Gjilan

Haziri e Kadriu dakordohen për implementimin e projekteve multimilionëshe për Gjilanin

Gjilan, 28 janar 2019 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka pritur sot në një takim pune zëvendësministrin e Ministrisë së Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, me të cilin kanë bashkëbiseduar për projektete që do të realizohen gjatë vitit 2019 dhe vazhdimin e atyre të cilat janë në proces të punimeve, e të cilat kanë vlerë multimilionëshe.

Kryetari Haziri ka thënë se prioritet edhe këtë vit do të jenë investimet në infrastrukturën publike duke përfshirë fshatrat dhe qytetin në proporsion të barabartë.

“Sot kemi marrë edhe njëherë konfirmimin për vazhdimin e investimeve dhe njëkohësisht revidimin e disa projekteve rrugore të cilat janë në proces nga viti 2018 dhe vazhdimin e investimeve me një dinamikë të shtuar për projektete e vitit 2019. Këtu hyjnë puna në projektin më të madh të Autostradës, pastaj ndërtimin e rrugës qarkore – unazën e jashtme, ndërtimin e hyrje-daljeve në drejtim të Prishtinës, përfundimin e rrugës së Kumanovës, vazhdimin e rrugës me katër korsi në drejtim të Përlepnicës, rrugët në fshatrat Livoç, Malishevë e Epërme, pastaj rruga Dobërçan Pogragjë etj”, ka bërë të ditur kryetari Haziri.

Ai gjithashtu ka thënë se investimet do të jenë në bazë të prioriteteve dhe nevojave emergjente për të krijuar kushte më të mira për qarkullim të automjeteve dhe qytetarëve në përgjithësi.

Kurse nga ana e tij zëvendësministri Rexhep Kadriu ka potencuar se takimi i sotëm është në kuadër të koordinimit për përfundimin e një numri të madh projektesh që do të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Gjilanit me rrethinë.

“Gjilani është fuqishëm në agjendën e qeverisë Haradinaj, sikurse çdo Kumunë tjetër e Kosovës. Jemi të bindur se fundi i vitit 2019 do ta gjejë Gjilanin një qendër pa ngarkesë të tepërt me makina dhe me rrugë modern. Do të investohet edhe me rrugë lidhëse në të gjitha fshatrat e kësaj komune”, ka thënë ai mes tjerash.

You Might Also Like