfi Haziri, i cili ka falënderuar edhe Arhivën Ndërkomunale për bashkëpunimin.
Nazim Gagica, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Administratës, ka thënë se i gjithë ky objekt edhe me arhivën që u përurua sot është një “One Stop Shop” i vërtetë dhe është një përmbyllje e planifikimit katër vjeçarë në digjitalizim të shërbimeve, që kreator dhe mbështetës është kryetarit, Lutfi Haziri.
“Truri i administratës komunale është Arhiva, e cila ishte në një gjendje jo të mirë deri më tani, ku secila drejtori kishte dokumentet e saja që ruante nëpër zyre dhe vende jo adekuate sipas mënyrës dhe kushteve optimal që kishin. 1140 metra gjatësi landë janë duke u përpunuar dhe seleksionuar nga ekspertët, e që do të vendosen në këtë hapësirë. Pjesa e dokumenteve që kanë përmbushur afatin kohor do të asgjësohen, ato që zgjidhen për t’u ruajtur do të vendosen këtu dhe më pas do të skanohen dhe digjitalizohen që të jetë puna më efektive gjatë të ardhmes. Qytetari i Komunës së Gjilanit do ti merr të gjitha shërbimet në një objekt të vetëm.”, ka thënë drejtori Gagica në fjalën e tij.