Gjilan, 1 qershor 2020 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, në adresimin para gazetarëve, ka konfirmuar vazhdimin e realizimit të projekteve, programeve dhe investimeve kapitale, duke theksuar edhe vështirësitë buxhetore të cilat kanë dalë si pasojë e përballjes me pandeminë globale Covid-19.
“Është fat shumë i madh për Komunën e Gjilanit që pjesa më e madhe e investimeve të planifikuara për këtë vit, nuk janë të varura drejtpërdrejt në buxhetin e Republikës së Kosovës. Projektet e mëdha kapitale, janë investime të partnerëve të Gjilanit dhe Kosovës, sikur që është Banka Evropiane për Zhvillim, Bankën për Investime të BE-së, Bankën Botërore dhe institucione të tjera financiare të Evropës. Pandemia nuk i ka prekur projektet e kontraktuara, megjithse një pjesë e tyre duhet të ratifikohen ne Kuvendin e Republikës”, ka thënë Haziri.
Haziri pohoi se Rruga Gjilan – Prishtinë në gjatësi 7.1 kilometër, rruga Livoç i Ulët – Kllokot, Impianti për trajtimin e ujërave të zeza dhe zgjidhja e problemit të ujit të pijshëm për periudhën afatmesme dhe afatgjate, janë projekte të konfirmuara që punët në realizimin e tyre do të nisin në bazë të afateve kohore të parapara.
“Kështu i japin Komunës së Gjilanit, por edhe regjionit me trajtimin e Moravës së Binçës, një zgjidhje afatgjate”, tha Haziri.
Haziri theksoi se aktualisht janë duke punuar në rivitalizimin-rigjenerimit të qendrës së qytetit, duke shtuar se nuk flasim këtu për zgjerim të rrugëve, por për adaptim sic është ulja e trotuareve dhe integrimin e hapësirave në rigjenerimin urban të zonës së parë të qytetit.
“Ne në këtë zonë po punojmë që t’i ulim trotuaret, të vendosim shenjëzim dhe të vendosim masa integruese urbane për qytetarët e Gjilanit. Kjo për arsye që në një hapësirë prej 5 deri në 7 hektarëve tokë, në zonën e parë të qytetit, do të vendoset sheshi i qytetit në bulevardin ekzistues, që parasheh zgjerim të rrugëve, krijim të hapësirave të gjelbërta, mbjelljen e drunjve dekorativ dhe për krijim të hapësirave për qarkullim të njerëzve dhe personave me nevoja të veçanta që do të integrohen me shenjëzime të veçanta, si semaforë dhe sinjalizues e pllaka sikur në projektin e lagjes “Dardania”, në mënyrë që shenjëzimi të jetë edhe orientim për qasje të barabartë për të gjithë”, ka thënë kryetari Haziri, duke shtuar se ky projekt ka pritur shumë gjatë për t’u realizuar në Gjilan, që prej pas luftës.
“Baballarët tonë në vitet e 70-ta kanë pas një vështirësi shumë të madhe kur e kanë ndërtuar këtë shesh që e kemi sepse në atë kohë janë rrënuar lokale e dyqane, pastaj pazarin e vjetër, çarshinë e vjetër të Gjilanit për ta ndërtuar një zonë urbane të re në atë kohë, por ka ardhur koha që kjo zonë që e kemi të përkthehet në shekullin që po jetojmë në një zonë të pranueshme për të gjithë qytetarët e Gjilanit’, ka deklaruar kreu i kësaj komune.
Kryetari Haziri ka konfirmuar se sivjet do të vendosen edhe shtatoret e heroit Abdullah Tahiri dhe të Kadri Zekës, në vende meritore.
“Kthimi i këtyre dy figurave në Gjilan është në kuadër të projeksioneve urbane dhe respektit që të gjithë kemi për veprën e tyre për lirinë e Kosovës”, ka deklaruar Haziri.