Gjilan

Haziri: Çarshia po bëhet vend rekreacioni dhe inkurajimi për biznesin familjar

Gjilan, 20 dhjetor 2019 – Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka parë nga afër punimet e projektit të pjesës së Çarshisë së Gjilanit – veri, e cila ka një gjatësi prej 1200 metra.

Haziri ka thënë me këtë rast, pas përfundimit të këtij projekti, Gjilani merr pamje krejt tjetër.

“Është vazhdim i ndërtimit të Çarshisë së Gjilanit, e cila në pjesën veriore i ka 1.2 kilometra. Projekti ka gjelbërimin, shetitoren, ulëset, ndriçimin dhe e integron komplet lagjen e Balecit me lagjen e Dardanisë. Po e ndërtojmë edhe Tregun e Gjelbër dhe Stadiumin e Qytetit, si projekte të integruara me Çarshinë, duke i dhënë edhe pamje edhe zgjidhje problemeve të infrastrukturës”, ka thënë Haziri.

Kreu i Komunës, tha, po ashtu, se përpos që do të jetë një shetitore e bukur, do të inkurajohet edhe biznesi familjar.

“Prej livadheve të Malishevës ku planifikohet të ndërtohet impianti i ri i kolektorëve të ujërave të zeza dhe ujërave atmosferik për tërë qytetin, e deri në përfundim të lagjes Dardania, në rrugën qarkore, do të ndërtohet Çarshia e Gjilanit. Do të bëhet një shetitore e mirë, por në zonën e banuar, do të inkurajohet biznesi familjar. Jam i lumtur që po bëhet një vend i mirë rekreacioni për familjet, fëmijtë, të rinjtë e pleqtë e Gjilanit”, ka deklaruar ai.

Haziri tha se me përfundimin e këtij projekti capital, do të zvogëlohet numri i përdorimit të veturave, ku edhe do të shkarkohet qyteti.

“Ky do të jetë segmenti i qarkullimit të qytetarëve në këmbë”, tha Haziri.

Ky projekt kap shifrën investive prej afro 1 milion euro.

You Might Also Like