Gjilan

Haziri: Krenar që për 30 vjet rrugëtuam n’rreshtin e Ibrahim Rugovës

Me një manifestim madhështor, Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjilan, ka shënuar 30-vjetorin e themelimit, ku pos kryetarit të Degës, njëherësh nënkryetar në nivel qendror, Lutfi Haziri, ka marrë pjesë edhe kryetari i partisë, akademik Isa Mustafa, sikurse edhe deputetë, ministra, veprimtarë simpatizantë.

 “Sot po e përmbyllim Javën e Bardhë të LDK-së, me dhjetëra aktivitete në nderim të themeluesve Degës sonë, të cilët më 4 mars 1990 themeluan Kuvendin në krye me Musa Qerimin. Ne nuk i harrojmë edhe ata që ishin pjesë e inicimit të themelimit, e që sot nuk janë në mesin tonë, siç ishte veprimtari Dalip Dalipi. Shpirti i tyre bëftë dritë në këtë Republikë”.

“LDK në Gjilan sot është krenare që shënon 30 vjet të ecjes n’rreshin e Ibrahim Rugovës.LDK është partia më e vjetër, më e organizuar, më e strukturuar dhe partia e vetme që këtij vendi i dha formë, besim e shpresë se Republika jonë mundet dhe duhet të zhvillohet për t’u bërë e barabartë me të gjithë të tjerat”, ka thënë kryetari i Degës, Lutfi Haziri.

Ai theksoi se kjo familje politike e Ibrahim Rugovës, këtij vendi, përveç që ia dha identitetin e një Republike dhe një populli që tashmë udhëheq dhe vendos vetë, ia dha edhe demokracinë dhe në këtë demokraci fitojnë edhe rivalët tanë.

“I falemi njeriut, i cili këtë Republikë e themeloi si kompromis të dhimshëm dhe të vetëm në Ballkan për t’i pushuar gjakrat e luftës. I falemi njeriut që në kohën e luftërave të përgjakshme në ish-Jugosllavi, në vend të armëve thirri për paqe. I falemi njeriut që e udhëhoqi një popull dhe e shpëtoi nga një masakër dhe një varr kolektiv të organizuar, por që në fund rezultoi me atë që besojmë dhe e themi – u lind për të shkaktuar procese të mëdha, por për të realizuar ëndrrën e vetë. I falemi dr. Ibrahim Rugovës:, ka shtuar Haziri.

Ai, po ashtu, i ka falënderuar të gjithë veprimtarët dhe anëtarët e LDK’së së sotme, për punën e angazhimin e madh, që prej vitit  2013 e rikthyen rugovizmin në Gjilan.

Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, ka deklaruar se ky është një përvjetor shumë i rëndësishëm, duke shfaqur mburrjen për rezultatet e qeverisjes së Gjilanit.

“Ky është një përvjetor tepër i rëndësishëm për ne. Ne mburremi me rezultatet tona që janë arritur në Gjilan, në qeverisjesn e LDK’së, në krye me Lutfi Hazirin, i cili ka treguar rezultate të mrekullueshme. Por, edhe veprimtarët tjerë kontribuan shumë dhe ne i vlerësojmë. Kemi rezultate të mira në sistemin shkollor, në infrastrukturë, në shëndetësi, në transformimin demokratik të vendit”, tha Mustafa.

Mustafa tha se shpreson që ta mbajnë unitetin e domosdoshëm mes gjeneratave që sot mbretëron në LDK, në mënyrë që rezultati të jetë i të gjithëve.

“Çdo gjeneratë ka cilësitë e veta, dijën e vetëm kulturën e vet dhe mund të japin rezultate. Ne e vlerësojmë shumë gjeneratën e re, por ne, po ashtu, e vleresojmë përvojën, resistencën e qëndresën e gjeneratës dhe vjetër dhe gjeneratës së mesme të LDK’së, e cila po e mban sot trajektorën e partisë”, tha Mustafa.

Moto e kësaj ngjarje ka qenë ’30 vjet n’rresht t’Rugovës’.

You Might Also Like